Kurthi i shkurtabiqit

  • 08 October 2015 - 12:57
Kurthi i shkurtabiqit

Majkëll O’Konor ishte hajn dhe krenohej me këtë.

“Askush në Irlandë nuk është më i mençur se unë”, thoshte ai. “Marrja e arit nga budallenjtë është e lehtë, sikur të shkundësh kokrrat e mollës nga pema. Ndonjëherë më duket se jam më dinak edhe se vetë shkurtabiqët”.

Kishte kohë që Majklli besonte se dinakëria dhe zgjuarsia ishin më të mira se puna e rëndë dhe sinqeriteti.

Në atë moment, ai e ndjeu dikë të ecte pas tij rrugës. U fsheh pas drunjve dhe filloi të shikonte se kush i vinte pas. Për çudi, ai e pa një shkurtabiq!

Duke i lëpirë buzët, Majklli e kapi shkurtabiqin nga pjesa e pasme e palltos së tij dhe i tha: “Tani nuk ke nga të më ikësh!”. “Do të të lëshoj vetëm nëse ma jep arin tënd dhe më tregon si quhesh”, i tha ai, meqë kishte dëgjuar se kur ia di emrin shkurtabiqit, ai nuk mund të të mashtrojë.

Shkurtabiqi i gjorë mezi e nxori zërin nga goja: “Emrin e kam Daniel dhe, ja, po ta jap tërë arin që kam me vete, vetëm më lër që të shkoj”.

Pasi shkurtabiqi e nxori nga xhepi një qyp të vogël, Majklli shikoi brenda dhe pa se aty ishin vetëm tri lira.

“Ç’është kjo? A vetëm këtë ar e ke?”, pyeti Majklli. Shkurtabiqi psherëtiu dhe tha: “Po, dhe, thënë të drejtën, jam me fat që e kam këtë. Vëllai im Lajam është ai që është më i mençuri dhe më i pasuri. Ai ka aq shumë ar, sa askush nuk mund të matet me të”.

Sytë e Majkllit u rritën dhe ai tha: “Ti thua se Lajami ka shumë ar?”.

“Ëhë”, u përgjigj Danieli. “Dhe, ai çdo ditë fiton lira të tjera, duke i mashtruar njerëzit. Vazhdimisht tallet me mua, pse kam vetëm tri lira”.

Majklli, i ngazëllyer, i tha shkurtabiqit se i dukej si peshk i vogël, të cilin ishte gati ta lëshonte përsëri në ujë, me kusht që ai t’i ndihmonte ta zinte peshkun e madh - vëllanë e tij.

Danieli u duk se u pajtua me këtë ide dhe i tha Majkllit se do ta mësonte sesi ta bënte një kurth shkurtabiqësh.

Kështu, të dytë u nisën dhe shkuan në shtëpinë e Majkllit, ku ai e bëri kurthin, sipas udhëzimeve të Danielit. Tani u duhej vetëm edhe një karrem.

Danieli sugjeroi tërfilin, për shkak se shkurtabiqëve u pëlqente tepër tërfili.

 

Now all they needed was bait.

Të dytë shkuan në një livadh dhe Majklli e gjeti përfundimisht një grusht tërfili.

Në mëngjes, kurthi ishte mbyllur, por kur Majklli e hapi atë, pa se aty gjendej vetëm një lepur, i cili e kishte ngrënë tërë tërfilin dhe, sapo u hap kurthi, iku në mal.

Danieli i tha atij se më mirë bënte që ta linte të shkonte, të kënaqej vetëm me lirat e tij, meqë përndryshe do t’i duhej që t’ia mësonte një kurth më të mirë.

Natyrisht, Majklli e pyeti se çka ishin këto kurthe më të mira, e Danieli i tha se ishin ylber, që pëlqehej shumë nga shkurtabiqët. Ai ia tregoi edhe vendin ku paraqitej ylberi i preferuar i vëllait të tij.

Majklli u lodh tepër, meqë ai vendi ishte tepër larg, por megjithatë u ndie i kënaqur kur e pa ylberin rrëzë një lumi, ku edhe e vuri kurthin.

Meqë ishte i lodhur, atë e zuri gjumi në një gur të ngrohtë. 

“Zure diçka!”, bërtiti Danieli dhe Majkllit i doli gjumi.

Por, kur e hapi kurthin, pa vetëm tri trofta, të cilat menjëherë u kthyen në lumë.

Majklli u dëshpërua shumë: “Më mirë t’i marr lirat tua dhe ta mbaroj këtë punë”, tha ai.

“Mirë, nuk është faji yt që Lajami është më i zgjuar se ti”, i tha Danieli.

Me ta dëgjuar këtë, Majkëll u zemërua shumë dhe tha: “Jo, askush nuk është më i zgjuar se unë, vetëm më duhet një karrem më i mirë”.  

“Mirë, atëherë, karremi më i mirë për ta zënë Lajamin është ari”, tha Daniel.

Pasi Majkëll i tha se do t’i përdorte lirat e Danielit, ky i fundit i tha se duhet të vinte në kurth më shumë lira, meqë Lajami nuk interesohej për pak send.

 

Majkëll shkoi në shtëpi dhe e hapi arkën ku i mbante të gjitha gjërat e arta që i kishte.

“A do të bëjë punë kjo arkë me ar”?, e pyeti ai Danielin.

“Ëëëëëë, mendoj se po”, u përgjigj Danieli.

Kështu, meqë Majklli ishte i lodhur duke vrapuar poshtë e përpjetë, pasi e vuri arkën me ar brenda kurthit, ra të pushonte dhe, e mori gjumi!

Pasi ai kishte filluar të gërhiste rëndë, nga shkurret doli Lajami, i cili bashkë me Danielin e morën tërë arin.

“Ky njeri paska bërë një kurth të mirë, por ama kurthi ynë është më i mirë”, tha Lajam.

Kur u zgjua, Majkëll pa se Danieli nuk ishte aty, sikur që nuk ishte as arka e tij me ar.

Dhe, me të vërtetë, ky kishte qenë një kurth i mirë shkurtabiqësh!