Historia e tenisit

  • 23 June 2017 - 16:16
Historia e tenisit

Disa njerëz besojnë se egjiptianët, grekët dhe romakët e lashtë kanë luajtur versione të ndryshme të tenisit. Nuk është zbuluar përshkrimi i ndonjë loje të ngjashme me tenisin, por disa fjalë të pakta arabe që datojnë që nga kohët e Egjiptit të lashtë përmenden si dëshmi të pohimeve të tilla. Sipas kësaj teorie, emri “tenis” rrjedh nga emri i qytetit egjiptian Tinis, që gjendet përbri lumit Nil, kurse emri “reket” e ka prejardhjen nga fjala arabe për palmën e dorës (freskuesen) – “rahat”.

Përpos këtyre dy fjalëve, nuk ka dëshmi të tjera se tenisi është luajtur edhe para 1 000 vjetësh, prandaj shumica e historianëve pajtohen se origjina e këtij sporti duhet të kërkohet në shekullin XI ose XII, kur filloi të praktikohej nga murgjit francezë. Kjo lojë filloi me emrin “jeu de paume”, gjë që d.m.th. “lojë e dorës”. Ata që nuk e pranojnë një origjinë më të vjetër të kësaj loje, thonë se fjala “tenis” e ka prejardhjen nga fjala frënge “tenez”, që d.m.th. “merre këtë”, fjalë që ia thoshte njëri lojtar tjetrit, kur e bënte servimin.

Kur loja filloi që të bëhej më e popullarizuar, filloi që të luhej edhe në ambiente të mbyllura. Topat e gomës ende nuk ekzistonin, prandaj topi i tenisit ishte një përzierje e flokëve, leshit të deles, apo edhe ndonjë tape, ku më vonë një top i tillë filloi të qepej me dorë.

Fisnikët e kishin mësuar këtë lojë nga murgjit, ndërkaq disa njoftime flasin për atë se në shekullin XIII, në Francë, kishte 1 800 fusha tenisi. Sporti i tenisit u bë aq i popullarizuar, sa përpjekjet e papës dhe mbretit Lui IV për ta ndaluar atë, u treguan të pasuksesshme. Tenisi shumë shpejt u përhap edhe në Angli, ku u përkrah shumë nga mbretërit Henri VII dhe Henri VIII, të cilët promovuan ndërtimin e shumë fushave të tenisit.

Rreth vitit 1500 filloi që të përdorej një reket me kornizë druri dhe i përbërë nga zorrët e deleve. Fushat e atëhershme të tenisit ishin të ndryshme nga këto të sotmet. Loja e vjetër e tenisit u transformua gjatë viteve në atë që sot quhet “tenis i vërtetë”, ku fusha angleze e tenisit “Hampton Court”, e ndërtuar në vitin 1625, vazhdon të shfrytëzohet edhe sot e kësaj dite. Kjo fushë është me të vërtetë e çuditshme. Rrjeta e ka një lartësi më të madhe në të dyja skajet e saj, derisa mesi e ka një lartësi më të vogël. Popullariteti i lojës filloi të binte gjatë shekullit XVIII, por në vitin 1850, Çarls Gudjer e zbuloi procesin e vullkanizimit të gomës, kështu lojtarët filluan të eksperimentonin me topa të gomës, duke luajtur jashtë, në ambient të hapur. Loja në ambient të hapur natyrisht ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që zhvillohej brenda, prandaj edhe u formuluan disa rregulla të tjera.

Në vitin 1874, kryetari i Londrës, Uolter C. Uingfild, i patentoi pajisjet dhe rregullat e tenisit, të cilat janë shumë të ngjashme me ato të sotmet. Në të njëjtin vit u paraqitën fushat e para të tenisit edhe në SHBA. Një vit më vonë, pajisjet e tenisit filluan të shiteshin me të madhe edhe në Rusi, Indi, Kanada dhe Kinë.

Asokohe ishte i popullarizuar edhe sporti kriket, ndërkaq terrenet e lëmuara të këtij sporti ishin shumë të përshtatshëm si fusha tenisi. Fusha origjinale e tenisit, e Uingfildit, e kishte formën e orës së rërës, më e ngushtë në pjesën e rrjetit dhe ishte paksa më e shkurtër sesa fusha e sotme. Rregullat e tij u kritikuan nga shumë njerëz, prandaj ai i ndryshoi ato në vitin 1875, duke ua lënë të tjerëve zhvillimin e mëtejshëm të lojës.

Në vitin 1877, klubi “All England” e mbajti turneun e parë të Uimbëlldonit, ndërkaq komiteti i këtij turneu propozoi një fushë drejtkëndore dhe u vendosën rregullat, të cilat i njohim të gjithë ne. Por, rrjeta vazhdonte të ishte më e lartë në skaje, kështu që në vitin 1882 u bënë edhe ndryshimet e fundit, për të arritur deri te forma dhe rregullat që janë edhe sot. 

(Kosova Sot)