Rezultati i ngushtë në zgjedhjet e Austrisë, sinjal paralajmërues për të gjithë

Rezultati i ngushtë në zgjedhjet e Austrisë, sinjal paralajmërues për të gjithë
  • 30 May 2016 - 10:29

Shkruan: Carl Bildt

Një frymëmarrje e thellë çlirimi përgjatë gjithë Evropës

Forcat e reja po fuqizohen dhe nuk ka kthim të menjëhershëm

Austria ka qenë e dominuar nga dy forcat e mëdha politike, më shumë se pothuajse çdo vend tjetër, dhe në asnjë shtet tjetër shkatërrimi i tyre nuk ka qenë kaq dramatik

Kemi qenë dëshmitarë të një frymëmarrje të thellë çlirimi përgjatë gjithë Evropës kur këtë javë, kandidati i ekstremit të djathtë, për pak sa nuk ia ka dalë ta fitojë zyrën më të rëndësishme në Austri.

Mirëpo, mesazhi i ardhur nga Austria është shumë i qartë: politika ka ndryshuar, forcat e reja po fuqizohen dhe nuk ka kthim të menjëhershëm. Kjo gjë vlen edhe për përtej kufijve të Austrisë.

Që prej kur e ka rimarrë sovranitetin në vitin 1955, Austria është qeverisur nga dy partitë më të mëdha politike: kristiandemokratët - OVP dhe socialdemokratët – SPO.

Ata kanë udhëhequr në koalicion ose nëpërmjet fenomenit austriak të quajtur Proporz, që nënkupton që ua kishin dhënë pozitat e larta shoqërore njerëzve besnikë të partive të tyre.

Narrativet e mëdha kanë filluar të veniten

Kjo ka qenë një epokë kur politika e Evropës demokratike ka qenë e dominuar nga partitë e mëdha politike, që i takonin ose orientimit socialist ose inspirimit të krishterë. Ka qenë një epokë e narrativeve të mëdha, e ideologjive dhe përpjekjeve për formësimin e së ardhmes.

Mirëpo, me përfundimin e epokës së përçarjeve të Evropës, një epokë e re kishte filluar të agonte. Gradualisht, narrativet e mëdha kishin filluar të veniteshin dhe gjatë dekadës së fundit ata e kanë humbur një pjesë të fuqisë për t’i joshur të tjerët dhe për t’u mobilizuar. Partitë e mëdha politike, që janë ndërtuar mbi tregime të tilla, në veçanti partitë e qendrës së majtë, janë duke humbur.

Austria ka qenë e dominuar nga dy forcat e mëdha politike më shumë se pothuajse çdo vend tjetër – dhe në asnjë shtet tjetër shkatërrimi i tyre nuk ka qenë kaq dramatik.

Para rënies së Murit të Berlinit, që të dyja partitë e mëdha austriake fitonin më shumë se 40 për qind të votave. Që prej rënies së murit, nuk kemi pasur asnjë palë zgjedhje, kur kemi qenë dëshmitarë të një fenomeni të tillë. Që të dyja partitë kanë pësuar rënie konstante.

Ka qenë një moment vendimtar rasti kur në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kandidatët e dy gjigantëve të vjetër të politikës ës Austrisë kanë fituar vetëm nga 11 për qind të votave dhe asnjëri nuk ia ka dalë që të futet në raundin e dytë.

Me venitjen e partive të vjetra politike po përjetojmë edhe ngritjen e partive, që, pak a shumë, kundërshtojnë idetë dhe parimet që e kanë qeverisur Perëndimin deri më tani. Politika e ideologjisë është venitur, ndërsa politika e identitetit sa shkon e po fuqizohet.

Ngritja e nacionalistëve të djathtë ka qenë më e shpejtë në Austri sesa në çdo vend tjetër. Është e qartë që kjo gjë është nxitur nga revolucioni kundër sistemit të vjetër të Proporzit. Ndryshimi është kërkuar me ngulm.

Madhështia e qytetit të Vjenës mund të shërbejë si një inspirim

Meqë edhe besimi në të ardhmen ka filluar të tregojë shenja të dobësimit, kur jemi dëshmitarë të vështirësive ekonomike dhe shoqërive që ndryshojnë me ritëm të shpejtë, ka qenë e lehtë për këto forca që t’i shfrytëzojnë mitet e tyre nacionaliste për të fituar mbështetës në thirrjet e tyre për kufij të mbyllur dhe për vlerat e vjetra. Ata thonë që tek porta kemi një mori myslimanësh; Brukseli është vetëm burokraci; tregtia është tradhti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë agresive. Këto kanë qenë mesazhet që janë dëgjuar më së shumti në Austrinë rurale.

Përderisa politika e së kaluarës ka pasur të bëjë me idetë e ndryshme për një të ardhme më të mirë, tani kemi të bëjmë me sigurimin e mbrojtjes nga ndryshimet dhe një e ardhme, për të cilën, shumëkush mendon që do të jetë shumë më ndryshe. Më herët njerëzit i kanë fituar zgjedhjet duke thënë që nesër do të jetë më mirë se dje. Forcat e reja po premtojnë për rikthimin e të djeshmes, të cilën e portretizojnë si më të mirë sesa e ardhmja të cilën e parashohin.

Imigrimi është njëra nga pikat në trajtimin e të cilës Austria ka pasur vështirësi. Mirëpo fakti që votuesit në Austri kanë refuzuar sirenat që bënin thirrje për mbyllje të kufijve është një shenjë e mirë në errësirë.

Ka qenë Karl Popper, i lindur në Vjenën Perandorake, që jo vetëm se e kishte përqafuar idenë e shoqërisë së hapur mirëpo edhe kishte paralajmëruar për ‘problemet e civilizimeve’ që do të mund të ngjanin në momentin kur ndryshimet do të konsideroheshin tejet të shpejta dhe do të fillonte të ndihej joshja për rikthimin e fiseve.

Kjo është beteja politike që po zhvillohet në fusha të ndryshme në Evropë. Mbetjet e betejave të vjetra të ideologjive vazhdojnë të shihen rrotull, mirëpo çdo ditë e më shumë po bëhemi dëshmitarë të një beteje mes shoqërisë së hapur dhe asaj të mbyllur. Popper kishte thënë që kanë qenë zhvillimi i komunikimeve dhe tregtia ato që kanë shkaktuar shpërbërjen e shoqërive të mbyllura të botës antike, ndërsa tani shohim këto forca të reja politike që bëjnë thirrje të fuqishme kundër imigrimit dhe marrëveshjeve tregtare.

Austria duhet të shikohet si një sinjal paralajmërues nga të gjithë. Mirëpo, jo gjithçka do të humbej nëse liderët politikë të Evropës do të merrnin pak pushim nga menaxhimi i krizës, që mbushë një pjesë të madhe të agjendës së tyre ditore, dhe të ktheheshin nga shoqëria e hapur dhe një botë e hapur për një të ardhme më të mirë.

Madhështia e qytetit të Vjenës mund të shërbejë si një inspirim.

(Carl Bildt është politikan dhe diplomat suedez që ka shërbyer si kryeministër i këtij vendi në periudhën 1991-1994, kur është negociuar anëtarësimi i Suedisë në BE)