Njerëzit e parë modernë

  • 13 November 2017 - 15:24
Njerëzit e parë modernë

Njerëzit homo sapiens (njerëzit modernë) së pari u paraqitën rreth viteve 200,000 dhe 100,000 para erës së re. Në aspektin fizik, ata ishin sikur njerëzit e sotshëm dhe kishin të njëjtat aftësi mendore. Me kalimin e kohës, arritën që të bëjnë mjete dhe vegla më të përsosura.

 Ku jetonin njerëzit e parë?

Pjesa më e madhe e arkeologëve mendojnë se njerëzit homo sapiens  së pari kishin jetuar në Afrikë, dhe se paraardhësi ynë direkt është njeriu homo habilis, i cili evoluoi para rreth 2.5 milionë vjetësh. Por, disa mendojnë se paraardhësi ynë është homo ergaster (“njeriu punëtor”), i cili u paraqit para rreth 1.9 milionë vjetësh dhe u përhap në pjesë të ndryshme të botës.

Kush ishin neandertalët dhe pse u zhdukën ata?

Sikur edhe ne, neandertalët janë nënlloje të homo sapiensit. Ata kanë jetuar në Evropë dhe Azi nga viti 130.000 para erës së re deri në 28.000 para erës së re. Përhapja e njerëzve modernë mund të jetë shkak i zhdukjes së tyre.

Neandertalët kanë pasur tru më të madh sesa që kemi ne sot, por ata më shumë bazoheshin në fuqinë e trupit, sesa në atë të mendjes.

Njerëzit e parë modernë ishin të gjatë dhe kishin eshtra më të hollë, ballë të gjerë dhe fulqi të vogla. Muskujt e tyre nuk ishin aq të theksuar, sikur te neandertalët dhe aftësia e shikimit të tyre ishte më e vogël.

 Si u përhapën njerëzit modernë në pjesët e tjera të botës?

Grupe bredhësish të njerëzve modernë dolën jashtë Afrikës, në kërkim të ushqimit, gjë që ndodhi rreth vitit 125.000 para erës së re. Ata u shpërndanë në kontinentet e tjera me anë të urave tokësore, pjesëve të shtratit të detit që kishin mbetur pa ujë, për shkak të ngrirjes së ujit gjatë epokës së fundit të akullit (rreth viteve 70.000 dhe 10.000 para erës së re). Deri në vitin 28.000 para erës së re, ata kishin zëvendësuar të gjitha llojet e hershme të njerëzve, duke përfshirë edhe kushërinjtë e tyre të afërt, neandertalët.

Guri i strallit

Njerëzit e hershëm modernë përdornin gurët e strallit, për të bërë vegla dhe armë të ndryshme. Banorët vendas të Australisë, aborigjenët – edhe sot e kësaj dite përdorin këtë metodë.

 Çfarë veglash përdornin njerëzit e parë?

Njerëzit e parë përdornin pesë lloje elementare të veglave: thikat për të prerë, gërryesit për të hequr mishin nga eshtrat, latën për të latuar, veglat me majë për të bërë vrima dhe majat për t’i ngjitur në shtiza.

Në fund të verës dhe gjatë vjeshtës, fëmijët dhe gratë mblidhnin sasi të mëdha të pemëve, duke i terur ato mbi zjarr, për t’i ruajtur për dimër.

 Aborigjenët

Aborigjenët, siç quhen australianët vendas, ishin njerëzit e vetëm që jetonin në këtë kontinent, para se të shkonin të bardhët. Deri në shekullin XX, aborigjenët bënin një jetë primitive, të ngjashme me atë të njerëzve të parë. Aftësitë e tyre ndihmuan arkeologët që ta kuptojnë më mirë të kaluarën tonë të largët.

Si mbijetuan aborigjenët?

Në vitin 10.000 para erës së re, niveli i deteve përreth Australisë u rrit, kështu që aborigjenët u detyruan që të shkojnë më në brendësi të kontinentit, ku kushtet për jetesë ishin më të vështira. Ata mbijetuan duke u ushqyer me bimë, peshq, si dhe duke gjuajtur kangurë me anë të bumerangëve (lloj arme).

(Kosova Sot)