Kur do të derdhen oqeanet? - OK KIDS - Kosova Sot
Kur do të derdhen oqeanet?

Kur do të derdhen oqeanet?

Provojeni këtë. Mbylleni vrimën e lavamanit dhe lëshojeni ujin që të rrjedhë. Do të shihni se pasi që të mbushet lavamani, uji do të fillojë të dalë jashtë. Natyrisht, ju duhet ta ndalni ujin para se ai të dalë. Qëllimi ynë është që të ju mësojmë se edhe oqeanet janë enë të mëdha të ujit, të cilat nëse mbushen me sasi të tepërta të ujit, mund të derdhen jashtë. Shtrohet pyetja nëse d.m.th. kjo që edhe oqeanet do të fillojnë të na vërshojnë së shpejti?

Përgjigjja është jo. Mos u frikësoni. Përkundër reshjeve dhe derdhjeve të mëdha të ujit në oqeane, ato kurrë nuk do të vërshojnë. Arsyeja ka të bëjë me sistemin e qarkullimit të ujit, i cili njihet edhe me emrin - cikli hidrologjik, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Toka quhet edhe “planeti i ujit”, për shkak se 70 për qind e sipërfaqes së saj është e mbuluar me ujë. Kjo sipërfaqe është sa tetë herë sipërfaqja e Tokës. Sasia e ujit që gjendet në planetin tonë as nuk shtohet, e as nuk pakësohet, për shkak se është në lëvizje të përhershme, duke qarkulluar në oqeane, ajër, tokë, duke u kthyer përsëri në oqeane.

Oqeanet e përmbajnë sasinë kryesore të ujit - 97,2 për qind. Akullnajat, uji i burimeve dhe lumenjve, uji i atmosferës, liqeneve, së bashku përbëjnë më pak se 3 për qind të sasisë së përgjithshme të ujit në planetin Tokë.

Cikli i qarkullimit të ujit fillon falë nxehtësisë së diellit, i cili ndikon në avullimin e ujit nga oqeanet, lumenjtë dhe nga toka. Transpiracioni është një proces, nëpërmjet të cilit bimët e marrin ujin me anë të rrënjëve dhe e lirojnë me anë të gjetheve. Avulli i ujit më pas kondensohet në ajër, duke formuar shi, ose borë, me ç’rast 75 për qind e të reshurave bien në oqeane. Sasia e mbetur bie në tokë, në lumenj dhe në liqene.

Për këtë shkak, oqeaneve kurrë nuk u rrezikohet mbushja e tepërt dhe derdhja. 

(Kosova Sot)

23 orë e 43 minuta më parë
15/10/18