Feltman: Qeveria siriane “ka kryer krime lufte” në Alepo

  • 05 May 2016 - 12:00
Feltman: Qeveria siriane “ka kryer krime lufte” në Alepo

Shefi politik i Kombeve të Bashkuara, Jeffrey Feltman, ka akuzuar Qeverinë e Sirisë për krime serioze në Alepo dhe ka kërkuar që autorët e tyre të sillen para drejtësisë.

“Më lejoni të jem i qartë: sulmet e qëllimshme dhe të drejtpërdrejta në spitale janë krime lufte”, ka thënë Feltman përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Përdorimi i urisë si armë gjatë konfliktit është krim lufte”, ka shtuar ai.

Feltman ka kërkuar që Siria të referohet në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime.

“Përgjegjësit për krime lufte duhet të japin llogari”, ka thënë Feltman, duke shtuar se edhe opozita siriane ka shkaktuar “vdekje dhe shkatërrim” me bombardimet e saj në Alepo.

Përpjekjeve të Perëndimit për ta referuar Sirinë në Gjykatën e Hagës në vitin 2014 u është vënë veto nga Rusia dhe Kina.

Këshilli i Sigurimit u ka bërë thirrje të gjitha palëve luftuese në Siri që t’i përmbahen armëpushimit në Alepo, të ndërmjetësuar nga Rusia dhe SHBA-ja.

Armëpushimi ka nisur sot dhe pritet të zgjasë 48 orë.

(Kosova Sot)