Përhapja globale e futbollit

  • 21 August 2017 - 15:28
Përhapja globale e futbollit

Ndryshime të mëdha nuk pati deri në fillim të shekullit XIX, kur futbolli u bë i zakonshëm në shkolla, sidomos në shkollat e famshme publike. Kjo ishte pika kryesore e kthesës. Në një ambient të ri, ishte e mundshme që të bëheshin përmirësime dhe shpikje të reja në lidhje me këtë lojë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Rregullat ende ishin të lehta dhe jo strikte, por loja nuk kishte formë standarde. Në fakt, secila shkollë e kishte formën dhe mënyrën e saj të lojës, të cilat në fillim dallonin shumë ndërmjet veti. Por, për shkak të terrenit më të vogël nuk kishte më vend për futbollin e ashpër dhe të vrazhdët. Filluan që të përdoreshin më shumë mjeshtëritë e lojës, dredhitë e mashtrimit të kundërshtarit.

Gjatë shekullit XIX, gradualisht erdhi duke u ndryshuar qëndrimi ndaj futbollit. Autoritetet edukative vërejtën se kjo lojë zhvillon ndjenja dhe kualitete të larta, sikur që është besnikëria, jo-egoizmi, bashkëpunimi, koordinimi dhe shpirti ekipor. Lojërat u bënë pjesë përbërëse e programeve të shkollave, kurse pjesëmarrja në futboll u bë e detyrueshme. Dr. Tomas Arnold, kreu i Shkollës së Ragbisë, bëri përmirësime shtesë në këtë drejtim, kështu që në vitin 1846, për herë të parë, u caktuan rregullat standarde për një lojë të organizuar.

Rregullat e para ishin të ashpra dhe të ndryshme nga ato të sotmet: p.sh. lejohej goditja e kundërshtarëve në pjesën e poshtme të këmbëve, lejohej kapja e topit me duar etj.

Disa shkolla të tjera, sikur p.sh. “Eton”, “Harrow” dhe “Winchester”, e refuzuan këtë formë të lojës dhe i dhanë përparësi goditjes së topit me këmbë. Përfundimisht, në vitin 1863, në Universitetin e Kembrixhit, filluan të krijohen rregullat e lojës së futbollit, të ngjashme me ato që janë sot. Me këtë rast u themelua edhe Shoqata e Futbollit. Më 8 dhjetor të vitit 1863, futbolli dhe ragbi u ndanë përfundimisht. Ndarja e tyre u bë e pakthyeshme, kur pas gjashtë vjetësh, në futboll u ndalua prekja e topit me dorë.

Pas Britanisë, futbolli filloi të përhapej në Holandë dhe Danimarkë, më pas në Zelandë të Re dhe Argjentinë, Kil, Hungari etj.

Në maj të vitit 1904, u formua FIFA (Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Futbollit), me shtatë vende themeluese: Franca, Belgjika, Danimarka, Holanda, Spanja, Suedia dhe Zvicra. 

(Kosova Sot)