Pse është në rënie numri i sipërmarrjeve të reja amerikane?

Pse është në rënie numri i sipërmarrjeve të reja amerikane?
  • 22 May 2016 - 13:22

Shkruan: Fareed Zakaria 

Shtimi i rregullimit e pengon aktivitetin e biznesit.

Firmat më të mëdha, të armatosura me avokatë dhe lobistë, janë në gjendje që të notojnë nëpër këtë terren të rregullimit sesa kompanitë e reja.

L ugina e Silikonit ka më shumë se 23,000 sipërmarrje të reja (start-ups), të paktën sipas sajtit 'AngelList'. Kjo edhe hetohet, derisa gjendesh në Palo Alto. Por, duket se ky vend paraqet një përjashtim ndaj një trendi shqetësues. Deri tani është dokumentuar mirë se aktiviteti fillestar ekonomik është duke u ngadalësuar në SHBA tash e tri dekada, duke përjetuar një rënie të madhe gjatë dekadës së fundit. Edhe pse kultura amerikane i ka shndërruar sipërmarrësit në yje të rokut, ekonomia e SHBA-së është duke prodhuar gjithnjë e më pak sish. Sipërmarrjet e reja kanë qenë qendrore për shëndetin e ekonomisë amerikane. Një studim i publikuar në dhjetor nga Byroja Kombëtare për Kërkime Ekonomike, thekson se gjatë viteve 1980 dhe 1990, kur aktiviteti sipërmarrës ishte i lartë, kompanitë e reja luanin një rol të madh në stimulimin e inovacioneve, produktivitetit dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Ka mënyra të ndryshme për ta matur rritjen dhe suksesin e sipërmarrjeve të reja, por që të gjitha ato çojnë deri te një konkludim i ngjashëm. Fondacioni "Kauffman" raporton se përqindja e të rriturve që posedojnë një biznes është në rënie që nga vitet 1990, kur fondacioni filloi për herë të parë që të mblidhte të dhëna të tilla. Kush është përgjegjës? Në Institutin "Brookings", Ian Hathaway dhe Robert Litan, gjetën se shkalla e sipërmarrjeve të reja (përqindja e kompanive të reja në kuadër të të gjitha firmave) ka rënë gati përgjysmë që nga viti 1978. Pse është duke ndodhur kjo? Askush nuk e di me siguri. Disa nguten dhe menjëherë e fajë- sojnë qeverinë. Kjo kritikë ka njëfarë logjike, por storia është më e komplikuar. Nëse taksat e larta dekurajojnë sipërmarrësit e mundshëm, atëherë si të shpjegohet shpërthimi i sipërmarrjeve të reja në vitet 1970 dhe në fillim të viteve 1980, kur taksat ishin tepër të larta? Përkundër të gjithave, ekonomia amerikane e asaj kohe kishte prodhuar Luginën e Silikonit. Edhe sot e kësaj dite, Kalifornia renditet kah kreu i listës sa u përket taksave dhe rregullimit, por përkundër kësaj, ajo është vend i disa prej aktiviteteve më të gjalla sipërmarrëse në botë, në sektorë të ndryshëm, sikur teknologjia, argëtimi dhe energjia. Por, shtimi i rregullimit e pengon aktivitetin e biznesit. Revista "Economist" thotë se ekonomia e SHBA-së është bërë më pak konkurruese gjatë 20 viteve të fundit. Pas një vale të derregullimit gjatë viteve 1980, shiriti i kuq kishte bërë bum, kërkesat për licencim ishin rritur dhe kostot ligjore po ashtu kishin pësuar një rritje dramatike. Firmat më të mëdha, të armatosura me avokatë dhe lobistë, janë në gjendje që të notojnë nëpër këtë terren të rregullimit sesa kompanitë e reja. Por, një faktor tjetër, që ndoshta mund të mos vërehet aq shumë, dhe i cili mund të ketë rëndësi të madhe, është faktori i gjeneratave. Pjesëtarët e gjeneratës "baby boomer" janë dëshmuar si sipërmarrës të shkëlqyeshëm, duke formuar kompani derisa ishin të ri dhe duke i ruajtur e zhvilluar ato derisa moshoheshin. Gjeneratat pasuese kanë pasur më pak gjasa që të formonin kompanitë e veta. Leigh Buchanan, duke cituar të dhënat nga Kauffman, ka shpjeguar se përqindja e themelimit të sipërmarrjeve të reja nga njerëzit në moshën e tyre 20 dhe 30-vjeçare, ka rënë nga 35% në vitin 1996 deri në 18% në vitin 2014. Në ndërkohë, numri i kompanive të themeluara nga njerëzit në moshën 50 dhe 60-vjeçare është rritur gjatë dekadës së kaluar. Më pak të rinj sipërmarrës Të rinjtë sot vishen sikur sipërmarrësit e Luginës së Silikonit, konsumojnë teknologji me të madhe dhe bisedojnë rreth inovacioneve të mëdha. Por, ata duan që të punojnë në "Goldman Sachs", "McKinsey" dhe "Google". Ata janë të ndershëm, inteligjentë dhe të kompletuar, por nuk janë të gatshëm që të rrezikojnë. Ky hezitim ka lindur nga vitet e tëra të ngecjes së të ardhurave, nga kriza financiare dhe nga ekonomia e ngathët. Ndoshta kjo është edhe e vërtetë, por këtu ka diçka më të madhe. Gjenerata "baby boomer" ishte formuar nga vitet 1960 dhe nga kundër-kultura e tyre. Atyre iu ishte thënë që t'i ndiqnin pasionet e veta dhe të hiqnin dorë nga establishmenti i vjetër. Ata ishin rebelë në lidhje me gjithçka - politikës, autoritetit të prindërve, moralit të vjetruar dhe institucioneve të mëdha. Nga një botë e tillë bohemiane lindi një kulturë e kompanive të reja, e cila më pas u bë rregull. Steve Jobs në një rast kishte shpjeguar se përdorimi i drogës LSD kishte qenë njëra nga 2-3 gjërat më të rëndësishme që kishte bërë ndonjëherë. Kur kishte përshkruar ndikimet e tij intelektuale, ai kishte përmendur 'biblën e beatless-ave', "The Whole Earth Catalog". Themeluesi i saj, Stewart Brand, thoshte në një ese se hipive ua kemi borxh revolucionin individual dhe decentralizues të kompjuterëve personalë dhe internetit. Natyrisht, sulmet kundër-kulturore të establishmentit dhe vlerave tradicionale shkaktuan rrë- muja të mëdha politike dhe sociale. Kishte një degradim të ligjit dhe rendit, besimit te qeveria, strukturës familjare dhe bindjes ndaj autoritetit. Prandaj, shtrohet pyetja, a mund ta kemi një përçarje, por një lloj të përçarjes që nuk është tepër... përçarës? 

(Kosova Sot)