Pse gjinkallat dalin në çdo 17 vjet?

  • 27 October 2017 - 17:41
 Pse gjinkallat dalin në çdo 17 vjet?

Ekzistojnë rreth 2 500 lloje gjinkallash në botë. Pjesa më e madhe e tyre dalin nga strehimet e tyre të nëndheshme çdo vit, por gjashtë lloje gjinkallash bëjnë përjashtim. Të quajtura magjike, këto gjinkalla e kanë cikël jetësor prej 13 ose 17 vjetësh, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Gati tërë jetën e tyre të gjatë këto gjinkalla e kalojnë nën tokë, si gjinkalla të papjekura. Rreth një muaj para se të ngordhin, këto gjinkalla dalin të gjitha bashkërisht mbi tokë, në të njëjtën kohë. Disa herë dalin me miliona gjinkalla përnjëherë. Me këtë rast, ato e arrijnë moshën e pjekurisë, çiftëzohen dhe ngordhin. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër të pjekurisë, vendbanimi i tyre i heshtur shndërrohet në një çerdhe insektesh zhurmëmëdha.

Për t’u përgjigjur pse këto gjinkalla kalojnë një kohë të gjatë nën dhe duhet të kthehemi në të kaluarën. Kur këto specie gjinkallash u paraqitën për herë të parë në Tokë, ato e evitonin rrezikun nga kafshët e tjera, duke qëndruar nën tokë gjithnjë e më shumë, derisa grabitqarët nuk mund të vareshin më nga to si burim i ushqimit. Meqë gjinkallat nuk kanë therës apo helm, qëndrimi i tyre nën tokë është një taktikë e mirë mbrojtëse. Dalja përnjëherë, në një numër të madh, po ashtu u ofron atyre një lloj sigurie. Megjithatë, ka ende shumë sekrete rreth jetës së gjinkallave.

(Kosova Sot)