Smaka: Liberalizimi i vizave nuk i zgjidh problemet e qytetarëve të varfër të Kosovës

  • 04 May 2016 - 18:00
Smaka: Liberalizimi i vizave nuk i zgjidh problemet e qytetarëve të varfër të Kosovës

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Riza Smaka mendon se Qeveria aktuale e vendit tonë nuk mund të vetëfavorizohet për liberalizimin eventual të vizave, ngase i njëjti madje fare nuk është rezultat i suksesit të mandatit të kësaj Qeverie, por është vendim politik i BE-së.

Në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ai thotë se liberalizimi i vizave në asnjë mënyrë dhe në asnjë segment social nuk i zgjidh problemet e qytetarëve të varfër të Kosovës, prandaj sipas tij, edhe do të mungojë motivi i tyre që t'i gëzohen këtij vendimi eventual pozitiv.

"Për realizimin e kësaj të drejte kërkohet nga secili qytetar edhe një shumë garantuese e mjeteve financiare për udhëtim dhe qëndrim, së bashku me atë policën e sigurimit shëndetësor. Pra, kjo formë e liberalizimit gjithsesi nuk është inkurajuese dhe lajm shumë i gëzuar për qytetarët e Kosovës, ngase shumica janë në nivelin e varfërisë së skajshme. Kërkesat e tilla mund t'i përmbushin vetëm pushtetarët dhe një klasë pasanikësh, por jo qytetarët e varfër të Kosovës", tha prof. Smaka.

(Kosova Sot)