Lagështia në një dhomë e sëmuri Mifailin me gjithë familjen

  • 04 May 2016 - 17:40
Lagështia në një dhomë e sëmuri Mifailin me gjithë familjen
Familja 7-anëtarëshe në kufirin më të keq të ekzistencës

Vetë Mifaili, për shkak të mykut e lagështisë, është i sëmurë në mushkëri e sëmundje të tjera

Hallexhiu Mefail Poniku është në hall të madh, sepse jeton në një dhomë të vogël, së bashku edhe me gjashtë anëtarë të familjes, e cila sa herë bie shi mbushet me ujë. Ai shprehet se Komuna i pati premtuar se do t'ia zgjidhë problemin, por tash si duket i ka rënë pishman. Ai është i papunë dhe nuk gëzon as ndihmë sociale

Dhoma e Mifail Ponikut të martën që binte pandërprerë shi ishte e mbushur me ujë. Në këtë shtëpi mbijetojnë shtatë anë- tarë të familjes Poniku. Mifail Poniku, burrë i imët, rreth të 50-ave jeton në fshatin Malësi të Vërrinit, me kushte shumë të vështira. Ai së bashku me familjarët e bën jetën në një dhomë të vetme bodrumi që ka hapësirën jo më të madhe se 3 metra me tri, në kushte të rënda të lagështisë. Mifaili shprehet për gazetën "Kosova Sot" se ka një mori sëmundjesh në trup, dhe mezi arrin të flasë për shkak të shëndetit të lodhur. Ai për "Kosova Sot" tregon se mezi arrin të mbijetojë me shtatë anëtarët e familjes, të cilët janë të sëmurë, për shkak të lagështisë së madhe që mbretëron në atë dhomë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

"Bëjmë jetë qençe"

I pikëlluar tej mase Mifaili thotë se jetën që e bën ai me familjarët është jetë, siç thotë qençe. "Jam i lodhur nga jeta më besoni. Jemi në prag të Festës së Shëngjergjit. Jam në hall të madh. Shiu i këtyre ditëve po hyn në dhomë, unë s'kam ku fle vetë i shtati. Pesë fëmijë dhe gruaja në një dhomë të vogël e mbushur me ujë nga të reshurat. Komuna na premtoi njëherë tash po thonë ndoshta s'mund t'ju ndihmojmë", shprehet Mifaili dhe gjersa rrëfen fillon të përlotet. Ai shton tutje se është i papunë dhe i varfër. Tregon se tani e tri vite radhazi ka bërë kërkesë në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale, ku edhe ka marrë premtimin se do të ndihmohej me material ndërtimor, mirëpo deri më tani kjo s'ka ndodhur."Unë kam kërkuar të më ndihmohet. Por, vitin që shkoi më thanë se do më ndihmojnë, por siç duket dikush ka shkuar me ndonjë njohësi dhe e ka zënë vendim tim. Unë pra kam mbetur me këto kushte të vdesë sa më parë, sepse nuk dua të jetoj kështu", shprehet ai. Mifaili thotë se ka shkuar rregullisht për një javë në Komunën e Prizrenit, por nuk ka dashur ta pranojnë për hallet e tij. Ai ankohet se tash është larguar edhe nga ndihma sociale që ka marrë deri vonë. "Kam hepatit të zi dhe sëmundje të tjera të rënda dhe as që mund të punoj", shpjegon ai. Tregon se edhe të martën ka qenë në Komunë dhe nga zyrtarët e Drejtorisë së Mirëqenies Sociale i kanë thënë: "Nuk mundemi me të premtu shumë, dhe kjo më bëri të ndihem keq", u shpreh ai për "Kosova Sot".  

Image

Shëndeti i rrënuar i familjarëve

Mifaili shpreson shumë se do të gjendet ndonjë bamirës që ta ndihmojë atë. "Vëllezërit më kanë dhënë këtë bodrum, por tashmë edhe nga ai po duan të më largojnë. Kam dhembje të madhe. Më të gjithë fëmijët e tjerë po lutemi që dikush të na ndihmojë për Shëngjergj", tregon me lot në sy Mifaili. Ai është larguar nga marrja e ndihmës sociale, edhe pse fëmijën më të vogël, Elma, e ka vetëm dy vjet e gjysmë, kurse fëmijët e tjerë i ka të rritur e nuk e vazhdojnë shkollimin. "E di se është e vështirë t'ia ndalë, por, skema sociale ka rregulla strikte dhe jemi të vetëdijshëm edhe për këtë",thonë në Qendrën për punë sociale në Prizren. Duke parë shëndetin e rrënuar të Mifailit dhe pamundësinë për të punësuar fëmijë bile as punëtorë krahu, shpresojmë se këtë rast do ta ndihmojnë bamirësit. Jeta në ato kushte nuk do shumë koment. Mifaili ankohet edhe se është i sëmurë nga mushkëritë. Ai thotë se në mushkëri, për shkak të lagështisë janë sëmurë edhe fëmijët. Ai thotë se Drejtoria komunale po e fsheh të vërtetën e tij, sepse po ta dinte këtë rast kryetari i Komunës, Ramadan Muja, do të intervenonte për t'ia zgjidhur problemin. "Nëse vazhdohet kështu, unë pas Shëngjergjit do t'i marr fëmijët e do t'i sjell para Komunës. Një ditë i kam sjellë deri këtu, por rojet me polici më kanë larguar", shprehet Mifaili. Ky hallexhi ka në dispozicion numrin e telefonit 045 225018 për të gjithë ata që duan ta ndihmojnë.

(Kosova Sot)