Partia në pushtet, që po shkon drejt shuarjes

  • 05 May 2016 - 17:54
Partia në pushtet, që po shkon drejt shuarjes

Çka po ngjet me degën e Aleancës Kosova e Re në Gjakovë?

Mimoza Kusari-Lila e shfrytëzoi partinë si "trampolinë" për t'u ngjitur në poste udhëheqëse

Aleanca për Kosovë të Re (AKR) e prirë nga Behgjet Pacolli, para disa vitesh ishte futur me mjaft pompozitet në skenën politike kosovare, kurse një ndër mjediset ku kishte gjetur përkrahjen më të madhe, ishte komuna e Gjakovës. Suksesin kjo parti arriti më 2013, kur Mimoza Kusari-Lila u bë kryetare e Komunës, ndërsa në Asamblenë Komunale siguroi 9 vende, aq sa ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK). Asokohe, dega e kësaj partie në këtë Komunë, linte përshtypjen e një subjekti partiak të organizuar mirë. Mirëpo, me kalimin e kohës, kjo përshtypje sa vinte e zbehej. Filloi të krijohet bindja se të gjithë atyre AKR-ja u ka shërbyer vetëm sa të fitojnë postin, dhe më vonë e harruan partinë. Kjo bindje sa vinte e forcohej për t'u dëshmuar përfundimisht ditëve të fundit, kur, kryetarja e Degës së AKR-së në Gjakovë dhe, njëkohësisht, kryetare e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, publikisht pohoi se më nuk është pjesë e strukturave të kësaj partie, duke u deklaruar se do të jetë pjesë e iniciativës për themelimin e një subjekti të ri politik. Pas këtij veprimi të së parës së kësaj partie në Gjakovë, me të drejtë shtrohet dilema se a po shkon dega e AKR-së në këtë Komunë drejt shuarjes. Çuditërisht, për këtë, nuk dëshiron të flasë thuajse askush. Edhe pse mësohet se së bashku me Kusari-Lilen, nga dega e AKR-së janë larguar edhe disa nga bashkëpunëtorët e saj më të afërt, të gjithë ata nuk dëshirojnë të flasin publikisht për këtë, së paku jo për momentin, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Këshilltarët mblidhen gjatë kësaj jave

Në situatë të tillë, nuk dihet se si do të veprojnë 9 këshilltarët komunalë të Gjakovës që janë pjesë të kësaj partie. Tentimi ynë që të mërkurën këtë ta mësojmë nga Luan Shllaku, kryetar i grupit të këshilltarëve të AKR-së në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, nuk pati sukses, pasi, siç mësuam, ai ishte jashtë Kosovës. Heshtjen për këtë çështje e kanë zgjedhur edhe këshilltarët e tjerë të kësaj partie, të cilët, si duket, janë duke pritur një takim që është paralajmëruar se do të mbahet deri në fund të kësaj jave. Por, çuditërisht duket se për heshtje është përcaktuar edhe në selinë qendrore të partisë. Gjatë ditës së mërkurë, disa herë kemi kontaktuar me telefon me zyrën qendrore të AKR-së në Prishtinë, por askush nuk ka treguar gatishmëri që të flasë për këtë çështje. Në ndërkohë, të martën në mbrëmje, në Gjakovë ka qëndruar kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, me ç'rast ai është takuar me disa afaristë të kësaj komune. Edhe vetë Pacolli nuk ka parapëlqyer të flasë për veprimin fundit të zv.presidentes së AKR-së. 

(Kosova Sot)