Bujqësia ende konsiderohet punë e papërshtatshme

  • 05 May 2016 - 19:03
Bujqësia ende konsiderohet punë e papërshtatshme

Gjilani njihet si regjion agro-industrial

Për të stimuluar orientimin e të rinjve në drejtimet bujqësore, Komuna e Gjilanit ka ndarë 17,500 euro për bursa, raporotn Gazeta Kosova Sot

Pavarësisht se shkolla e Teknologjisë dhe Agrobiznesit në Gjilan mund të mburret për kushtet që ka krijuar dhe për më tepër, siç thotë Lars Ranfest, përfaqësues i organizatës daneze "Danida", mund të garojë edhe me shkollën amerikane të bujqësisë në Greqi, nxënësit e këtushëm nuk e preferojnë bujqësinë. Ata vazhdojnë ta shohin bujqësinë si punë fshatarësh dhe si dënim për nxënësit e dobët, të cilët dështojnë të regjistrohen në profilet e tjera. Nga këto arsye, numri i nxënësve në këtë shkollë, është në rënie të vazhdueshme, aq sa "Arbëria" rrezikon të mbyllet në të ardhmen.

Komuna e Gjilanit, prej vitit të kaluar ka ndërmarrë veprime konkrete për të joshur nxënësit që të orientohen në këtë drejtim, sepse bujqësia është perspektiva më e sigurt për regjionin. Gjilani njihet si regjion agroindustrial. Drejtori komunal i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, thotë se Komuna e Gjilanit i ka ndarë 50 bursa për nxënësit e shkëlqyeshëm, të cilët regjistrohen në shkollën e agrobiznesit."Për 25 nxënës që vijnë nga zonat rurale, bursat do të jenë nga 40 euro, ndërsa për 25 të tjerë nga qyteti, lartësia e bursës është 30 euro", ka thënë Ramadani. Shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara për këtë qëllim është 17,500 euro. Përndryshe, ekspertët vlerësojnë se shkolla e Agrobiznesit në Gjilan, është ndër më të mirat në rajon, sepse posedon kushte evropiane të shkollimit teorik dhe praktik.

Bursat pritet të rrisin interesimin për bujqësinë Ekspertët thonë se me drejtimet profesionale, siç është bujqësia, të rinjtë mund të gjejnë më lehtë punë në Kosovë. Agrobiznesi është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit. "Danida" jo rastësisht ishte përcaktuar për të ndërtuar shkollën e bujqësisë në Gjilan. Lars Ranfest (Danida), ka thënë se kishin vërejtur që në shkollat e Kosovës mungonte pjesa praktike e mësimit. "Arbëria" tani ka objekt bashkëkohor, ka tokë bujqësore, ku tashmë janë ngritur sera, pemishte, mini-ferma dhe do të ngrihen edhe të tjera në të ardhmen. Megjithatë, nxënësit nuk e duan bujqësinë, sepse menjëherë iu shkon mendja te shati dhe pajisjet tjera bujqësore. Në vitet e fundit, shkolla ka dështuar t`i formojë paralelet e planifikuara dhe është dashur të mjaftohet me gjysmën e tyre. Gjimnazi e Mjekësia vazhdojnë të mbeten drejtimet më të preferuara nga të rinjtë. Disa të rinj, sidomos ata nga qyteti, thonë se janë të gatshëm të humbin një vit, derisa të regjistrohen në shkollën që duan, por nuk e preferojnë bujqësinë. Megjithatë, me këto masa stimuluese, pritet që disponimi i tyre të ndryshojë në të ardhmen. Problemin e shkollës së Bujqësisë e ka trajtuar disa herë edhe Komiteti i Arsimit, ku janë propozuar edhe zgjidhje të mundshme për rritjen e interesimit të nxënësve. Fehmi Sylejmani (VV) fajin për këtë gjendje të shkollës së bujqësisë e sheh te politikat qendrore, duke thënë se interesimi i fëmijëve për shkollat profesionale, duhet të nxitet më herët. Drejtuesit e shkollës thonë se bujqësia nuk duhet të nënçmohet, sepse është i vetmi sektor që mund ta nxjerrë Kosovën nga kriza ekonomike. 

(Kosova Sot)