Shqipëria do ngre gjykatë të posaçme kundër korrupsionit

  • 05 May 2016 - 11:50
Shqipëria do ngre gjykatë të posaçme kundër korrupsionit

Është dashur prania dhe ndërhyrja e ambasadorit amerikan, Donald Lu, dhe ambasadores së Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, në mbledhjen e Komisionit të Reformës në Drejtësi, që të zhbllokohet ngërçi politik dhe t’i hapet rrugë miratimit të draftit të hartuar prej ekspertëve. Pas mbledhjes me dyer të mbyllura ekspertët e Euralius dhe OPDAT për reformën në drejtësi kanë propozuar rekomandimet përfundimtare me 45 faqesh.

Mbledhja

Me tone të forta e duke e cilësuar të turpshëm bllokimin e reformës, Donald Lu dhe Romana Vlahutin paralajmëruan ndëshkim politik si dhe përcaktuan axhendën e komisionit dhe të Parlamentit. Ambasadori amerikan, Donald Lu, duke ripërsëritur apelin e tij për miratimin e reformës, tha se brenda muajit qershor drafti duhet të mbarojë në Parlament. Ambasadori iu drejtua politikanëve në gjuhën shqipe, duke iu kujtuar se miratimi i reformës është detyrë e tyre dhe tashmë ka ardhur koha që lojërat politike të ndalen. “Mos turpëroni veten përpara atyre që iu kanë zgjedhur. Do të turpëroni marrëdhënien tuaj me SHBA-në dhe Bashkimin Europian. Ju bëj thirrje ta studioni këtë dokument. Në fund të ditës ju kërkoj të gjithëve të votoni pro reformës në drejtësi”, deklaroi ambasadori Lu. Në vijim të fjalës së tij, ambasadori amerikan nuk kurseu kritikat për politikanët që bllokojnë reformën në drejtësi. “E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e verbër politik që bllokon këtë reformë. E para do të dështoni nëse e bllokoni këtë reformë e dyta do të përballeni me zemërimin e popullit në zgjedhjet e ardhshme duke e bllokuar këtë reformë. I kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komision deri në fund të majit dhe në parlament deri në fund të qershorit.

Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë, e keni për detyrë”, përfundoi ambasadori amerikan. Dhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin e pranishme në mbledhjen e komisionit të posaçëm, lëshoi një mesazh të qartë në emër të BE për politikën shqiptare, duke shtuar se njerëzit i kanë zgjedhur për të zbatuar përgjegjësitë politike dhe personale. “Nuk do lejojmë që politika e përditshme të cenojë të ardhmen e Shqipërisë. Mendoj se gjërat janë të thjeshta, ju keni përgjegjësi personale dhe politike. Njerëzit që ju kanë zgjedhur kanë thënë qartazi se ata kërkojnë me këmbëngulje reformën. Ky është një shans unik për Shqipërinë, mos e shpërdoroni kot”, përfundoi Vlahutin.

PS gati të firmosë direkt draftet, PD kërkon kohë

Gjuha e ashpër që dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin që zgjodhën të përdorin për politikën shqiptare i ka detyruar palët të afrohen drejt një kompromisi për miratimin e reformës në drejtësi. Në mbledhjen që ka vijuar me dyer të mbyllura ka pasur vullnet të shprehur për ta miratuar atë sa më parë, gjë që është konfirmuar edhe nga dy përfaqësuesit e PS-së dhe LSI-së që janë shprehur pro miratimit javën e ardhshme. PD-ja nëpërmjet deputetit, Eduard Halimi, ka kërkuar kohë deri ditën e hënë për të shqyrtuar nëse vërejtjet e saj janë bërë pjesë e draftit që OPDAT dhe EURALIUS kanë sjellë. Fill pas apelit të ambasadorit të SHBA dhe asaj të BE, PS-LSI janë deklaruar të gatshëm të miratojnë draftin e sjellë nga EURALIUS dhe OPDAT për reformën në drejtësi.

Në komisionin me dyer të mbyllura mësohet se ka pasur madje propozim për ta miratuar që sot në parim draftin, por PD-ja ka kërkuar më shumë kohë për ta shqyrtuar atë. Si Xhafaj dhe Vasili, apelit që klasa politike duhet të ndihej e turpëruar nëse nuk e miratonte reformën në drejtësi iu përgjigjën me bindjen se ky proces jo vetëm që nuk do të dështonte por do të miratohej edhe para afatit përfundimtar që është muaji qershor. “Kemi një projekt të rishikuar mbi bazën e opinionit final të Venecias. Sot kemi një projekt kushtetues i cili nuk mban vulën e ekspertëve shqiptarë dhe të Vencias por mban edhe mbështetjen euro-amerikane. Mban mbështetjen e Uashingtonit dhe Brukselit. Nuk është koha për llafe, koha e llafeve që kemi kohë që i kemi dëgjuar, është koha për të treguar vullnet dhe gatishmëri për ta votuar projektin. Pati një propozim nga mazhoranca për ta votuar sot projektin kushtetues por opozita kërkoi më shumë kohë dhe ramë dakord që ta mirëkuptojmë opozitën dhe të hënën në orën 09.00 ose 10.00 do të mblidhet komisioni për të shqyrtuar projektin dhe për ta votuar projektin në parim.

Është momenti për të bërë punë konkrete. Java qe vjen do të jetë vendimtare për ta shtyrë procesin përpara. Unë do të mbledh rregullisht komisionin për të diskutuar projektin nen për nen dhe për t’ia çuar Kuvendit dhe për ta shoqëruar projektin edhe me një sërë ligjesh që e zbatojnë këtë projekt të rëndësishëm. Nuk ka kohë, koha është të veprojmë”, është shprehur Xhafaj. Në të njëjtën linjë me PS-në u shpreh edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së në komision, Petrit Vasili. “Reforma nuk do të dështojë. Të hënën do të votojmë në parim reformën në drejtësi dhe më pas do të ecim me shpejtësi në miratimin nen për nen”, tha Vasili. Ndërsa numri dy i komisionit në emër të PD-së Eduard Halimi, ka deklaruar se drafti do të shqyrtohet nëse janë reflektuar apo jo kërkesat e tyre për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja. “Sot ne morëm draftin.

Sigurisht deri ditën e hënë ne do të shqyrtojmë bashkë me ekspertët tanë të gjithë komponentët dhe do të shohim nëse drafti final i paraqitur sot respekton të gjithë opinionet e Venecias. Nëse janë parë shqetësimet dhe i ka trajtuar shqetësimet e opozitës që kanë të bëjnë me kapjen politike me luftën ndaj korporatizimit, pastaj ditën e hënë do të diskutohet lidhur me draftin final dhe do të ecet pastaj edhe me komponentët e tjerë”, nënvizoi Halimi.

Zbardhet projekti kushtetues për "Drejtësinë": Votimi me 3/5

Sipas ndryshimeve të propozuara, në nenin 125 të draftit, thuhet se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë emërohen nga Kuvendi dhe tre anëtarë emërohen nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative, një institucion ky i ri. “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Kur në votimin e parë Kuvendi nuk siguron shumicën e kërkuar prej tre të pestave, brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës së kandidatëve, kandidati i renditur më lart konsiderohet i emëruar”, thuhet në pikën 2, ku theksohet se ky propozim bazohet mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sipas propozimeve, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vite në këtë post pa të drejtë riemërimi. Çdo kandidat duhet të vijë nga radhët e juristëve dhe duhet të ketë përvojë pune të paktën 15 vite si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor apo lektor i së drejtës, “me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës”.

Gjithashtu, sipas propozimeve kandidati nuk duhet të jetë i dënuar për vepra penale dhe nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike 10 vitet e fundit. “Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të udhëhiqet nga parimi i përtëritjes çdo 3 vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj”, thuhet në pikën 5 të nenit 15. Për sa i përket përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ekspertët ndërkombëtarë propozojnë që ai të zgjidhet me votim të fshehtë për një periudhë 3 vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Në këtë pikë, parashikohet në mënyrë të detajuar mënyra se si zgjidhet.

Një tjetër detaj interesant është momenti kur i mbaron mandati një anëtari të Gjykatës Kushtetuese. Ekspertët thonë se mandati i përfundon midis të tjerash edhe kur mbush moshën 70 vjeç. Neni 25, parashikon ndryshimet për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Lartë Administrative. Në këtë pikë, ekspertët theksojnë rastet kur mund të krijohen Gjykatat e posaçme dhe të shkallës së parë dhe të Apelit për veprat e korrupsionit kundër funksionarëve të lartë. Në këtë listë, përfshihet edhe presidenti dhe ish-presidenti si dhe kryeministri dhe ish-kryeministri si dhe kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetari. “Gjyqtarët e gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar,emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në përputhje me këtë dispozitë dhe ligjin. Kryetari i gjykatës dhe gjyqtarët e këtyre gjykatave shkarkohen përpara përfundimit të mandatit në rastet e shkeljeve të rënda disiplinore me dy të tretat e votave të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në pikën 4 të nenit 25.

Rama: Dakord me ambasadorët, e votojmë që sot

Pas apelit të fortë që dhanë ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, në Komisionin e Reformës në Drejtësi, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ai thotë se, PS është gatshme ta votojë që sot reformën në drejtësi. Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas deklaratave të ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi, duke konfirmuar vullnetin e tij për realizimin e këtij procesi.

“Asnjëherë më dakord se sot me ambasadorët e SHBA-BE! Koha e ballos me maska po mbaron. PS gati të votojë që sot reformën në drejtësi”, ka deklaruar Rama. Ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin bënë thirrje që reforma në drejtësi të realizohet brenda qershorit.

Basha: Rama ka dy vite që gënjen ndërkombëtarët

Partia Demokratike këmbëngul në qëndrimin e saj se penguesi i vërtetë i reformës në drejtësi është Edi Rama. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së Edi Ramës se PS-ja është gati për ta votuar Reformën në Drejtësi brenda javës. Me anë të një njoftimi për median, Basha thotë se Rama ka 2 vite që gënjen ndërkombëtarët. “Lideri global e ha turpin me bukë. Ka 2 vite që gënjen ndërkombëtarët.

A nuk i tha të njëjtën gjë dhe Fules, Junckerit, Merkelit, Mogherinit, Kerryt, Hahnit?! Për 2 vite Edi Rama e vonoi, zvarriti dhe sabotoi me qëllim çdo përpjekje për një reformë të mirëfilltë në drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin”, shkruan Basha.

Reforma në Drejtësi, Meta: Në javët që vijnë, jo muajt që vijnë

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka pritur në zyrën e tij, ambasadorët Donald Lu dhe Vlahutin, të cilët kanë vazhduan lobimin politik për Reformën në Drejtësi. Në njoftimin e zyrës për shtyp të Parlamentit thuhet se, kryeparlamentari Ilir Meta shprehu vendosmërinë për ta votuar pa vonesë paketën e ndryshimeve kushtetuese, që i hap rrugën zbatimit të kësaj reforme, si dhe që misionet e asistencës ligjore të EURALIUS-it dhe OPDAT-it janë garantuesit e standardeve ndërkombëtare të kësaj reforme. Menjëherë pas përfundimit të këtij takimi, Ilir Meta ishte i pranishëm në një konferencë, ku diskutohej për Reformën në Drejtësi dhe ku artikuloi një afat për miratimet e ndryshimeve kushtetuese.

“Ka ardhur koha që kjo reformë të jetësohet, në radhë të parë përmes ndryshimeve kushtetuese, por e theksoj, në javët që vijnë dhe jo në muajt që vijnë. Njëkohësisht është koha që kjo reformë të monitorohet sesi do të zbatohet”, tha Meta. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili u shpreh i bindur se amendamentet kushtetuese do të miratohen me përparësi dhe do të hapet rruga për pjesën tjetër të legjislacionit, që është shumë e rëndësishme.

“Në ato 40 ligje fshihen të gjitha pyetjet, fshihen të gjitha shqetësimet që ngrihen, jo vetëm nga komuniteti i juristëve, por në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë. Të gjithë duan të dinë se kur fillon dhe kur mbaron gjyqi i tij”, tha Manjani. Ministri i drejtësisë e mbylli fjalën e tij duke theksuar se duhet ndërtuar një gjykatë të besueshme, por jo me të njëjtat fytyra, jo me të njëjtët personazhe, të cilët realisht janë pjesë e kulturës së problemit në sistem.

(Kosova Sot)