Reformat në Prokurori, peng i argatëve të oligarkëve

  • 05 May 2016 - 07:47
Reformat në Prokurori, peng i argatëve të oligarkëve

Ashtu si në çdo institucion shtetëror, që ka nevojë për reformime dhe ndryshime, kësaj pa dyshim se nuk mund t'i shpëtojë as sistemi i drejtësisë, përkatësisht as Prokuroria e Shtetit. Vetëm përmes tyre mund të ketë ngritje dhe avancime të strategjisë së punës së prokurorëve, përgatitje sa më të mirë të tyre, në mënyrë që të jenë në gjendje për të kryer sa më me sukses detyrat e punës, duke kontribuar kësisoj edhe për të bërë eventualisht ndërrimin e kuadrove të paditura me ato më të përgatitura profesionalisht gjithnjë në bazë të vlerësimit të performancës së tyre,shkruan gazeta Kosova Sot.

Por, mbetet akoma mjegull se a do të kenë efekt në Prokurorinë e Shtetit disa reforma të reja që ka nisur t'i bëjë kryeprokurori i ri, Aleksandër Lumezi, dhe cilët do duhej të ishin hapat e mëtejshëm të tij, në mënyrë që ketë ecje dhe jo ngecje në këtë drejtim. Gjithashtu enigmatike mbetet edhe fakti nëse ai do të arrijë që t'i eliminojë ndikimet apo ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë që, sipas analistëve, thuhet se e kanë përcjellë me vite këtë Prokurori.

Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se bazuar në atë që kishte deklaruar Lumezi para disa ditësh, gjatë prezantimit të punës së këtij institucioni për vitin e kaluar, doli se 99 për qind e numrit të lëndëve prokurorët e Kosovës të niveleve të ndryshme të organizimit institucional i kanë kryer ato. Baraliu thotë se nëse kjo është ashtu, atëherë shihet se në anën e kryeprokurorit të ri të shtetit ka një avancim dhe efikasitet të paparë deri më tash.

Prioritet në trajtimin e rasteve

Baraliu tregon se për atë që do duhej të përfshinin reformat e tjera në këtë aspekt. "Në radhë të parë në efikasitet, pastaj në selektivitet në lëndë, të cilat kanë prioritet për t'u trajtuar dhe për t'u ndjekur, siç janë veprat e rënda penale, si krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore, etj. Pra, këto vepra kryesisht do duhej që të kishin prioritet në ndjekje dhe procedim prej gjykatave, po ashtu krijimi i kushteve më të mira të prokurorëve të niveleve të ndryshme dhe shtimi i përgjegjësisë dhe llogaridhënies, pasi në segmente të caktuara nuk kryhen punët, pasi ka ende lëndë që presin, me qëllim që të parashkruhen dhe në këtë mënyrë nuk i bëhet shërbim i mirë drejtësisë", ka thënë ai....(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot) 

(Kosova Sot)