Fakte interesante për gazetat

  • 27 February 2018 - 09:33
Fakte interesante për gazetat

Për një kohë të gjatë gazetat kanë qenë mundësia e vetme e informimit në mbarë botën. Reporterët mblidhnin informacione nga burimet dhe kontaktet e tyre dhe i publikonin në mënyrë që komuniteti t'i lexonte. Natyrisht, atëbotë nevojiteshin javë e ndoshta edhe muaj që lajmi të mbërrinte deri tek individi, përcjellin Gazeta Kosova Sot.

Sot, përkundër përparimit të teknologjisë, që mundësojnë shpërndarjen e shpejtë të lajmit, gazetat vazhdojnë të jenë një burim i vlefshëm i informacionit. Më poshtë ua kemi sjellë disa fakte interesante, që me gjasë nuk i keni ditur, për gazetat.

1. Shembulli i parë i një gazete daton nga viti 59 para lindjes së Krishtit kur publikoheshin listat e lajmeve të përditshme, të shkruara në metal ose gurë. Këto lajmërime shfaqeshin në një vend, ku mund të shiheshin nga publiku.

2. Në mbarë botën botohen më shumë se 24 miliardë gazeta në vit.

3. Nëse të gjitha gazetat do të ricikloheshin, 250 milionë drunj në vit do të shpëtoheshin!

4. Vetëm për gazetat e ditës së diel, ku në gazetat botërore publikohen çështjet më të mëdha të javës, duhet të përdoren më shumë se 500,000 drunj.

5. Fjalëkryqi i parë në gazetë është publikuar në gazetën britanike 'Sunday Express' në vitin 1924 dhe që prej atëherë është shndërruar në një lloj praktike.

6. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani botohen më pak se 1,000 gazeta (numri më i madh i gazetave ditore që janë botuar në Shtetet e Bashkuara ka qenë 7,689). Shumë komunitete të vogla tani kontribuojnë në seksionet 'lokale' të gazetave më të mëdha.

7. Përkundër përparimit të teknologjisë, gazetat ditore vazhdojnë të lexohen nga miliarda njerëz, çdo ditë.

8. 99.4 për qind e të gjitha bizneseve që merren me shitje me pakicë i publikojnë reklamat e tyre në gazeta.

9. Shumica e njerëzve i lexojnë vetëm titujt e artikujve në gazetë, derisa të ndeshen në një titull që ua zgjon kureshtjen. Të rrallë janë ata që e lexojnë të gjithë gazetën.

10. Gazetat nuk janë vetëm regjionale apo lokale. Shumë gazeta janë të dizajnuara për të mbështetur kauza të ndryshme, si puna e bamirësisë, industritë e bizneseve apo hobi të ndryshëm.

11. Studimet tregojnë që gazetat përbëjnë mënyrën më efektive për të reklamuar dhe promovuar bizneset.

(Kosova Sot)