Zogjtë këndojnë edhe në gjumë

  • 25 April 2018 - 09:18
Zogjtë këndojnë edhe në gjumë

Sikur njerëzit, po ashtu edhe zogjtë bazohen në zë për të komunikuar. Megjithatë, ata nuk e kanë një gjuhë të vërtetë, por komunikojnë nëpërmjet cicërimave dhe zhurmave të ndryshme.

Shpesh, zogjtë i njohin partnerët e tyre, apo edhe të vegjlit më mirë në bazë të zërit, sesa në bazë të pamjes. Përpos komunikimit kur zogjtë e vegjël janë të uritur, apo kur janë në rrezik, zogjtë meshkuj e kanë një cicërimë të veçantë edhe për t’i joshur femrat. Disa çifte zogjsh këndojnë aq mirë në duet, sa që duket se është duke kënduar një zog i vetëm. Ndoshta nuk do të besoni, por zogjtë janë në gjendje që ta dallojnë cicërimën e të vegjëlve të tyre në mesin e mijëra cicërimave të zogjve të tjerë.

Një studim i ri amerikan tregon se zogjtë e ushtrojnë cicërimën e tyre edhe derisa flenë. Në fakt, shkencëtarët amerikanë kanë konstatuar se aktiviteti i trurit të zogjve gjatë gjumit shpesh është i njëjtë me atë kur janë duke kënduar, gjë që d.m.th. se i ëndërrojnë cicërimat.

Besohet se zogjtë mund t’i mësojnë edhe cicërimat e njëri-tjetrit. Tani është parë se nëse zogjtë e vegjël ndahen dhe rriten ndaras nga zogjtë e rritur, ata e zhvillojnë një cicërimë të çrregullt, jo të bukur sikur cicërimat e rëndomta. Por, përpos nga lloji i vet, zogjtë mund të mësohen të këndojnë edhe nga llojet e tjera, nëse rriten me ta, e më pas ato këngë ua mësojnë edhe të vegjëlve të tyre.

Për zogjtë që jetojnë në zona urbane, është konstatuar se e kanë një cicërimë më të varfër, meqë për shkak të zhurmës nuk mund të mësohen nga njëri-tjetri, por thjesht i imitojnë zhurmat që dëgjojnë më së shpeshti, siç janë sirenat e automobilave dhe muzikat e celularëve.

(Kosova Sot)