Çfarë krijesash janë peshkaqenët?

  • 29 October 2017 - 10:39
Çfarë krijesash janë peshkaqenët?

Peshkaqenët mund të gjenden në të gjitha oqeanet e botës. Për shumicën e njerëzve, ekziston vetëm një lloj peshkaqenësh: peshkaqeni i bardhë njeringrënës, i parë në filmin “Jaws”. Njerëzit mendojnë se peshkaqenët janë grabitqarë të pamëshirshëm, të cilët sulmojnë gjithçka që u vjen ndoresh.

Ndonjëherë mendohet se peshkaqenët janë krijesa primitive, meqë ekzistojnë me miliona vjet. Në të vërtetë, peshkaqenët janë krijesa shumë inteligjente. Kanë një shqisë të jashtëzakonshme të nuhatjes dhe dëgjimit, si dhe një shikim të mirë në kushte të dritës së pakët.

Shqisa e tyre e të nuhaturit është aq e zhvilluar, sa që janë në gjendje ta hetojnë një pikë gjak të përzier me miliona litra ujë! Po ashtu, me anë të shqisës së tyre të dëgjimit, ata janë në gjendje ta dëgjojnë peshkun duke lëvizur mbi dy kilometra larg. Peshkaqenët nuk kanë veshë të jashtëm. Ata dëgjojnë me anë të qindra poreve që gjenden anash trupit të tyre, të cilat janë tepër të ndjeshme ndaj lëvizjeve të valëve, ndryshimeve të presionit dhe dridhjeve në ujë.

Ekzistojnë rreth 350 lloje të peshkaqenëve, ku që të gjitha llojet janë peshq pa eshtra. Skeleti i tyre përbëhet nga kërci, apo indi elastik. Lëkura e tyre është e ashpër, si letër grithëse, prandaj nëse vjen deri te fërkimi i saj me lëkurën e njeriut, e rrjep këtë të fundit pa problem.

Peshkaqenët kanë dhëmbë të mprehtë në formë trekëndëshi, të cilët vazhdojnë të dalin gjatë tërë jetës.

Përpos në rrethana të veçanta, peshkaqenët rrallë i sulmojnë njerëzit. Pjesa më e madhe e sulmeve shkaktohen nga afrimi i tepërt i njerëzve, apo nëse peshkaqeni kërcënohet dhe ndihet i rrezikuar. Vetëm katër lloje të peshkaqenëve konsiderohen të rrezikshëm për njerëz: peshkaqeni i bardhë i madh, i ashtuquajturi peshkaqeni tigër, peshkaqeni dem dhe peshkaqeni me bisht të bardhë.
Disa peshkaqenë bëjnë vezë, kurse të tjerët shumohen duke lindur të vegjlit e tyre. Shtatzënësia mund të zgjasë deri në 20 muaj, kurse ka lloje të peshkaqenëve femra, që me një lindje, lindin deri në 135 të vegjël.
Peshkaqenët e luajnë një rol të rëndësishëm në zinxhirin ushqimor të oqeaneve, por ata janë të rrezikuar nga njerëzit, të cilët i vrasin ata për shkak të mëlçisë së dhjamosur, lëkurës, dhëmbëve, mishit, apo mbyten thjesht për shkak se konsiderohen të rrezikshëm. Si njerëz që jemi, duhet ta dimë se kemi një përgjegjësi të madhe për sjelljen tonë, meqë nëse veprojmë pa menduar mirë, mund të kemi pasoja të mëdha.

(Kosova Sot)