Arrest shtëpiak ndaj dy “farmacistëve” nga Prizreni

  • 06 May 2016 - 10:58
Arrest shtëpiak ndaj dy “farmacistëve” nga Prizreni

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake – Departamenti i Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore të Prizrenit, vendosi që ndaj të pandehurve me iniciale A.K. dhe O.K. nga Prizreni, të caktohet masa e arrestit shtëpiak për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike nga neni 262 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, dhe veprës penale në bashkëkryerje prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore të parapara nga neni 266 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

Masa e arrestit shtëpiak do të llogaritet në kohëzgjatje prej tridhjetë ditëve prej datës 04.05.2016 nga ora 14:00 dhe do të zgjasë deri me datën 03.06.2016, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal , se me datë të pavërtetuar e deri me datën 04.05.2016 ku e pandehura me iniciale A.K. si pronare e biznesit privat ,,Ajtene Krasniqi BI,, në Prizren, në bashkëpunim me të pandehurin me iniciale O.K. pa autorizim të nevojshme ligjore kryejnë shërbime farmaceutike dhe aktivitete të tjera mjekësore duke prodhuar barna të dëmshme dhe të palicencuara me qëllim të shitjes, duke e dëmtuar shëndetin e njerëzve.

(Kosova Sot)