Nënë, duam bukë

  • 06 May 2016 - 16:10
Nënë, duam bukë

Mjerimi në qendër të Prishtinës

Jetë skëterrë në Republikën e oligarkëve

Familja Demaku po jetojnë si mos më keq. Ka tri ditë që ata janë në mungesë të gjerave më elementare. Ganimeten, nënë e katër fëmijëve, e gjetëm me lot në sy. Ajo kishte hallin se fëmijët i kishin shkuar në shkollë të uritur. Krelana, nga uji dhe mielli, ishte ushqim në të gjitha racionet. Edhe mielli ishte në të sosur

Derisa me mijëra euro shpenzohen nga qeveritarët për dreka e darka nëpër restorantet luksoze në vend, dikush nuk ka çfarë të hajë. Ekipi i gazetës "Kosova Sot" po has edhe në familje, të cilët po vuajnë për bukën e gojës. Në një gjendje të tillë e hasëm edhe familjen Demaku, e cila përkohësisht banon në shtëpi të një romi në rrugën "Edmond Hoxha", lagje kjo jo larg sheshit të kryeqendrës që pretendon të bëhet metropol. Nënën e katër fëmijëve e gjetëm me lot në sy, duke mos ditur nga t'ia mbajë, përderisa kishte hallin se fëmijët i kishin shkuar në shkollë pa ngrenë. Kishte tri ditë që në shtëpinë e tyre në të gjitha racionet sillej një tepsi me një ushqim të përgatitur me miell e ujë. "Nuk di nga t'ia nis, por një gjë dua t'ju them se tre fëmijët i kam nisur sot për në shkollë pa ngrenë asgjë. Ka tri ditë që jemi me një krelanë, e që edhe asaj po i vjen fundi. Nuk kam se çka t'u gatuaj. Asgjë nuk kam në shtëpi, ndërsa po më dhemb zemra kur po i shoh se fëmijët po më vuajnë edhe urie. Nuk kam se çka t'u ofroj me ngrenë , nuk kam as gjërat elementare, kurse burri është nisur për të mbledhur hekurishte dhe për të sjellë ndonjë bukë në shtëpi. Vërtet po heqim edhe urie", tha kjo nënë e përvuajtur, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Lufta i bëri shkrumb e hi

Përveç gjërave ushqimore që prindërit nuk po arrinin, t'ua siguronin fëmijëve, si të papunë dhe të sëmurë që ishin, në familje kishte edhe shumë zbrazëtira të tjera,deri tek mungesa e një kulmi mbi kokë. Ata po bënin jetë në shtëpi të një romi tash e një kohë, ndërsa si të pastrehë pothuajse për shumë vjet, ata kishin bredhur nga një shtëpi, në një shtëpi tjetër. "Punën keq e kemi edhe me mungesë të një kulmi mbi kokë, erdhëm këtu nga paslufta se lufta në Drenicë na bëri shkrumb e hi,por as këtu nuk gjetëm të mirën. Jemi bërë nevojtarë edhe për një bukë. Shteti nuk po të ofron mundësi as për punë, ndërsa privatët po i marrin në punë familjarët e tyre", u shpreh Ganimetja, e cila vuan nga gurët në idhëz. Ajo thotë se nuk ka para që t'i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik. Edhe bashkëshorti i saj Naimi është gjithashtu i sëmurë dhe ka nevojë për ndihmë mjekësore, por që dhe ai në mungesë të mjeteve nuk po arrin të vizitohet te mjeku."Ndoshta një euro ndonjëherë i bëjmë diqysh,por po duhen jo fotografimet, jo barnat, terapitë dhe nuk po përfundon gjithçka vetëm me një kontroll te mjeku që kushton një euro", tha ajo.

Më së vështiri, rritja e fëmijëve

Ganimetja pohon gjithashtu se nuk ka hallin e sëmundjes së saj, por më së vështiri e ka kur fëmijët i kërkojnë bukë dhe është e detyruar t'u tregoj se nuk ka . "Kjo po ma thyen shpirtin çdo ditë. Ndërsa, ka edhe shumë kërkesa të tyre si nxënës të cilat asnjëra nuk iu realizohet. Vërtet është tmerr për një nënë kur ndodhet para kërkesave të fëmijëve dhe nuk arrin t'ia plotësojë dëshirat dhe ata i sheh nganjëherë edhe me lot ne sy", u shpreh Ganimetja. E ndodhur në një siklet, nga ditët e fundit kur ajo dhe familja po përballen edhe me urinë, ajo lutet te bamirësit që t'i dalin në ndihmë për sigurimin e një kafshate të bukës. "Me pas mundësi veç mos m'i lanë me heq edhe për bukë, sepse për të tjerat vijnë në rend të dytë", tha ajo. Ndërsa, përveç nënës së tyre, e cila na rrëfeu për të gjitha mungesat, e veçanërisht edhe të ushqimit, edhe djali i vogël Shqipëroni gjashtëvjeçar apelonte për bukë. "Duam të na ndihmoj dikush për të siguruar bukë. Nuk po kemi çka të hamë. Jemi pa asgjë në shtëpi", tha ai me buzë në vaj, përderisa kishte dalë në oborr për t'u shoqëruar me fëmijë të tjerë të lagjes, e që në fakt ua kishte lakmi fëmijëve të tjerë."Përveç bukës, dua edhe rroba të reja, sepse dua të shkoj në shkollë. Dua rroba, sikurse të shokëve të mi", tha ai.

(Kosova Sot)