Baraka e mjerimit

  • 05 May 2016 - 17:44
Baraka e mjerimit

Plaka Shefkije Sadiku me familje jeton si mos më keq

Nga rënia e tavanit të barakës për pak shpëtuan të gjallë

"Kot kemi kërkuar të na bëhet një zgjidhje në Komunën e Mitrovicës. Na thonë se do të bëhet mirë, e unë u plaka dhe, siç po e shoh, nuk po kam shpresë se do të bëhet mirë", është shprehur 70-vjeçarja, Shefkije Sadiku

Në një bllok të barakave të Stantërgut, në periferi të Mitrovicës, jetojnë 17 familje, pothuaj të gjitha në një gjendje të rëndë sociale. Jeta në këto baraka linte shumë për të dëshiruar. Madje, disa nga to ishim bërë të pabanueshme, saqë po e rrezikonin edhe jetën e banorëve. E, në veçanti jeta e kishte katandisur keq familjen Sadiku, banorë të këtyre barakave, kurse e moshuara 70- vjeçare Shefkije Sadiku thotë se është mërzitur nga jeta në baraka, përderisa shpjegon se kanë pasur fatin të shpëtojnë gjallë, ndërsa është rrënuar një barakë më herët dhe gati sa nuk i ka mbytur të gjithë anëtarët e familjes, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

 

"Liria nuk na ndihmoi aspak"

E lodhur nga skamja, pamundësia për të pasur një kulm mbi kokë, e gjithashtu edhe mungesa e gjërave më elementare ishin bërë të padurueshme për plakën, por edhe për banorët e këtij vendbanimi. "Nuk kam çka t'u them, por me të vërtetë të mbetesh në pleqëri pa një kulm mbi kokë është e vështirë dhe nuk mund të përshkruhet", u shpreh ajo. Shefkija ankohet për jetën që po bëjnë shumë familje pas lufte. "Lufta ua dogji shtëpitë shumë familjeve, e liria nuk na ndihmoi dhe po nuk pate mundësi vetë të ndërtosh përfundon kështu siç jemi ne", u shpreh ajo. Shefkija thotë se disa herë kanë kërkuar ndihmë në Komunën e Mitrovicës, por kërkesat kanë qenë të kota. "Kot kemi kërkuar të na bëhet një zgjidhje, na thonë se do të bëhet mirë, e unë u plaka dhe, siç po e shoh, nuk po kam shpresë se do të bëhet mirë", ka shpjeguar kjo e moshuar, që ka pasur fatin të ballafaqohet me mungesë të gjithçkaje, por edhe të një kulmi mbi kokë. 

Image

 

E sëmurë nga pleqëria dhe kushtet e rënda

E, derisa ka kujtuar se ka kaluar një periudhë jo të mirë të pasluftës, ajo thotë se për pak kanë shpëtuar nga rrënimi i një barake ku kanë banuar më herët. Ajo edhe sot e kujton se si i është rrëzuar tavani dhe i ka nxënë brenda, thotë se atë ngjarje assesi nuk mund ta harrojë kurrë nga mendja e saj."Nuk mund të harroj, për paksa nuk kemi vdekur të gjithë. Kemi pësuar lëndime, por fati ka dashur që të jemi gjallë", u shpreh ajo. Shefkija thotë se pas këtij rasti një banor që e ka lëshuar barkën iu ka ofruar strehim, por që as strehimi ku ishin tani nuk i plotësonte kushtet minimale.

 

Image

 

Në anën tjetër, e gjithë familja po bënin jetë në një dhomë të vetme, e uji, i cili ishte i përbashkët në një çezme në korridorin e këtij banimi, ishte një gjë e mundimshme për të moshuarën 70- vjeçare. "Unë nuk po mundem për çdo ditë të dal e të marr ujë. Jam e sëmurë dhe pensioni prej 75 eurosh nuk po më del për të blerë barna. Vërtet është një punë  mundimshme që të shkosh dhe të marrësh ujë për çdo ditë tek ajo çezme e përbashkët", është ankuar Shefkija. Por, përveç të moshuarës, e cila mezi po e kalonte jetën në këto kushte të pasluftës, pasi lufta i kishte bërë shkrumb e hi, është edhe vajza e madhe e saj, Miradie Sadiku, e cila ankohet për kushtet në të cilat po jeton nëna e saj dhe vëllai. Ajo lutet që dikush t'u dalë në ndihmë për shkak se, siç thotë ajo, vetë ata nuk kanë mundësi të bëjnë më shumë."Po na dhimben sa herë që po vijmë t'i shohim. Po i shihni kushtet në baraka. Këto janë të vjetruara dhe po u vjen era, sado që banorët po mundohen të mbajnë pastërti. Familjet po heqin keq, këto janë shkatërruar aq shumë, saqë janë bërë të rrezikshme për banorët. Familja ime kanë në shfrytëzim vetëm një dhomë dhe një banjë, e cila është mizore. Me të vërtetë janë keq, kjo familje dhe të tjerat, fëmijë e të moshuar, të cilat janë në kushte tejet të vështira, duke u përballur nga papunësia e deri tek mungesa e një kulmi mbi kokë", tha ndër të tjera ajo.

Image

 

Ndërkohë, derisa kjo familje po bën jetë si mos më keq, ata apelojnë për ndihmë. Sigurimi i një kulmi mbi kokë, por edhe i gjërave më elementare, të cilat shpesh vijnë në pyetje për këtë familje, do të ishin të mirëseardhura, e veçanërisht për të moshuarën 70- vjeçare Shefkijen, e cila nuk ishte edhe në gjendje të mirë shëndetë- sore. Ishin sëmundjet e pleqërisë,por edhe ballafaqimi me mungesë të kushteve që e kishte rrënuar shëndetin e saj. 

(Kosova Sot)