Shqiptarët nuk fitojnë asgjë nga pjesëmarrja në luftërat e huaja

  • 06 May 2016 - 19:16
Shqiptarët nuk fitojnë asgjë nga pjesëmarrja në luftërat e huaja

Gjilani njihet tradicionalisht për tolerancë të theksuar ndërfetare.

Të rinjtë duhet të mbrohen nga grupet ekstreme, të cilat keqpërdorin fenë për t`i joshur ata që të marrin pjesë në luftërat që përfitojnë grupe të caktuara, raporton Gazeta Kosova Sot

As Gjilani nuk ka ngelur pa u përfshirë në luftërat e huaja, përmes qytetarëve të tij. Për fat të keq, disa prej tyre edhe janë vrarë në Siri ose Irak. Muajt e fundit, fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë rast të ri që dikush tjetër të ketë marrë këtë rrugë. Pos institucioneve, edhe autoritetet politike e fetare në Gjilan disa herë kanë bërë thirrje tek të rinjtë dhe familjet e tyre që të jenë të kujdesshëm nga rrymat ekstreme. Sekretari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Agim Hyseni, thotë se BIKu, përmes imamëve, është angazhuar nëpër xhami, për të sqaruar besimtarët se lufta në Siri dhe Irak, nuk është luftë për xhihad, por është luftë në të cilën përfitojnë grupe të caktuara dhe assesi qytetari i Gjilanit dhe i Kosovës. Ai ka kërkuar që të punohet edhe më me ngulm në këtë drejtim, që nga niveli primar i shkollimit e deri tek rastet e rekrutimit të të rinjve, të cilët mashtrohen nga grupe të ndryshme që duan të përfitojnë financiarisht për vete. Në Gjilan ka pasur edhe debate, ku është diskutuar ky fenomen. Së fundi, një debat të tillë e ka organizuar "Partners Kosova - Qendra për Menaxhimin e Konflikteve" nga Prishtina, ku kanë marrë pjesë drejtues të arsimit, përfaqësues të Policisë së Kosovës, të Bashkësisë Islame, përfaqësues nga Qendra për parandalim të terrorizmit, drejtorë dhe nxënës të disa shkollave dhe të tjerë. Në mbrojtje të kombit duhet të përfshihemi të gjithë Pjesëmarrësit kanë diskutuar lidhur me rrezikun e përfshirjes së të rinjve në grupe, të cilët kanë për qëllim t`iu bashkëngjiten luftërave në shtetet e lindjes

. Me këtë rast, drejtori i arsimit, Nazmi Musa, ka thënë se falë angazhimeve të përbashkëta të të gjitha institucioneve në nivelin lokal, për më shumë se gjashtë muaj, nuk ka pasur asnjë rast që ndonjë person nga kjo komunë të ketë shkuar në luftërat e Sirisë dhe Irakut dhe për më shumë se dy vjet nuk ka pasur raste të vrasjeve, si pasojë e akteve kriminale në Gjilan."Falë angazhimit të përbashkët të të gjitha institucioneve të këtushme, sot kemi një komunë ndër më të sigurtat në nivel vendi", ka thënë Musa. Megjithatë, ai ka shtuar se është i nevojshëm dërgimi i një mesazhi të qartë tek të gjithë të rinjtë dhe qytetarët, për t`ua bërë me dije atyre se pjesëmarrja në luftërat e shteteve të lindjes është e dobishme vetëm për grupet kriminale dhe terroriste, të cilat përfitojnë nga këto luftëra dhe assesi për qytetarët e Kosovës. Musa ka kërkuar të punohet më shumë në parandalim. "Parandalimi mund të bëhet vetëm atëherë kur të gjithë përfshihemi në mbrojtje të shtetit, të kombit dhe religjionit njëkohësisht", ka thënë Musa, duke potencuar nevojën e organizimit të debateve edhe brenda shkollave.

Policia i jep përparësi zbulimit të hershëm Kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka thënë se islami është shfrytëzuar nga persona të caktuar për të nxitur shkuarjen e të rinjve tanë në luftërat e shteteve të lindjes."Për fat të keq, islami është shfrytëzuar negativisht nga individë të caktuar, jashtë BI-së, për të nxitur të rinjtë që të shkojnë në luftërat e shteteve të lindjes", ka thënë ai. Aliu ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithëve në parandalimin e shtrirjes së kësaj fryme negative tek rinia jonë. Kreu i BI-së në Gjilan, Naim Aliu, ka cituar edhe një shprehje kuranore, që thotë: 'Ai i cili mbyt një njeri është njëjtë sikur të gjithë njerëzit në botë t`i ketë mbytur, kurse ai i cili shpëton një njeri, është sikur ta ketë shpë- tuar gjithë njerëzimin'. "Nëse punojmë sipas asaj që thuhet në librin e shenjtë, duke mos shtrembëruar asgjë, atëherë nuk do të kemi asnjë problem në këtë drejtim", ka thënë Aliu. Kurse, komandanti i Stacionit policor në Gjilan, majori Remzi Azemi, ka thënë se Policia e Kosovës është duke punuar në vazhdimësi në zbulimin e hershëm të rasteve, sepse shumë më lehtë është të mbahet këtu një person, i cili ka nisur të ketë kontakte me rekrutues, sesa kthimi dhe rehabilitimi i tij në shoqëri dhe në jetë, përgjithësisht, pasi ai person të jetë bashkuar me grupet terroriste. Ndryshe, Gjilani njihet tradicionalisht për tolerancë të theksuar ndërfetare dhe nuk mbahet në mend që ndonjëherë të ketë pas konflikte mes religjioneve në këtë komunë. 

(Ksoova Sot)