Dy të tretat e zviceranëve pro marrëveshjeve me BE-në

  • 05 May 2016 - 14:05
Dy të tretat e zviceranëve pro marrëveshjeve me BE-në

Sikur populli të mund të vendoste me votën e tij në mes të marrëveshjeve bilaterale me BE-në dhe Iniciativës kundër migrimit masiv, dy të tretat do të votonin për të parën, shkruajnë mediat zvicerane.

Këtë e ka konstatuar një sondazh i realizuar nga Instituti për Hulumtimin e Opinionit GFS Bern dhe Universitetit të Gjenevës.

Sipas sondazhit, shumica e zviceranëve janë kundër zbatimit konsekuent të iniciativës në fjalë pasi që një zbatim i tillë nënkupton heqjen dorë nga marrëveshjet bilaterale me Bashkimin Evropian dhe kjo e vë në rrezik serioz Zvicrën dhe vlerat e saj.

Sondazhi ka qenë pjesë e Vox-Analizës që GFS Bern e ka realizuar me rastin e votimeve të 28 shkurtit të këtij viti. Siç dihet, më 28 shkurt, veç tjerash qe hedhur në votim Iniciativa për zbatim (të iniciativës për dëbimin e të huajve kriminelë) e SVP/UDC-së, e cila është hedhur poshtë me 60 për qind të votive, përcjell albinfo.ch.

Kjo analizë kishte treguar veç tjerash se mbështetja e iniciativës për zbatim kishte pësuar rënie në radhë të parë te shtresat më të arsimuara të popullit.

(Kosova Sot)