Kosova e paguan shtrenjtë liberalizimin dhe FAK-un

  • 06 May 2016 - 07:38
Kosova e paguan shtrenjtë liberalizimin dhe FAK-un

Prapaskenat e kushtëzimeve politike BE-Prishtinë-Beograd

Asociacioni duhet të bëhet, Demarkacioni të ratifikohet 

Opozita dyshon se janë vetë liderët në pushtet që kanë kërkuar një vetëkushtëzim të tillë, ndërsa theksojnë se mbeten në qëndrimet e mëhershme, kategorikisht kundër marrëveshjeve të dëmshme

Qytetarët e Kosovës morën të mërkurën lajmin e mirë për rekomandimin për liberalizimin e vizave, por ana negative e këtij rekomandimi është kushti, sipas të cilit deputetët në këmbim të vendimit final pozitiv nga BE-ja duhet ta bëjnë dhe ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Derisa liderët institucionalë janë lavdëruar me liberalizimin e vizave dhe kanë paralajmëruar edhe shndërrimin e shpejtë të FSK-së në ushtri të Kosovës - FAK, pritet që përsëri nga faktori ndërkombëtar të imponohet dhe një kushtëzim i ri politik për ta mbështetur këtë favor të dytë për shtetin e Kosovës, kërkohet një pazar politik për të marrë mbështetjen e minoriteteve për krijimin FAK-ut për këmbim me garantimin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Subjektet politike në opozitë i konsiderojnë të padrejta këto dy kushtëzime, me dy marrëveshje që kanë nxitur protesta, bojkot, gaz lotsjellës, arrestime."Kushtëzimi i liberalizimit të vizave me kompromisin për rreth 9 mijë hektarë tokë është një pazar tepër i lirë... Unë mendoj që ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, me mënyrën si është përcaktuar tani vija kufitare, nuk duhet të bëhet. Edhe kur është fjala te kompromisi me Listën Serbe që ta votojnë FAK-un, ju e dini qëndrimin tim dhe tonin si opozitë, se në asnjë mënyrë nuk mund të bëjmë kompromise me Serbinë", tha deputeti nga NISMA, Zafir Berisha, për "Kosova Sot", shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Standarde të dyfishta

Kundër këtyre kushtëzimeve politike është deklaruar edhe Lëvizja 'Vetëvendosje'. "Kërkesa që Kosova të zgjidhë Demarkacionin me Malin e Zi, para se çështja e liberalizimit të vizave të shkojë në Parlamentin Evropian, konsiderojmë që është e padrejtë. Kjo ngase një kërkesë të tillë nuk e kanë pasur as Mali i Zi dhe as vendet e tjera të rajonit para se të merrnin liberalizimin e vizave. Kosova nuk e ka të zgjidhur as Demarkacionin me Serbinë, por kjo nuk është përfshirë si kërkesë e Komisionit Evropian, gjë që prapë flet për standarde të dyfishta. Marrëveshja e demarkacionit e datës 26 gusht 2015, për Lëvizjen 'Vetëvendosje' është e papranueshme dhe do të bëjmë të pamundurën që të mos e lejojmë ratifikimin e saj", tha Frashër Krasniqi, sekretari për media dhe komunikim në Lëvizjen 'Vetëvendosje'. Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun i AAK-së dyshon që ky lloj kushtëzimi është një skenar i menduar dhe i vetëkërkuar nga partnerët e shantazhuar Thaçi e Mustafa, sesa që është një "produkt" i vetë zyrtarëve të BE-së dhe si i tillë është i papranueshëm për AAK-në."Natyrisht se qëndrimi ynë nuk ndryshon aspak, sepse është qëndrim i drejtë dhe jo i kalkuluar. Unë shpresoj se demarkacioni do të ketë një zgjidhje përpara se të vijë për ratifikim", tha Nitaj për "Kosova Sot".

 

Pazaret rrezikojnë sovranitetin

Kundër pazareve me territore për liberalizimin e vizave janë edhe ekspertët dhe analistët politikë. Politologu Arsim Haziri thotë se do të ishte gabim i madh i pozitës që të bëjë pazare për njërin dhe kushtin tjetër, ngase kjo mund të cilësohet një lloj tradhtie kombëtare."Jemi të vetëdijshëm që pozita i ka numrat në Kuvend dhe mund të marrë vendime, të cilat mund të konsiderohen jashtë vullnetit qytetar, por duhet ta kenë të qartë se në të njëjtën kohë kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe nuk e kanë vullnetin qytetar që të luajnë e manipulojnë me ndjenjat e tyre, pasi që sipas kodit të procedurës penale herdokur për tradhti kombëtare mund të ndiqen penalisht", tha Haziri. Aq më i rëndë, sipas tij, do të mund të jetë edhe pazari politik për FAK-un."Rasti me FAK-un dhe Asociacionin e Komunave serbe mund të jenë raste të dhimbshme për Kosovën, pasi që koalicioni qeverisës PDK-LDK dhe Lista Serbe kanë një marrëveshje për qeverisje, ku dyshoj se në atë marrëveshje dy partitë, PDK-LDK, i kanë dhanë garanci Listës Serbe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumice serbe, që do ta dëmtojë në substancë shtetësinë, e me theks të veçantë kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës", tha Arsim Haziri.

Kompromiset nuk përjashtohen

Analisti politik, Adlum Ramadani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka pohuar se e vërteta e liberalizimit të vizave qëndron prapa politikave imponuese të Bashkimin Evropian, të cilat me apo pa dashje obliguan Kosovën të ndjekë procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ai nuk e përjashton tani edhe kompromisin për FAK-un me Listën Serbe në këmbim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. "Pazaret e tilla politike kanë qenë dhe do të vazhdojnë ta ndjekin procesin e shtetndërtimit të Kosovës përgjatë rrugë- timit të tij drejt mekanizmave ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe çështjen për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, në këmbim të garantimit të krijimit të Asociacionit të komunave serbe", tha Ramadani për "Kosova Sot". Pazare të dhimbshme dhe të dëmshme do të ndodhin në të dyja rastet edhe sipas analistit politik Faik Krasniqi. "Për krijimin e FAK-ut do të ketë edhe një pazar politik e ky do të jetë garantimi i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse pa votat e serbëve nuk do të mund të krijojmë ushtrinë tonë", u shpreh ai. 

(KOSOVA SOT)