Duhet t'u prishet rehatia milionerëve të inkriminuar nga korrupsioni

  • 06 May 2016 - 07:32
Duhet t'u prishet rehatia milionerëve të inkriminuar nga korrupsioni

Pasurimi korruptiv i ka bërë bashkë politikanë, gjyqtarë, prokurorë e policë

Abuzimet me pozitat dhe ligjin nuk ka kush t'i ndalë dhe t'i ndëshkojë 

"Ne as nuk e kemi një ligj të mirëfilltë për hulumtimin e prejardhjes së pasurisë. Politikanët, që kanë bërë pasuri milionëshe, deri tash kanë shumë rehati dhe se askush nuk ua ka prishur atyre rehatinë. Përkundrazi, ata vazhdojnë të zhvatin e të korruptohen, sepse tash për tash çdo gjë e këtij shteti është në dorën e tyre", thotë deputeti Adem Salihaj për gazetën "Kosova Sot" 

Një nga anët e errëta të sistemit të drejtësisë, por edhe shtetit në përgjithësi është pasurimi i shpejtë i disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe politikanëve dhe pushtetarëve, të cilët kanë arritur që të pasurohen thuajse brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, derisa për mënyrën e sigurimit dhe prejardhjes së kësaj pasurie askush nuk ka ndonjë përgjigje të qartë. Ende nuk dihet nëse shteti do të arrijë të zhvillojë një fushatë pastrimi të sistemit nga pasanikët e jashtëligjshëm,që me afera korruptive, duke trafikuar drejtësinë, i kanë stërmbushur xhepat dhe rritur pasurinë e luajtshme e të paluajtshme . Njohësit e kësaj fushe thonë se një përpjekje e tillë deri më tani ka dështuar që të ndodhë dhe këtu, sipas tyre, duhet të miratohen ligjet edhe për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Politologu Leon Duhanaj, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Forca e Diasporës për Atdheun dhe anëtar i Organizatës Politike Fraksion+, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra të cilat as nuk janë imagjinuar më parë se do të mund, siç thotë, t'i bënim ne si shoqëri. Megjithatë, Duhanaj thotë se ato kanë ndodhur dhe po ndodhin çdo ditë lëshime apo vepra të kundërligjshme gjithandej. Por, sipas tij, e keqja është se dukuritë e këqija më të përhapura janë në sektorin publik, ku shumë njerëz janë pasuruar jashtëligjshëm, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në institucione, derisa nënvizon se kjo dukuri është e përhapur në të gjitha institucionet pa përjashtim, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Kodi penal e sanksionon pasurimin e jashtëligjshëm

Sipas Duhanajt, duke qenë dëshmitarë të shumë gjërave të këqija që i kemi brenda shoqërisë, është e nevojshme që ta kuptojmë drejt situatën, pasi nuk janë të gjithë të punësuarit në sistem edhe të korruptuar dhe për fat të mirë ata të cilët janë të korruptuar nuk e bëjnë shumicën. "Por, edhe pastrimi me fshesë nuk është i mundur, pasi fshesa nuk selekton të mirin dhe të keqin. Në këtë kontekst, duhet të investohet gradualisht në profesionalizëm dhe në forca të reja, të cilat në mënyrë graduale do ta pastrojnë oborrin dhe natyrisht që çdo pasuri e paligjshme duhet edhe të konfiskohet, pa marrë parasysh se e kujt është. Kam besim që koha gradualisht do t'i sjellë ndryshimet e duhura në mënyrë që secili të marrë atë që vërtet e meriton", është shprehur Duhanaj. Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu thotë se veprimi i çdokujt që dëshiron ta fitojë pasurinë në mënyrë të paligjshme quhet vepër penale dhe, sipas tij, këtë e sanksionon kodi penal çdo përfitim të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, pra krahas veprës penale që ka bërë detyrohet që edhe t'i konfiskohet pasuria kujtdo qoftë. " Dhe, ne e kemi një agjenci që disa vjet për konfiskimin e pasurisë, por fatkeqë- sisht pra me miliona aso vlera të pasurive të dyshuara, madje edhe për vendime të gjykatave për konfiskim, por nuk punojnë, në fakt nuk i zgjidhin lëndët dhe një numër i madh i tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial janë të pazgjidhura, kështu që agjencia përkundër përpjekjeve maksimale që bën nuk është në gjendje që të disponojë me pasurinë e konfiskuar", theksoi ai.

Mekanizmat institucionalë, joefikasë

Baraliu nënvizon se mekanizmat institucionalë, por edhe Gjyqësori do duhej të ishin më efikas në mënyrë që pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme t'u konfiskohet atyre dhe e njëjta t'i kthehet shtetit, buxhetit të Kosovës, në mënyrë që thjesht, siç thotë ai, të edukohet qytetari që të mos bëjë vepra të tilla. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDKja, Adem Salihaj tha për gazetën "Kosova Sot" se politikanët e korruptuar, të cilët kanë bërë pasuri milionëshe, janë në krye të shtetit të Kosovës, dhe në këtë drejtim Salihaj thotë se ata kanë futur njerëzit e tyre në Polici, Prokurori dhe Gjyqësor, dhe rrjedhimisht, në këtë kontekst, sipas tij, nuk është e afërt as dita kur ata mund të arrestoheshin dhe t'u merrej pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme. " Ne as nuk e kemi një ligj të mirëfilltë për hulumtimin e prejardhjes së pasurisë. Politikanët, që kanë bërë pasuri milionëshe, deri tash kanë shumë rehati dhe se askush nuk ua ka prishur atyre rehatinë. Përkundrazi, ata vazhdojnë të zhvatin e të korruptohen, sepse tash për tash çdo gjë e këtij shteti është në dorën e tyre", ka theksuar Salihaj për gazetën "Kosova Sot".

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj mendon se në këtë drejtim duhet që të miratohen ligjet edhe për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Ajo shton se në këtu fushë janë bërë përpjekje të ndryshme, por që kjo asnjëherë nuk është arritur që të realizohet dhe të bëhet realitet. " Tani, në vazhdim veç duhet që çështja të rregullohet me norma ligjore, në mënyrë që të gjykohen, por edhe të verifikohet mënyra se si janë pasuar ata dhe në fakt nëse haset dhe rezulton se këtë pasuri janë duke e arritur përmes shpërdorimi të detyrës zyrtare, qoftë nëse ai është zyrtar apo kushdo tjetër qeveritar, duhet të gjykohet sipas ligjit, pasi askush nuk është mbi ligjin", ka pohuar Kadriaj. 

(KOSOVA SOT)