Planeti Tokë

  • 21 May 2018 - 15:30
Planeti Tokë

 

Toka është njëri nga nëntë planetët e sistemit diellor. Toka ka formë të sferës, me pjesën qendrore, ekuatoriale, më të gjerë dhe me një diametër prej 12 756 km. Ajo sillet rreth Diellit me një shpejtësi prej 105 000 km/h dhe, në të njëjtën kohë, sillet rreth vetes një herë në 24 orë. Toka rreth Diellit sillet për një vit. Toka është planeti i vetëm ku dihet se ka jetë, në një zonë të quajtur biosferë.

Atmosfera

Atmosfera është shtresa e gazrave që e rrethojnë Tokën dhe e ka një trashësi rreth 700 km. Ajo përbëhet nga azoti (78%) dhe oksigjeni (21%), si dhe nga sasitë e vogla të gazrave të tjerë.

Oqeanet

Oqeanet mbulojnë 70.8% të sipërfaqes së Tokës, me një thellësi mesatare prej 3.5 km. Hidrosfera (zona me ujë) po ashtu përfshin edhe lumenjtë dhe liqenet, por këto përbëjnë më pak se 1% të ujit që gjendet në Tokë.

Sipërfaqja e fortë

Sipërfaqja e fortë (dheu, shkëmbinjtë etj.) mbulon 29.2% të sipërfaqes së planetit Tokë, ku litosfera (korja e tokës) ngrihet mbi nivelin e detit, për të formuar shtatë kontinente dhe shumë ishuj të vegjël.

Akulli dhe bora

Kriosfera (zona e ngrirë) përfshin borën dhe akullnajat në malet e larta, akullin e detit, si dhe shtresat e trasha të akullit që mbulojnë sipërfaqen e Grenlandës dhe Antarktikut. Në të kaluarën, gjatë kohëve të gjata të ftohta, të quajtura kohë të akullta, akulli mbulonte një sipërfaqe më të madhe të Tokës.

Shkencat e Tokës

Meteorologjia, e cila e studion atmosferën e Tokës, është njëra ndër shkencat e Tokës. Shkencëtarët e Tokës i studiojnë vetitë fizike të Tokës nga të reshurat deri te lumenjtë dhe gurët. Shkencat tjera janë gjeologjia, hidrologjia dhe ekologjia.

Biosfera

Biosfera është pjesa e Tokës që përmban kushtet e nevojshme për jetë. Kjo zonë shtrihet nga fundi i oqeaneve e deri te troposfera (shtresa e ulët e atmosferës). Organizmat mikroskopikë mund të mbijetojnë thellë nën dhe, por pjesa më e madhe e qenieve të gjalla gjenden nga disa qindra metra nën nivelin e detit, deri në rreth 1 000 m mbi nivelin e detit.

Zona e jetës

Ozoni është një gaz, i cili gjendet në atmosferë, në një shtresë të hollë. Ai e filtron rrezatimin e dëmshëm ultravjollcë (UV) të Diellit, duke e lejuar kalimin e dritës së Diellit.

Boshti

Toka nën këmbët tona mund të duket stabile, që nuk lëviz, por në fakt Toka sillet me një shpejtësi të madhe rreth Diellit. Toka, sikur që thamë edhe më lart, sillet edhe rreth boshtit të saj. Boshti i Tokës nuk e formon një kënd të drejtë me rrugën e orbitës së Tokës, por e ka një pjerrtësi prej 23.5°. Këndi midis secilës pjesë të Tokës dhe rrezeve të Diellit ndryshon gjatë vitit, duke shkaktuar ndryshimin e stinëve të vitit dhe gjatësinë e ditës.

Dita dhe nata

Derisa Toka sillet rreth boshtit të saj, njëra gjysmë e saj ndriçohet nga rrezet e Diellit, derisa gjysma tjetër gjendet e zhytur në terrin, të cilin ne e quajmë natë. Toka gjithmonë rrotullohet në drejtim të lindjes, prandaj duket se Dielli dhe yjet lindin në lindje dhe perëndojnë në perëndim. Pjerrtësia e boshtit të Tokës mundëson që njëra hemisferë (gjysmë) e Tokës të jetë më afër Diellit dhe ta përjetojë verën, derisa gjysma tjetër është më larg Diellit dhe e përjeton dimrin. 

(Kosova Sot)