Fakte interesante për “Coca Cola”-n​

  • 01 January 2018 - 13:12
Fakte interesante për “Coca Cola”-n​

Para se të ekzistonin pijet dietale dhe uji në shishe, ka ekzistuar “Coca-Cola”. E shpikur në fund të Luftës Civile në Amerikë, “Coca-Cola” është fryt i punës së dr. Xhon Stith Pemberton, një farmacist i Atlantës, i cili e prodhoi këtë shurup me ngjyrë karameleje - bazën e “Coca-Cola”-s në oborrin e tij, në vitin 1886. Farmacisti lokal i Pembertonit e përziente ujin e thartë me këtë shurup dhe e shiste për 5 centë gotën.

Bashkëpunëtori i Pembertonit, Frank M. Robinson, sugjeroi emrin “Coca-Cola”, për shkak se mendonte që dy “C”-ja do ta bënin këtë emër të përshtatshëm për reklamim. Në vitin 1893, emri “Coca-Cola” u regjistrua në Zyrën e Patentave të SHBA-ve.

Edhe pse kjo kompani i ndërroi pronarët disa herë, progresi i “Coca-Cola”-s nuk u ndalua. Në vitin 1894, fabrika e parë për prodhimin e shurupit të “Coca-Cola”-s u hap në Dallas, Teksas dhe deri në vitin 1897 u arrit që “Coca-Cola” të pihej në secilin shtet dhe territor të SHBA-ve. Sot, më shumë se njëqind milionë “Coca-Cola” pihen çdo ditë në 185 vende të botës.

Përkundër popullaritetit të kësaj pijeje, “Coca-Cola” dhe pijet tjera të ngjashme u gjetën nën një sulm të ashpër nga prindërit, për shkak të brengës rreth shprehive ushqimore. Edhe pse të shijshme, pijet e tilla nuk i ofrojnë përbërësit e nevojshëm ushqyes për rritjen e fëmijëve dhe për zhvillimin e të rriturve. 

(Kosova Sot)