LDK mohon uzurpimin, sulmon Agron Demin

  • 06 May 2016 - 19:42
LDK mohon uzurpimin, sulmon Agron Demin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj një deklaratë të Agron Demit, drejtues i Institutit GAP, se LDK, PDK dhe AAK kanë uzurpuar pronat në të cilat kanë zyrat qendrore.

LDK ka sulmuar Demin duke thënë se ai është bërë zëdhënës joformal i një partie politike.

“LDK-ja sqaron opinionin se kjo është një shpifje e radhës e z. Demi, i cili është shndërruar në zëdhënës joformal të një subjekti politik.  Z. Demi, ka dëmtuar rëndë edhe imazhin e Institutit GAP, duke e vënë atë në shërbim të plotë të krerëve të kryeqytetit, familjarët e të cilëve, punojnë në këtë institut”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

“Andaj, zoti Demi, duhet të heq dorë nga akuzat e rrejshme si dhe keqpërdorimi i Institutit GAP dhe pozitës së respektuar të këtij Instituti në shoqërinë civile kosovare, për realizimin e synimeve të tij meskine politike”.

Pas aksionit të sotëm të Prokurorisë së Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për t’i liruar objektet e uzurpuara pas luftës në Kosovë, Agron Demi nga Instituti për hulumtime të avancuara GAP ka thënë se vet partitë politike PDK, LDK dhe AAK janë në objekte të uzurpuara.

“Uzurpimi ka fillu atë ditë që ka përfundu lufta për çlirim. Kot mundohen me hedh hi syve me deklarata për respektim të ligjit kryetarët e partive, kur zyret qendrore të PDK, LDK e AAK janë në objekte të uzurpuara”, ka shkruar Demi në Facebook.

(Kosova Sot)