Sekretarja e akuzuar për “skandale” në MTI vazhdon të marrë pagë nga ministria

  • 05 May 2016 - 14:16
Sekretarja e akuzuar për “skandale” në MTI vazhdon të marrë pagë nga ministria

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami me të ardhur në krye të kësaj ministrie iu kishte hyrë “fshesë” disa zyrtarëve që ishin punësuar në kohën kur këtë ministri udhëhiqej nga Mimoza Kusari-Lila.

Në mesin e këtyre zyrtarëve ishte edhe tashmë ish-sekretarja Eljana Naka e cila u suspendua nga pozita e sekretares së përgjithshme më 5 qershor të vitit të kaluar.

Por, pavarësisht kësaj, Naka vazhdon të marrë ende pagë nga MTI-ja – dhe këtë ia lejon edhe Rregullorja.

Këtë e ka konfirmuar edhe këshilltarja për Media dhe Komunikim në MTI, Vjollca Dibra.

“Në bazë të Rregullores NR. 06/2012 për pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës dhe Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, Zyrtari i lartë drejtues i suspenduar për shkak të fillimit të procedurës disiplinore, gjatë kohëzgjatjes së pezullimit, i takojnë 50% të pagës së tij/saj bazë”, ka thënë Dibra për Telegrafin.

Ajo ka shtuar se rasti i Nakës vazhdon të jetë në procedurë gjyqësore.

Muaj më parë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil, kishte marrë një vendim mbi të cilin ministrja Hykmete Bajrami detyrohet që Nakën ta kthejë në pozitën e mëparshme si dhe t’i bëhet kompensimi i pjesës së pagave dhe beneficioneve të tjera që rrjedhin nga marrëdhënia e saj e punës, nga data 5 qershor 2015.

Hykmete Bajrami, pas vendimit që kishte marrë për shkarkim e Nakës kishte thënë se ajo është shkarkuar pasi kishte dështuar që ta menaxhojë stafin, jo vetëm gjatë kohës sa Bajrami është ministre, por edhe në periudhën e mëhershme.

Një ish-zyrtar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kishte përshëndetur vendimin e ministres Hykmete Bajrami.

Flamur Keqa që tash është Drejtor i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ia ka renditur një listë të gjatë të shkeljeve që sekretarja e dikurshme e kësaj ministrie dhe dora e djathtë e ish-ministres, Mimoza Kusari-Lila, Eljana Naka ka bërë në këtë ministri e që sipas tij, arrijnë deri në shkelje ligjore kushtetuese.

Reagimi i tij kishte ardhur pak kohë pas lajmit se vendimi i marrë për degradim të saj nga pozita e Sekretares së Përgjithshme ishte vendosur në hyrje të banesës së saj.

“E ka lyp e ka gjete…besoni qe meriton shume me tepër…plote shkelje ligjore, kushtetuese, sjellje jonjerëzore, abuzim dhe keqpërdorim me post, …shembull tipik se si duhet te keqpërdoret pozita e shtetit dhe te shkelen parimet baze te një zyrtari qeveritar…mungese e njohurive baze, mungese menaxheriale, mungese te etikes ne pune dhe te sjelljes ndaj shërbyesve civil…degradim eklatant i pozitës se larte qeveritare…Eljana Naka”, kishte shkruar Keqa në profilin e tij në Facebook. 

(Kosova Sot)