A mund të kenë shenja të njëjta të gishtërinjve dy njerëz?

  • 22 March 2018 - 12:42
A mund të kenë shenja të njëjta të gishtërinjve dy njerëz?

Nëse shikoni me kujdes në pjesën e brendshme të dorës, do të shohësh disa vija të holla në tërë shuplakën e dorës. Këto shenja janë unike dhe mbeten të pandryshueshme nga lindja deri në vdekje.
Secili njeri ka shenja të ndryshme të gishtërinjve dhe nuk mund të gjenden dy njerëz me shenja të ngjashme, prandaj shkencëtarët dhe kriminologët mund ta gjejnë identitetin e njeriut bazuar në shenjat e gishtërinjve.
Sipërfaqja e lëkurës është bërë ashtu që t’i pengojë objektet e lëmuara që të rrëshqasin. Lëkura përbëhet nga disa shtesa qelizash. Shtresa e jashtme e saj quhet epidermë, kurse e brendshmja dermë. Midis këtyre dy shtresave gjenden disa qeliza, që quhen papilla.
Secila rrudhë e lëkurës e ka një rend të vetëm të poreve, që hapen jashtë për gjëndrat e djersës. Sapo gishti të preket me ndonjë sipërfaqe, djersa nga këto pore, bashkë me yndyrat e tjera të trupit, bartet në atë sipërfaqe. Kjo ndikon që të mbeten shenjat e gishtërinjve në sipërfaqe, të cilat nuk shihen me sy të lirë.
Kjo u zbulua në një mënyrë shumë interesante. Në vitin 1823, Xhon Evangelist Purkinji, një profesor i anatomisë në Universitetin Breslau në Çekosllovaki, e publikoi dokumentin e parë në lidhje me shenjat e gishtërinjve.
Në vitin 1856, Sir Uilliam Hershel kishte filluar t’i përdorte shenjat e gishtërinjve në vend të nënshkrimit. Në vitin 1880, mjeku britanik Henri Folds e publikoi një shkrim, në të cilin thoshte se shenjat e gishtërinjve në vendin e krimit mund të ndihmojnë në identifikimin e kriminelëve. Por, ai kurrë nuk e mori ndonjë mirënjohje për këtë zbulim. Në vitin 1892, një shkencëtar anglez, Sir Francis Galton, e publikoi një libër të madh rreth përdorimit të shenjave të gishtërinjve për zbulimin e kriminelëve. 

(Kosova Sot)