Historia e Miushit Miki

  • 23 September 2018 - 14:47
Historia e Miushit Miki

Mickey Mouse, ose siç njihet te ne Miushi Miki, është një ikonë, jo vetëm për kompaninë “Walt Disney”, por po ashtu edhe për fëmijët në mbarë botën. I krijuar në vitin 1928, Miki është njëri ndër simbolet më të njohura në botë.

Miushi Miki u krijua nga Uolt Dizni dhe Ub Ajuorks. Këtij personazhi të vizatuar në fillim zërin ia kishte huazuar vetë Uollt Dizni. Miushi Miki e feston ditëlindjen e tij më 18 nëntor. Që nga paraqitja e tij, Miushi Miki ka qenë një pjesë e popullarizuar e botës së filmave të vizatuar dhe stripeve të ndryshme.

Lindja e një ylli

Lepuri Me Fat Osuald ishte një personazh i popullarizuar i studios “Disney” deri në paraqitjen e Miushit Miki. Në fakt, Miushi Miki ishte krijuar me qëllim të zëvendësimit të Osualdit. Pas disa mospajtimeve në lidhje me pagesat, në vitin 1928, Uollt Dizni dhe Ub Ajuorks filluan me vizatimin e personazheve të reja. Ata e vizatuan një lopë, një kalë dhe një bretkosë, por asnjëri nga këta nuk u pëlqyen. Burim i frymëzimit të Uollt Diznit, me rastin e krijimit të Miushit Miki, ishte një mi manar, të cilin ai e kishte dikur. Skicat e bëra nga Hju Harman e inspiruan Ub Ajuorksin që ta krijonte Miushin Mortimer. Ky ishte emri origjinal i Miushit Miki, të cilit më vonë iu dhanë shumë karakteristika njerëzore.

Miushi Miki në film

Miki debutoi në filmin “Plane Crazy”, në vitin 1928, bashkë me Miushen Mini. Regjinë e këtij filmi e bënë Dizni dhe Ajuorks. Miki u bë një aviator i zoti, i cili vetë e ndërton avionin e tij. Ai e zgjedh Minin si udhëtar të parë. Miki, i prirë për aventura, shumë shpejt u bë i dallueshëm nga disa personazhe të tjera rivale të tij. Uollt Dizni e huazonte zërin si për Miushin Miki, po ashtu edhe për Miushen Mini. Në fakt, dialogët interesantë midis tyre i bënë filmat e Miushit Miki edhe më të pëlqyer për shikuesit, prandaj kinematë në mbarë SHBA-në filluan të pajiseshin me zmadhues zëri. Shumë shpejt, Miki u bë personazhi i vizatuar më i njohur. Si do që të jetë, Miki foli me të vërtetë vetëm në filmin e vitit 1929, “The Karnival Kid”. Miushi Miki përfitoi nga zbehja e popullaritetit të Maces Feliks, konkurrentit të tij kryesor të asaj kohe. Në rastin e Feliksit, shikuesve nuk u pëlqeu fillimi i përdorimit të zërit.

Miushi Miki - një legjendë e vërtetë!

Miushi Miki është personazhi i parë i vizatuar që e fitoi yllin e tij në Bulevardin 6925 të Hollivudit. Ky yll u vendos në Shëtitoren e të Famshmëve të Hollivudit në përvjetorin e 50-të të Mikit, në vitin 1978. Miki është pavdekësuar si personazh i famshëm me anë të disa logove të animuara për “Walt Disney Home Entertainment”. Paraqitja e tij në filma “të rregullt” dhe “klasikë”, stripe dhe gjetiu, e bën atë një personazh të njohur në mbarë botën. Video-lojërat si “Kingdom Hearts II”, “Mickey Mousecapade”, “The Timeless Adventures of Mickey Mouse”, “Castle of Illusion” dhe “Keyblade” bënë që Miushi Miki të bëhet i njohur për fëmijët e të gjitha gjeneratave. Emri dhe simboli i tij përdoren edhe në sistemin zgjedhor të SHBA-së. 

(Kosova Sot)