Historia e “Ferrarit”

  • 10 October 2015 - 11:25
Historia e “Ferrarit”

Kur Enco Ferrari e krijoi kompaninë e tij “Scuderia Ferrari” në Itali, në vitin 1929. Qëllimi i tij ishte që t’i sponsorizonte garat amatore të automobilave dhe të prodhonte automobila garues. U deshën më shumë se 15 vjet para se “Ferrari” të fillonte me prodhimin e automobilave të tij (në vitin 1946). “Ferrari” vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj prodhimit të automobilave garues dhe atyre sportivë, duke mos prodhuar lloje të tjera të automobilave, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Në fillim, “Scuderia Ferrari” sponsorizonte vozitësit që vozitnin automobilat “Alfa Romeo”, prandaj në vitin 1938 Enco Ferrari edhe zyrtarisht u punësua nga departamenti garues i kompanisë “Alfa Romeo”. Dy vjet më vonë, Enco Ferrari zbuloi se “Alfa Romeo” planifikonte që ta merrte kompaninë “Scuderia Ferrari”, një plan të cilin ai e kundërshtonte fuqishëm. Për këtë shkak, ai menjëherë e la punën në “Alfa Romeo”, por kontrata ia ndalonte që për disa vjet të merrej me gara. Ai e ndryshoi emrin e kompanisë nga “Scuderia Ferrari” në “Auto Avio Costruzioni Ferrari” dhe, për disa vjet, prodhoi aksesorë avionësh. Por, fshehurazi, gjatë kësaj periudhe, Enco Ferrari bëri një automobil garash. “Tipo 815” debutoi në garën “Mille Miglia” në vitin 1940, por për shkak të luftës konkurrentët ishin të paktë. Pasi gjatë luftës fabrika ishte bombarduar, Enco e rindërtoi atë pas luftës, duke mundësuar që “Ferrari” të prodhojë edhe automobila të rëndomtë.

“Ferrari” e prodhoi automobilin e parë personal në vitin 1947, por Enco vazhdonte që të ishte më i interesuar në automobilat garues. Ai prodhonte automobila personalë (të rëndomtë) vetëm për ta financuar prodhimin e automobilave garues. Por, si do që të jetë, automobilat e prodhuar nga “Ferrari” u bënë të famshëm, jo vetëm për shkak të performansave të mrekullueshme, por edhe për shkak të pamjes tejet të bukur.

Pas konfliktit me menaxherin Xhirolamo Gardini, Enco Ferrari punësoi disa inxhinierë të rinj, ndër ta edhe Mauro Forgierin dhe Serxho Skaljetin, të cilëve iu besua detyra e përfundimit të projekteve të nisura, të cilat mbetën të papërfunduara për shkak të largimit edhe të disa punëtorëve të tjerë, të cilët u solidarizuan me Gardinin. Njëra ndër detyrat ishte edhe përfundimi i zhvillimit të automobilit garues “250 GTO”, i cili arriti të prodhohej me kohë, që të konkurronte me automobilin “Jaguar E-type”. Gjatë tërë vitit 1962, automobili “Ferrari 250 GTO” vazhdoi t’i fitonte garat, duke u bërë njëri ndër automobilat garues më të njohur në histori. Vitet 1960, përkundër krizës së përgjithshme, ishin shumë të mbara për “Ferrarin”.

Deri në vitet 1980, kur “Ferrari” filloi t’i përdorte injeksionet e karburanteve në automobilat e tij, automobilat “Ferrari” ishin tejet “temperamentë”. Edhe pse mund të të “linin në lloç”, ata vazhdonin të preferoheshin nga një numër i madh njerëzish, për të cilët këto probleme të “Ferrarit” konsideroheshin pjesë e “karakterit” të tyre. Sot, “Fiat” kontrollon 56% të aksioneve të “Ferrarit”. Pjesa tjetër e aksioneve posedohen nga i biri i Encos, Piero Ferrari, dhe nga disa banka. “Ferrari” vazhdon ta ketë selinë e vet në qytetin italian, Maranello.

(Kosova Sot)