Heroi i heshtur

Heroi i heshtur
  • 27 May 2016 - 10:05

Shkruan:  Sylejman Krasniqi

Për herë të parë  u takuam  më 14 shtator të vitit 1972 në Mihjen Sipërfaqësore të Bellaqevcit ( tani Bardhi i Madh). Në ditët e para mendoj se në minierë nuk do të mund të rrinte gjatë.Me kalimin e kohës u mishërua me punën që e bënte në minierë. Shumë shpejt e gjeti veten dhe e formoi rrethin e vet prej të cilit më nuk mund të ndahej. Gjeti aty një klasë punëtore të formuar dhe të pregatitur. Punëtoria e minierës i gëzohej pa masë çdo kuadri të ri që fillonte punën aty. Ishte i etshëm për kuadro të mirëfillta. E sidomos kur tek ai kuadër bashkoheshin virtytet njerëzore dhe atdhetare. Menjëherë u lidh me rrymën më përparimtare ndër punëtorët dhe kuadrot e minierës.

Pasi mbaroi shkollën e mesme teknike,për shkaqe ekonomike, filloi menjëherë nga puna. Fati e deshti që të gjendet në një kolektiv pune të shëndetshëm dhe të mbarë. I pëlqeu rrethi i shokëve dhe i bashkëpunëtorëve me të cilët e vazhdoi rrugëtimin e punës dhe të jetës deri në pension. Një brez pune ia kushtoi prodhimit të qymyrit, i cili atëherë konsiderohej si ushqimi kryesor për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Punoi me vetëmohim për mbarëvajtjen e nxjerrjes së qymyrit nga nënshtresat e tokës dhe për furnizimin e termocentraleve  me lëndën e parë..

Kur shokët e punës e kuptuan se nga cila familje ishte,ndaj tij më nuk kishin asnjë rezervë. Familja e Makollëve të Hërticës ishte e njohur për bujari, trimëri e besnikëri.  Brez pas brezi ata kishin luftuar me kolonët serb të cilët kishin ardhur si zaptues në trojet tona. Nga kjo familje ishte vrarë efektivi serb i UDB-së  dhe gjakpirësi Dushan Turuqica në vitin 1961. Pushka e tyre ishte nga të parat krisma, pas LDB-së, që cilësohej si pushka e shkrepur me vend dhe me mend. Që nga ajo ditë familjes së Abdyl dhe Bahtir Makollit nuk iu nda gazepi. Ata të dy u burgosën bashkë me djalin e madh të Abdylit, Azemin. Pasi shokët e kuptuan se Shasivari rridhte nga ajo familje, e cila kishte kapital të bollshëm burrërie, besnikërie dhe trimërie, ndaj tij krijuan  besimin dhe mbështetjen e parezervë. Ai, nga natyra, ishte shumë modest. Nuk rrëfehej Shasivar Makolli kurrë për veten e tij e as për familjen. Por, krejt rastësisht, u kuptua se Shasivari ishte njëri nga djemtë e Abdyl Hërticës. E, vetë Abdyli, kishte bërë emër në rrafshin e Kosovës ( dhe në tërë Kosovën) me bujarinë dhe mikpritjen tradicionale që e kultivuan brez pas brezi, karakteristikë kjo e trevës së Llapit dhe e Gollakut. Fshatarët e Bellaqevcit ( tani Bardhi i Madh) nuk e kishin harruar  strehimin që ua kishte bërë familja Makolli ( Abdyli dhe Bahtiri ) pjestarëve të NDSH-së, Azem Bellaqevcit ( Jashanicës) dhe Musli Dumoshit, të cilët i kërkonte pushteti çetnik i pasluftës së dytë botërore. Kështu u kompletua portreti i Shasivarit nga punëtorët e minierës duke ia njohur më parë babë Abdylin e axhën Bahtir.

Një burim që ka qitë ujë-thoshin të moçmit-ai nuk shterron kurrë. Edhe Shasivari që në rini  filloi të ecë hapave të të parëve të vet. Nga ata i mori tiparet e tyre si: burrërinë, bujarinë, besnikërinë dhe trimërinë. Që në klasën e parë të shkollës së mesme teknike ai e organizoi  klasën e vet  për në demonstratën e 27 nëntorit të vitit 1968. Këtë e mësuam nga shokët e tij të klasës shumë vite më pas, sepse ai kurrë nuk ka folur në veten parë. Veçori e kishte modestinë.

Si punëtorë i ri shumë shpejt u përshtat në kolektivin punues. Në minierë, tashmë, ishte krijuar një klasë punëtore e mirëfillt nën përkujdesjen me përkushtim të profesorit Ismail Dumoshi i cili ishte profesor, e më vonë edhe drejtor i Qendrës  Shkollor Teknike  në Kastriot dhe të drejtorit të atëhershëm të minierës Sami Kusari.

Prej ditës së parë të punësimit ( shtator 1972) dhe derisa u pensionua (gusht 2015) mori pjesë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme me karakter pune dhe me karakter politik në minierën e Bellaqevcit por edhe në nivel të Korporatës Energjetike të Kosovës. Atëherë thuhej se punëtoria nuk merrej me politikë por se asaj fort i interesonte politika.

Në kohën e Letrës së Titos dhe Byros politike të vitit 1972, klani serb në Kosovë, mendoi se i erdhi momenti për të rehabilituar dhe rikthye gardën e vjetër të Rankoviqit me shokë. U mundua që me çdo mjet t'i etiketonte për hajni kuadrot shqiptare në minierë dhe të vendoste në udhëheqje kuadro serbe. Donin ta kthenin situatën me udhëheqje në minierë sikur para vitit 1968 kur nuk kishte asnjë inxhinier shqiptarë dhe kur shqipja nuk guxonte të shkruhej. Që  nga viti 1967 makinat në minierën e Bellaqevcit filluan të flisnin dhe të punonin shqip dhe shqipja u bë gjuhë zyrtare. Kjo gjë klanin sërb e çoi peshë por ata e pritnin momentin për ta rikthye situatën në dobi të tyre dhe menduan se me paraqitjen e Letrës së Titos do të bënin kthesën e pritur. Shasivari, si punëtor i ri që ishte, me tërë qenjen e vet u përpoq që të mos  kthehet e vjetra. Detyrim për ta mbrojtur shqipen e kishte nga familja  por e kishte forcua edhe nga profesorët e shkollës së mesme teknike, kurse revolucionaritetin e kishte nga përvoja e demonstrative të 27 nëntorit 1968. Kështu me ndihmën e tij dhe të shokëve që kishte përrreth vetes klani sërb u zbraps turpshëm.

Kur gjuha shqipe nuk iu prek për asnjë presje,Shasivari filloi t'i përkushtohet përsosjes në profesion. Shumë shpejt i arriti majat e profesionalizmit në elektroteknikë dhe u bë plotësisht i pavarur në zejen e tij. Në frontet e punës dhe të prodhimit ishte gjithmonë i pari. Nuk kishte asnjë ndërmarrje më serioze ose ndonjë punë me rëndësi të veçantë e të mos kyçej edhe Shasivari. Në shumicën e rasteve edhe iu printe këtyre  ndërrmarrjeve të komplikuara teknike. Në mesin ku punonte dhe vepronte, gjithmonë, krijonte atmosferë humori me të qeshura por edhe me këngë, dhe kështu punët kryheshin pahetueshëm dhe me saktësi. Me sjelljen e tij shembullore, me profesionalizmin e përkryer, me punën vetmohuese dhe me virtytet që e karakterizonin Shasivari u bë shumë i dashur për shokët por edhe për udhëheqjen e minierës. Ishte ndër të parët që u dërgua në Gjermanin perëndimore për specializim.

Në muajin mars të vitit 1980 një grupi shokësh të punës na lindi ideja që të shkojmë për vizitë në Shqipërinë mëmë. Shasivari u paraqit vullnetar se do t'i printe grupit për t'i marrë vizat në ambasadën e Shqipërisë në Beograd. Me përkushtim e kreu këtë detyrë duke na i sigurua vizat për 30 shokë. Bile me kënaqësi të posaçme, dhe me mburrje, na tregonte se si është takuar me ambasadorin Sokrat Plaka disa herë dhe se si i kishte ndihmuar Ilija Robjës (atëherë sekretar i ambasadës ) me i bartë mobiljet për sallonin e pritjes në ambasadë. Në shtator të po atij viti shkuam në Shqipëri ku qëndruam 15 ditë. U shetitëm gati në të gjitha qytetet dhe i vizituam disa kombinate, uzina, plantazhe të prodhimeve bujqësore dhe muzetë më të rëndësishëm të vendit. Pasi u kthyem  nga vizita shokët e punës na pyetnin për Shqipërinë. Ne, patjetër, u thoshim vetëm fjalë të mira për Shqipërinë: për ekonominë, për arsimin, për kulturën dhe për të arriturat në shumë sektorë të jetës. Më kujtohet njëherë kur një serb i tha Shasivarit “…po mbasi qenka aq mirë në Shqipëri pse atëherë nuk shkoni me jetua dhe me punua atje?”. Shasivari në shpejtësi i tha serbit se”.. na edhe këtu në Shqipëri jemi”. Pas nesh edhe disa grupe punëtorësh u organizuan për të shkuar për vizitë në Shqipëri por në ndërkohë ndodhi në muajt mars-prill të vitit 1981 dhe rruga për Shqipëri u ndërpre. Pesë a gjashtë muaj pas kthimit nga Shqipëria, Shasivarin e thërrasin në biseda informative Sekretariati i Punëve të Brendshme. Një kohë të gjatë ishte i detyruar të paraqitej në polici çdo javë tek inspektori Lutfi Ajazi. Falë guximit dhe qëndresës së Shasivarit, asnjë nga shokët të cilët kishin qenë bashkë për vizitë në Shqipëri, nuk pësuan fare. Të gjitha pasojat i barti vetëm ai.

Episodë më vete është sjellja e Shasivarit gjatë demonstrative të 1 e 2 Prillit të vitit 1981. Nuk ka ngjarje politike me rëndësi që ka ndodhur në Kosovë apo në ish-Jugosllavi, e që e ka prekë direkt ose indirekt interesin e shqiptarëve, të mos jetë  reflektua edhe në punëtorinë e Bellaqevcit ose të mos ketë lëvizje edhe në atë kolektiv punues. Kështu ndodhi edhe me 1 dhe 2 Prill të 1981-it. Derisa në Prishtinë demonstratat e kishin përfshi të gjithë qytetin, në Bellaqevc punëtorët e kishin ndalë prodhimin e qymyrit. Pushtetarët, të tmerruar nga përhapja e paknaqësisë edhe në klasën punëtore të Kosovës, menjëherë i dërguan zyrtarët më të  lartë të Kosovës në Bellaqevc me qëllim që t'i bindin punëtorët për fillimin e punës dhe dërgimin e qymyrit për në termocentrale.Në minierë erdhën Xhavit Nimani ( kryetar i Kosovë), Fadil Quranolli ( ish-ministër I Mbrojtjes) dhe disa të tjerë të nivelit më të ultë. U mbajt një tubim i madh i punëtorëve në të cilin foli Xhavit Nimani. Për mbarëvajtjen e tubimit meritën më të madhe e ka pikërisht Shasivari. Në një moment një shqipfolës, si duket ishte infiltrua nga organet e sigurimit të Sërbisë, deshi që tubimit t'i jap karakter shovenist dhe iu vërsul njërit  udhëheqës serb dhe u përpoq që ta grushtonte atë. Por Shasivari, me shkathtësinë që karakterizohej, e pengoi rrahjen dhe tubimi u krye si është më mire. Pas tubimit drejtoria u përpoq që punëtorët t'i shpërndaj nëpër lokalitete nga vinin apo edhe nëpër shtëpia por ata( punëtorët) nuk pranuan dhe shkuam në këmbë nga Bellaqevci, nëpër fshatin Hade, nëpër minierën tjetër në Mirash ( ish-Dobro Sello), pranë Termocentralit “Kosova A”, nëpër Shkabaj dhe në Prishtinë ku iu bashkangjitëm demonstratës së fuqishme. Në turmën e madhe të demonstruesëve dëgjuam se vllau i Shasivarit,Fahriu Makolli, ishte plagosë në duar gjatë një përleshlje të ashpër që kishte ai me policinë e në mbrojtje të një grupi të të rinjëve që kacafyteshin me  banditët e Sërbisë. Që nga ajo ditë Fahriu i humbi tre gishta të dorës. Ky rrugëtim i punëtorëve njihet edhe si “Marshi i Bellaqevcit”. Në përpjetëzën e rrugës nga Shkabaj për në Prishtinë e takuam vrasësin e Murat Mehmetit në demonstratën e 27 nëntorit 1968, malazezin Dragan  Çullafiq, të cilin disa punëtorë deshin që t'i hakmerreshin për Muratin por me ndërhyrjen e Shasivarit me shokë edhe ky incident u mënjanua. Shasivari gjithmonë iu ka druejt ndërhyrjeve të padëshiruara dhe qëllimkëqia e dashakeqe. Rasti më i qartë është ai kur, në të njejtën ditë ( pra më 1 .prill 1981), një nga demonstruesit në qendër të Prishtinës brohoriste “… Rroftë Enver Hoxha…”.  Ai ishte një sërb, dhe kolegë i yni, i cili punonte në minierë bashkë me ne. Atë  ditë nuk kishte dalë në punë fare. Më vonë u kuptua se ai  kishte pasë angazhim tjetër në mesin e demonstruesëve shqiptarë... Rasti u paraqit në polici por ai nuk e pësoi me asgjë. Të nesërmen ai u paraqit në punë pa të keqen e askujt. Por ky  rast neve na ndihmoi shumë në kohën e fushatës së diferencimeve. Për këtë rast idenë e dha Shasivari Makolli. Edhepse vet nuk ka qenë asnjëherë në Lidhjen Komuniste të Kosovës, ai shpesh i këshillonte shokët se si të gjindeshin në situata të tilla. Ideja e tij ishte se duhej përdorë prania e sërbit në demonstratë dhe të kapitalizohej ajo me qëllim të zbrapsjes së diferencimeve ndaj shqiptarëve. Dhe vërtetë ashtu edhe ndodhi. Në minierën e Bellaqevcit askush nuk u diflerencua falë pjekurisë së punëtorisë dhe përkrahjes së njeri-tjetrit.

Që nga viti 1968 miniera e Bellaqevcit u hoq nga ndikimi sërb falë udhëheqjes së atëherëshme shqiptare të minierës dhe pjekurisë së klasës punëtore e cila i priti krahhapur  kuadrot shqiptare që punësoheshin në minierë. Në minierën e qymyrit në Bellaqevc shkrimi shqip dhe fjala shqipe nuk u hoq nga përdorimi kurrë që prej vitit 1966 ku, i ndrituari,profesori Ismail  Dumoshi nëpërmjet  nxënsëve të vet u mundua të shtrinte shqipen si gjuhë zyrtare në krejtr  KEK-un, por ate e arriti vetëm në minierën e Bellaqevit.Nga kjo kohë filloi një Epokë e Re për minierën e cila morri një drejtim shumë të dobishëm për punëtorinë e sajë dhe për rrethinën në përgjithësi ( mendoj për fshatrat të cilat gravitonin në rrethinën e minierës). Rrol të rëndësishëm luajti Shasivar Makolli në mbarëvajtjen e punëve dhe të ruajtjen dhe vazhdimësinë e kësaj epoke në minierë. Miniera e Bellaqevcit shquhej edhe për punën dhe prodhimin rekord të qymyrit dhe afarizëm pozitiv. Për të gjitha këto të arritura të minierës merita të veçanta kanë drejtorët e minierës Sami Kusari dhe Engjëll Mazreku si dhe punëtorët shumë të vyer dhe të disciplinuar. Të tillë e gjeti Shasivari minierën kur e filloi punën më 1972.

Shasivar Makolli-Qali ishte përkrahës i të gjitha nismave dhe veprimeve  të cilat e çonin çështjen shqiptare përpara. Që nga demonstratat e 1 e 2 prillit të viti 1981 e deri më 1990 ai nuk lë demonstratë, protestë, grevë dhe çfardo veprimi  tjetër anti sërb që nuk e përkrahu e që nuk muarr pjesë edhe vet. Mbaj mend kur flitej për ndryshimet kushtetuese të viteve 198889 Shasivari ishte jetësisht i interesuar që ato ndryshime të dështonin sepse ishte i sigurt se ato kishin për qëllim tkurrjen e atyre pak të drejtave që i kishim me kushtetutën e vitit 1974 dhe kthimin mbrapa si në kohën e Rankoviqit. Kur u lajmërua se do të mbahej një tubim me punëtorët e minierës për të diskutua për ndryshimet kushtetuese,Shasivari me shokë, i hartuan shumë teza për diskutim por edhe shumë pyetje për të deleguarit nga Sërbia. Ai u paraqit vullnetar për diskutim me ato pyetje dhe me ato teza të hartuara me shokët. Më kujtohet që ndër të tjera e pyeti të deleguarin nga Beogradi se: “… si është e mundur që në këtë Jugosllavi dhe Sërbi kaq “demokratike” “ i vetmi  është populli shqiptar i cili nuk ka të drejt që ta shikoj televizionin e shtetit amë, Shqipërisë, dhe se televizionit shqiptar i keni vënë pengesa. Pyetja tjetër ishte se”… si është e mundur matematikisht të vërtetohet se me ndryshimet kushtetuese askush nuk humb…” Me sa më kujtohet ,pas këtyre fjalëve në sallë u krijua një rrëmujë e madhe dhe tubimi ishte i dështuar plotësisht. Por kur në Kuvendin e Kosovë u ngrit deputeti nga KEK-u( ish-KXEMK) dhe tha se të 17 mijë punëtorët e KEK-ut e japin pëlqimin për të ndryshuar Kushtetutën u habit tepër se si mundet një njeri normal të flas gënjeshtra në pikë të ditës.

Ishte përkrahës i grevës së minatorëve të Trepçës dhe i protestave të Ndërmarrjes Ndërtimore  “Ramiz Sadiku. E përkrahu edhe grevën e studentëve. Për të gjitha këto greva mblodhi ndihma në batanie dhe në gjëra të tjera për të cilat, ndihma, u treguan shumë solidarë punëtorët e minierës së Bellaqevcit. U gëzua shumë kur në Kosovë filluan t'i dorëzojnë librezat e LKJ-së dhe formimin e Alternativës së Kosovës të cilën, në fillim, e ndihmoi shumë. Në fillim u anëtarësuam bashkë në LDK. Pas një kohe e pamë se gjasat për çlirim nga Sërbia në rrugë paqësore ishte e rrugë e pakrye.

Fillimi i dhjetëvjetshit të fundit të shekullit të kaluar u nis i plogësht. Vrulli rinor i viteve 81/90 disi u vyshk. Politika nisi të taktizoj. Popullata dhe rinia në përgjithësi u zbrapsën. Revolucionariteti i rinisë u zbeh nga “ligjërimet” e plogështa të politikës. Përpos akcionit për pajtimin e gjaqeve nuk pati aktivitete të tjera të cilat do ta mbanin pezull rininë shumë të vyer dhe të pastër. Ishte një kohë kur vetëm i numronim kufomat e djemëve tanë të cilën vinin në arkivole nga ushtria jugosllave. Shpjegime për shkakun e vdekjes së tyre nuk kishim. Vërtetë nëpër varrime  shkonin shumë njerëz por kjo ishte e tëra. Më 2 korrik 1990 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata Koshtetuese. Në të njejtën ditë polli problemi i ambasadave në Tiranë. Derisa, Shasivari, u gëzua shumë për Deklaratën Kushtetuese, në të njejtën ditë edhe u dëshpërua kur dëgjoi për grumbullumin e njerëzve në ambasadat e Tiranës. Ky, thoshte ai, nuk është sinjal aspak i mirë  për Kosovën. Më 5 korrik 1990, në shenjë hakmarrjeje për mjetet e informimit shqip, u mbyll televizioni i Prishtinës. Më 7 shtator të po ati viti në Kaçanik u shpall Republika e Kosovës si njësi e barabart me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Më 3 shtator Sindikata e Pavarur e Kosovë e mbajti një grevë njëditëshe në tërë Kosovën. Edhe Sindikata e Pavarur KEK-ut( ish- Kombinatit) dhe e minierës së Bellaqevcit e përkrahu grevën dhe e respektoi në tërësi. Më 10 shtator drejtoria e dhunshme e KEK-ut i përjashtoi nga puna 2250 punëtorët shqiptarë të minierës së qymyrit të Bellaqevcit me arsyetimin se e mbajtën grevën njëditëshe të 3 shtatorit. Shumë personalitete politike të asaj kohe largimin e punëtorëve të minierës nga puna e konsideruan si gabim të Sindikatës së Pavarur të Kosovës dhe si mosgjeturi të udhëheqjes së minierës. Por e vërteta ishte se me dekada të tëra klani sërb e kishte në synim që ta shkatërronte klasën punëtore dhe kuadrin drejtues të minierës së Bellaqevcit me të cilën kishte hasmëri të vjetra që nga viti 1966 kur edhe makinat gjigante të minierës filluan të flisnin shqip. Pra kjo ishte një hakmarrje klasike ndaj çdo gjëje shqiptare. Që nga ky moment dhe deri në përfundimin e luftës së UÇK-së Shasivari me shokë mbetën të pa punë. E gjitha kjo që u tha për minierën e Bellaqevcit është meritë dhe sakrifice edhe e Shasivarit Makollit. Sepse që nga punësimi i tij, në shtator të 72-së e derisa u pensionua 23 gusht 2015, Shasivari ishte aktiv në të gjitha vlimet politike, shoqërore dhe prodhuese të minierës së Bellaqevcit dhe të ish-Kombinatit.

Gjatë viteve 199099,si i papunë që ishte, iu përkushtua punës private për të mbajtur familjen. Por me fitimin e tij nga puna private i ndihmoi edhe shokët dhe kolegët e punës të cilët nuk mund të gjindeshin në atë papunësi dhe varfëri të madhe për shqiptarët.

Krahas punës private  e të mundimshme që e bënte ai kurrë nuk u zbraps nga detyrimi që e kishte për mëmdheun. Ishte gjithmonë në qendër të zhvillimeve politike në tërë hapsirën shqiptare. Shasivari kurrën e kurrës nuk e ka trajtua ndaraz çështjen shqiptare. Bile një kohë të gjatë u mundua, bashkë me rrethin e vet shoqëror që e kishte, ta zbërthente se nga kush apo nga cili faktor u nda problem i Kosovës nga pjesët e tjera të trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi. Krahinarizmin dhe bajraktarizmin e ka urrejtur përherë.

Në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit XX jeta politike aktive u varfërua  shumë në Kosovë. Edhe në Shqipërinë mëmë, disi, nuk shkonte mirë demokratizimi  i vendit. Për të gjitha këto moslëvizje për së mbari e brengosnin Shasivarin. Sepse çdo destabilizim në Shqipëri, në Kosovë reflektonte negativitet. Në vitet 198788 ai bije në kontakt me grupe ilegale nga diaspora dhe bashkëpunon me ta. Sidomos kishte bashëpunim të afërt me LPK-në e Zvicrës. Prej atëherë shtëpia e Makollëve u bë edhe streha e sigurt e livizjes ilegale brenda dhe jashtë vendit. E kjo nuk ishte e rastësishme por ishte vazhdimësi e traditës familjare që nga stërgjyshi e sidomos nga Abdyl Makolli, babai i Shasivarit. Prej se vuri lidhje me ilegalët ai kurrë më nuk iu nda punës dhe veprimtarisë së organizuar politke. Bashkëpunoi me të gjitha rrymat dhe grupacionet që përpiqeshin për  çlirimin e Kosovës me çfardo mjeti dhe mënyre që e kushtëzonte momenti por gjithmonë e kishte në ndërdije të vete se pa luftë të armatosur nuk mund të ndaheshim nga Sërbia. Me konferenca shypi dhe me biseda nëpër kafehane dhe çajtore të Prishtinës,thoshte shpesh, nuk fitohet liria. Në Partinë Parlamentare të Kosovës u anëtarësua diku kah fundi  i vitit  '96. Si duket këtë anëtarsim e pati  për maskim nga veprimtaria e tij ilegale. Fort u gëzua kur baca, Adem Demaçi, erdhi në PPK-në. Edhe më shumë u entuziazmua kur dëgjoi se Bajram Kosumi ( deri atëherë kryetar I PPK-së) ia kishte lëshua vendin bacit Adem që ta drejtonte partinë. Ky ishte një gjest i rrallë në politikën shqiptare, për të cilin ( gjest) ai uroj që të bëhet shprehi dhe normë e sjelljes në politikën tonë tepër të ngurt. U gëzua pa masë kur iu dha mundësia që të ishte afër Adem Demaçit për të cilin kishte respekt të madh deri në adhurim që nga fëmijëria dhe rinia e hershme, kur si nxënës i shkollës së mesme e kishte lexuar romanin “Gjarpëritë e gjakut”.

Në kohën kur u bë marrëveshja për arsimin në mes të strukturave politike të cilat ishin në krye të Kosovës me Sërbinë e ndëmjetësuar nga shoqata e “Shën Exhidio”-s nga Vatikani, në opinionin e Kosovës u shkaktua një huti e madhe. Stukturat shtetërore të Kosovës këtë akt e deklaruan si sukses të madh për lirimin e objekteve shkollore të okupuara nga Sërbia. Organizata e studentëve të Kosovës u rrebelua dhe vendosi që të bëjë një protestë. Kur dëgjoi për këtë nismë Shasivarit iu bë qejfi. Sepse, thoshte ai, kur studentët iu prinë proqeseve domosdo do të ketë zhvillime pozitive. Ai i vështroi nga afër protestat të cilat i përkrahu pa reservë dhe e mblodhi një turmë të madhe në përkrahje të tyre. Nga ai moment Shasivari u shoqërua me kreun e shoqatës së studentëve dhe bashkëudhtoi me ta në momentet më të vështira. Kjo protestë studentore e ringjalli rininë dhe popullin e Kosovës dhe e rizgjoi nga një gjumë dhjetëvjeçar që e kishte vu dhe përkundë politika pasive e paqësore.

Gëzim të papërshkruar ndjeu kur baca Adem Demaçi u emrua  Përfaqësues Politik i UÇK-së me seli në mes të Prishtinës. Dhe me këtë akt edhe PPK-ja ( faktikisht ) u vu në shërbim të Luftës Çlirimtare. Për këtë veprim  Shasivari u entuziazmua tepër sepse me këtë ai e arriti qëllimin e tij jetësor-që të bëhej ushtar i luftës për çlirim. Pas pak ditësh baci Adem kërkoi nga shokët që t'ia propozojnë një shofer të besueshëm. Nga disa propozime që i pati ,baca, e zgjodhi pikërisht Shasivarin. Gëzimi dhe entuziazmi i Shasivarit nuk kishte kufi. Në zgjedhjen e Shasivarit sigurisht kishte pasë ndikim historia familjare e tij, e posaçërisht vllua i tij i madh Azemi, me të cilin baca Adem njifej që nga burgu famkeq i Goliotokut. Nga ky moment e deri në frymën e fundit të jetës Shasivari nuk iu nda bacit Adem dhe luftës për liri. Me te ishte në malet e Berishës, në Shalë të Bajgorës, në Likovc, tek Tabet e Llapashticës, në Prekaz dhe kudo ku e lypte mëmëdheu. Bashkë udhëtonin në mot me shi, me borë, me mjegull, nëpër rrugë të malit e nëpër shtigje të dhive me veturën e cila nuk ishte për ato terrene të ashpra. Po ku pyetke baca Adem dhe Shasivari për terrene të këqia dhe për skëterren. Ata, për të krye detyrën ndaj mëmëdheut, e kishin harrua edhe veten e tyre. Kalonin nëpër prita të armiqëve pa e trembur syrin. Trimat e kishin bërë operacion frikën me kohë. Të entuziazmuar pas sukseseve të luftës çlirimtare dhe të ndrrimit të kursit të ndërkombëtarëve ndaj UÇK-së, ata nuk ndienin as lodhje. Pjesë e rëndëshme e këtyre sukseseve ishin edhe ata vetë e sidomos bisedat e Adem Demaçit me qendrat e diplomacisë botërore. Shasivarit i pëlqenin shumë polemikat  e Adem Demaçit me diplomatët e huaj. Sepse ai, Demaçi, ua thoshte troç mendimin e popullit për të gjitha kërkesat e drejta e të ligjëshme të tij. Ai nuk u përulej dhe nuk taktizonte me ta. Edhe kur ia dhanë planin e bisedimive në Rambuje ai nuk e miratoi pa e studiua mire atë. Befasuese për Shasivar Makollin ishte kur në konferencën e fundit për shtyp të Adem Demaçit, si përfaqësues politik i UÇK-së, u tha gazetarëve se UÇK-ja nuk do të shkonte për bisedime në Rambuje me këtë plan i cili nuk i paraqiste interesat e shqiptarëve dhe për të cilin ata nuk e kishin kapë armën dhe dale në mal. Demaçi, thoshte Shasivari me këtë rast të pazakont në praktikën e politikës shqiptare, e ka intuitën e forte prandaj nuk duhet që të shqetësohemi derisa e kemi bacën në ballë. Kështu Shasivari  mundohej që t'i qetësonte shokët që i kishte përrreth për vendimin këmbëngulës të bacës për të mos shkua në bisedime me këto kushte të palevërdishme për ne.

Pas përfundimit të luftës çlirimtare Shasivari iu kthye punës në profesionin e vet në minierën e Bellaqevcit. Por tani me forcë të shumëfishuar sepse tash e mbas do të punonim vetëm për vete dhe nuk do të ishte më Sërbia që do të na pengonte të punojmë për së mbari. Edhepse ai kishte mundësinë që të zgjidhte punë çfare të dojë vazhdoi t'i përkushtohej prodhimtarisë aty ku e la përgjysmë. Me shoqërinë e punës tani filluan që ta funkcionalizojnë minierën pas shkatërrimit që i kishin bërë asaj barbarët sërb. Në përzgjedhjen e ekipit që do ta drejtonte KEK-un pati ndikimin e duhur dhe vendimtar edhe Shasivari. Puna në minierë shumë shpejt e morri të mbarën, Entuziazmi i punëtorëve nuk mund të përshkruhej në dy vitet e para. Nuk kishim as pjesë këmbimi dhe as material hargjues. Me nismën e Shasivarit me shokë dhe me mirëkuptimin e klasës punëtore edhe ky problem u tejkalua. Punëtorët vendosën që me paratë e tyre të bleheshin pjesët e këmbimit dhe materialet hargjuese për minierë. Punohej me vrull të paprërshkruar nga të gjithë. Ky vrull dhe elan i punës në KEK nuk zgjati shumë. Struktura të caktuara në udhëheqjen e KEK-ut dhe jashtë tij filluan që punën e mirëfillt ta kanalizonin për interesa vetanake. Këto deformime  i vërejti  menjëherë Shasivari dhe u mundua që t'i pamundësoi ato dukuri negative dhe të dëmshme për një shoqëri të shëndoshë për të cilën ishte përpjekë dhe luftua ai që nga rinia e hershme. Deri në majat më të larta të pushtetit i njoftoi për këto deformime dhe keqpërdorime të pasurisë shoqërore. Dhe kur, më në fund, u bind se e keqja ishte shtrirë si marimanga në të gjitha nivelet e pushtetit ai u tërhoq dhe bënte vetëm detyrën e vet. Bile kur në vitet 20067. Kuvendi i Kosovës pruri vendim për ta shitë KEK-un ai u dëshpërua së tepërmi. Megjithate nuk e lëshoi frontin e punës derisa iu bë mosha për pension. Me keqardhje iu desh që ta linte kolektivin e punës në të cilin punoi një jetë të tërë. Kolektiv i cili, po të kishte titull “hero i punës”, miniera e Bellaqevcit, me të gjithë punëtorët e sajë, do ta meritonte atë titull.

Më lartë u tha se nga viti 1966 filloi një Epokë e Re për minierën e Bellaqevcit.Tani mund të themi, fatkeqësisht, se me pensionimin e Shasivar Makollit u mbyll ajo Epokë e Re për të cilën vepruan dhe u munduan me tërë forcën e tyre intelektuale, fizike e morale Ismail Dumoshi, Sami Kusari dhe Engjëll  Mazreku (dy të fundit ish-drejtor të minierës së Bellaqevcite kurse Engjëlli për një vit edhe në krye të KEK-ut, tani të ndjerët) e të cilëve iu bashkangjit edhe Shasivari me tërë qenjen e tij.

Përfundimin e luftës Shasivari nuk e trajtoi kurrë  si kryerje të detyrës ndaj atdheut. Politikisht nuk u ndal së vepruari kurrë. Mbahej me të gjitha rrymat politike që vepronin për forcimin e shtetit të Kosovë. Punoi deri në frymën e fundit të jetës për sendërtimin e projektit të Rilindasëve tanë dhe të Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës, pra për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe të fortë. Sepse vetëm të bashkuar në një shtet shqiptarët mund t'iu përballojnë orekseve ortodokse greko-sërbo-maqedonase- thoshte ai

U lind në kohën më të errët për Kosovën. Në kohën e terrorit  më të egër dhe të shpërnguljeve në masë të shqiptarëve nga trojet e veta në ish-Jugosllavi. Por Shasivari u rrit,u burrërua, jetoi, veproi, punoi, luftoj, dhe më në fund edhe vdiq vetëm vertikalisht sepse kështu  e deshtën Kosova dhe Shqipëria bashkë. Fundja ky ka qenë edhe parimi dhe betimi i idealistëve. E Shasivar Makolli ka qenë idealist, nga më rrebelët, dhe i papërmirësueshëm.

(Kosova Sot)