Babadimri është duke ardhur në qytet - OK KIDS - Kosova Sot
Babadimri është duke ardhur në qytet

Babadimri është duke ardhur në qytet

Babadimri, i njohur edhe si Plaku i Kërshëndellave, apo në anglisht Santa Claus, është një figurë me aspekte legjendare, historike dhe folklorike, i cili në shumë kultura perëndimore thuhet se sjell dhurata në shtëpitë e fëmijëve të mirë gjatë natës së Kërshëndellave, më 24 dhjetor. Babadimri e ka prejardhjen nga kultura holandeze, respektivisht nga personazhi Sinterklaas, i cili mund ta ketë origjinën nga Shën Nikolla (apo Shën Kolli). Një tregim gati i njëjtë i folklorit grek dhe bizantin i atribuohet Bazilit nga Cesarea. Festa e Bazilit më 1 janar në Greqi është dita kur këmbehen dhuratat, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Babadimri zakonisht paraqitet si një plak i shëndetshëm, gazmor, me mjekër të bardhë, i cili e ka veshur një pallto të kuqe me jakë të bardhë dhe me pantallona të kuq, me vijë të bardhë. Ai e ka edhe një rrip të zi të lëkurës në bel, si dhe një palë çizme të tilla në këmbë. Kjo pamje u bë e zakonshme në SHBA dhe në Kanada, në shekullin XIX, kryesisht si rezultat i vizatimeve të karikaturistit Tomas Nast. Kjo pamje është mbështetur më pas edhe nga shumë këngë, nga radioja, TV-ja, librat dhe filmat për fëmijë.

Gjykuar sipas një tradite, e cila mund t’i ketë rrënjët që në vitet 1820, Santa Claus jeton në Polin e Veriut, me një numër të madh të shkurtabiqëve magjikë dhe nëntë drerë fluturues. Që nga shekulli XX, në një ide të bërë të famshme nga kënga e vitit 1934 “Santa Claus Is Coming to Town” (Babadimri është duke ardhur në qytet), Santa Claus besohet se e bën një listë me dëshirat e fëmijëve të mbarë botës, duke i kategorizuar ata në bazë të sjelljes (“të këqij” apo “të mirë”), e më pas u dërgon dhurata, duke përfshirë edhe lodrat, të gjithë djemve dhe vajzave të mira në botë, e ndonjëherë u sjell copa qymyri fëmijëve të këqij, në natën e Kërshëndellave. Ai e bën tërë këtë punë falë ndihmës së shkurtabiqëve, të cilët i përgatitin dhuratat në punëtorinë e tyre dhe falë ndihmës së drerëve, të cilët e tërheqin sajën e tij. 

(Kosova Sot)

23 orë e 49 minuta më parë
16/07/18