Të dalim nga shoqëria totale imituese në atë krijuese!

Të dalim nga shoqëria totale imituese në atë krijuese!
  • 25 June 2016 - 08:46

Shkruan: Avni Rudaku 

 

Kemi shkollë të keqe edhe të aktrimit, edhe të ndërtimit të brezit të ri të aktorëve.

Shoqëria kosovare vazhdon të jetë imituese skajshëm, duke ngarendur pas disa fiks-ideve dhe fiks-modeleve të përgjithësuara, të cilat ose vihen shumë ngadalshëm në praktikë, ose janë shumë të vonuara, ose janë të keqpërshtatura në mjedisin lokal. Kjo ndodh me të gjitha shtresat shoqërore, pa dalluar politikanin, artistin, aktorin, regjisorin, etj. Prandaj, krejt ideja mbetet të dalim prej një kulture imituese në atë krijuese, apo ndërmjetëse.

Kemi të bëjmë me një sjellje jo që na bën vetëm të qeshemi, por edhe të mësojmë një gjuhë të re, një profesion, një mjeshtëri, një instrument, etj. Pa imitim nuk do të kishte as krijim, por shpesh imitimi falimenton kreativitetin (risinë) njerëzor, artistik, kulturor, e sidomos në stadin ku ekziston arti dhe shoqëria kosovare. Prandaj, sot do te jetë me rëndësi të shpalojmë ca pika të rëndësishme rreth imitimit në pikturë, imitimit në aktrim, imitimit në politikë, në mediet sociale etj. Shoqëritë dhe kulturat njerëzore kalojnë në faza të ndryshme të zhvillimit. Sipas këndvështrimit të përgjithshëm, do të mund t'i ndanim të gjitha shoqëritë dhe kulturat në dy kategori: 1. imituese dhe 2. krijuese. Ato që arrijnë të bëhen model për të tjerët që t'i imitojnë, janë "shoqëritë krijuese/model", ndërsa ato që nuk arrijnë të krijojnë modelet e tyre, janë "shoqëri imituese" dhe vrapojnë pas përngjasimit total me të tjerët. Ka edhe një model të tretë të shoqërive, të cilat imitojnë sjelljet, modelet, dizajnet, etj., të cilat nuk kanë nevojë të humbin kohë dhe energji, si dhe nuk besojnë se arrijnë t'i bëjnë më mirë se disa të tjerë që shquhen në këtë fushë, ndërsa në disa fusha bëhen vetë krijuese dhe modele. Shoqëria kosovare vazhdon të jetë imituese skajshëm, duke ngarendur pas disa fiks-ideve dhe fiks-modeleve të përgjithësuara, të cilat ose vihen shumë ngadalshëm në praktikë, ose janë shumë të vonuara, ose janë të keqpërshtatura në mjedisin lokal. Kjo ndodh me të gjitha shtresat shoqërore, pa dalluar politikanin, artistin, aktorin, regjisorin, etj. Prandaj, krejt ideja mbetet të dalim prej një kulture imituese në atë krijuese, apo ndërmjetëse (imitojmë e krijojmë paralelisht).

IMITIMI I KEQKUPTUAR SI AKTRIMI MË I LARTË Në Kosovë njihen disa shakaxhinj apo humoristë, të cilët imitojnë kryeministrin, presidentin, e tjerë e tjerë dhe ne i identifikojmë si aktorë gjenialë! Madje të vjen keq që kjo pikëpamje mjaft e gabuar për konceptin e ri të aktrimit në bashkëkohësi e më herët, derivon edhe nga aktorë që mbarojnë studimet në Fakultetin e Artit - dega në aktrim e të ngjashme. Kemi pra shkollë të keqe edhe të aktrimit, edhe të ndërtimit të brezit të ri të aktorëve, të cilët menduakan se përmes imitimit, bëhen aktorë të paprekshëm! Pavarësisht se edhe në audicion të aktorëve të qytetit, komisionet bëjnë imitimin, si një prej kushteve të rëndësishme për aftësitë e një aktori, nëse merret si komponentë e rëndësishme, është në rregull, sepse tek e fundit, aktorëve për kohë të gjatë vazhdojnë t'i thonë imitatorë dhe shpesh imitatori bëhet sinonim me aktorin, por të bëhet njësh me aktrimin, është pasaktësi e madhe. Aktrimi mbi të gjitha ka vlerë në interpretim, i cili shkon përtej imitimit të thjeshtë të gjesteve, ngjyrës së zërit, mënyrës së ecjes, etj. Ne shpesh shohim se si shumë aktorë duke e parë thjeshtësinë e të kuptuarit nga publiku, shndërrohen nga aktorë në imitatorë, nga aktorë në palaço, nga aktorë në shakaxhinj. Disa prej tyre luajnë edhe në seriale televizive dhe ndoshta aftësia e tyre krejtësisht e shkëlqyeshme, që do të mund të ishte në aktrim të vërtetë, përfundojnë në imitatorë të këqij. Duke u komercializuar aktrimi, është duke u shndërruar në një art shumë të keq: imitim total. Prandaj, fakultetet e arteve duhet të ndryshojnë krejtësisht qasjen që të mos prodhojnë imitatorë, por aktorë. E nëse prodhojnë gjeneratë aktorësh, aktori i mirë gjithmonë është edhe një imitator i mirë, por një imitator i mirë nuk është patjetër aktor. E kjo fjali është pjesa më vitale e nevojës për këtë temën e imitimit, sepse duke u shndërruar aktorët në imitatorë, arti kalon në pandjeshmëri, indiferencë dhe humb fillin e impaktit në shoqëri. Përmes imitimit, qeshim në fillim, por përfundon me kaq! Na duhet përtej imitimit, të interpretojmë, nëse bëhet fjalë për aktorë. Na duhet përtej imitimit, të dalim në krijim modelesh, pasurim fantazie të brezit të ri me teknologji e shkencë, që të na lehtësojnë jetën, sepse teknologjia e shkenca nëse nuk u vijnë në ndihmë shoqërive, janë të kota, madje shpesh u bien në dorë luftëtarëve primitivë, terroristëve të këqij, kriminelëve, e tjerë e tjerë, të cilët na rrezikojnë sigurt të tashmen e të ardhmen. Ne duhet detyrimisht të mos ndjekim me aq vëllim e masë, imitimin në biznes, ku hapet pompa e benzinës përskaj nesh pas pak muajsh që e hapim ne; as imitimin e shndërruar në aktrim të dobët palaço nëpër emisionet televizive të mbrëmjes, etj.

IMITIMI PO ZAPTON IMAGJINATËN KRIJUESE Internet meme është një fenomen viral, i përhapur me shpejtësi në tërë globin, bazuar po ashtu në imitim. Mediet sociale, në vend se të ishin forca jonë për të ushqyer fantazinë, ka krijuar shumë imitatorë në poezi, pikturë, fotografi, etj. Ne shpesh kemi humbur fuqinë tonë individuale për të menduar me kokën tonë, imagjinatën tonë krijuese, nga imitimi i imitimit nga rrethi i miqve realë apo fiktiv në internet. Shpesh bëjmë ca kombinime të habitshme, duke krijuar vetiluzionin se jemi duke krijuar ndonjë gjë të re, një libër të ri, një pikturë të re, por janë krejt iluzione të krijuara nga forma e thjeshtë e të mësuarit, imitimi. Publiku qeshet deri në pakje sa herë ka para vetes imitatorë të shkëlqyeshëm. Edhe njerëzit e zakonshëm që imitojnë figurat publike, personalitetet e njohura, apo edhe anë- tarët e tyre brenda familjes, lagjes e komunitetit, gëzojnë shpesh nderimin social e kulturor, për shkak të argëtimit me sjelljet e tij imituese në situata të ndryshme të përditshmërisë apo të festave. Imitimi ka qenë ndër temat më të debatueshme nga ato polemikat e diskutimet që nxisnin filozofët e vjetër para dy mijëvjeçarësh e gjer më sot. Të pakontestueshmit që na vijnë gjithmonë në ndihmë edhe në fushën e imitimit janë Aristoteli e Platoni. Ky i fundit u bë i njohur me mimesisin, që nga greqishtja e vjetër përkthehet si imitim, i cili punën e një artisti vizuel apo skulptori që bën një gjësend në vizatim apo skulpturë, e shihte vetëm një imitim i imitimit, duke i nënvleftësuar në shkathtësi, pasi ata nuk po bënin ndonjë gjë të re (krijues), por po vetëm po imitonin. Është interesante se ne që përdorim fjalën 'mimikë', 'mimikëri' etj., pothuajse e kuptojmë sinonim në gjuhën shqipe me fytyrën, sepse gjestet më të theksuara i gjejmë aty, duke filluar nga sytë, vetullat, gojën, etj. Pikërisht gjestet në fytyrë janë më të vërejtshmet dhe shpesh bëhen objekt i imitimit të tjerëve, duke mos harruar imitimin e zërit, të folurit, dialektin, sociolektin, anglicizmat, etj. Jo të gjithë kanë të njëjtin mendim kur bëhet fjalë për imitimin, e sidomos kur e dimë se si objekt studimi është interdisiplinar. George Herbert Mead, një autor i thellë- sive të mëdha në njohjen e sjelljeve të njeriut, merret me imitimin në mënyrë unike në librin e tij "Mendja, qenia dhe shoqëria", e cila gjendet e përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe mjaft me rëndësi sidomos edhe për studentët e fushave përkatëse. "Termi "imitim", për një periudhë kohe u bë i një rëndësie të madhe për sociologjinë dhe psikologjinë sociale. Ai u përdor si bazë për një teori të tërë sociologjie, prej sociologut francez Gabriel Tarde. Psikologët arritën të parët, pa shumë analiza të hollë- sishme, të pohonin prirjen që ka një person për të bërë atë që bëjnë personat e tjerë…" (f.78) Autori Mead mundohej ta shtjellonte imitimin si një stimul për të tjerët. "Të parët e një njeriu duke bërë diçka është një stimul për personat e tjerë për të bërë po të njëjtën gjë, andaj na duhet të pohojmë se ajo çfarë është duke bërë personi është tashmë një reagim që gjendet brenda vetë natyrës së personit imitues. Kjo do të thotë se ne i kemi brenda natyrës sonë tërë këto aktivitete të ndryshme e se këto nxirren prej andej në çastin kur njerëzit shohin të tjerët që janë duke bërë po të njëjtën gjë…"(po aty)

POTHUAJSE GJUHA ËSHTË VETË IMITIMI Por, njeriu për nga aftësia e tij imituese nuk dallon prej kafshëve në shikim të jashtëm. Si njerëzit, si disa lloje kafshësh në natyrë, manifestojnë aftësinë e të mësuarit të sjelljeve të thjeshta të tjerëve, vetëm duke i parë përmes shqisave. "Deri më sot ekziston një numër bukur i madh studimesh mbi problemin e imitimit dhe për rolin që ai supozohet të luajë në sjelljen e një forme, veçanërisht të atyre me zhvillim më të ulët. Majmuni tradicionalisht ka qenë kafsha më imituese, por nga studimet shkencore kjo ka rezultuar në një mit. E vërteta është se majmuni mëson shumë shpejt, por nuk imiton. Edhe qentë apo macet janë studiuar nga ky këndvështrim, por as mënyra e sjelljes së tyre nuk u pa se mund t'i shërbente qëllimit të nxitjes së të njëjtit akt mbi një formë tjetër". (po aty) Por, më shumë se cilido shkencëtar, mbi imitimin janë interesuar gjuhëtarët. Nuk ka gjuhë njerëzore që mund të mësohet pa imitimin e të rriturve nga të vegjlit. Pothuajse gjuha është vetë imitimi. "Në format njerëzore duket të ketë imitim në rastin e gjesteve zanore, një gjest ky i rëndësishëm për aq sa bën të mundur lidhjet e tij me gjuhën. Ndaj filologët, në veçanti, më parë sesa psikologët, të bënin studime të hollësishme, shkuan në përfundimin se njerëzit arrijnë t'i imitojnë tingujt që mund të dëgjojnë. Por, duhet të ketë një masë shumë të madhe dëshmish për këtë fenomen edhe në lloje të caktuara kafshësh, e sidomos në ato lloje që përdorin një artikulim të pasur fonetik, si p.sh., zogjtë. Harabeli mund të mësohet të imitojë mjaft mirë kanarinën, nëse do të lihet në një ambient të afërt me të. Edhe papagalli, siç dihet, mëson të flasë. Nuk është, siç do ta shohim, një e folur e rrjedhshme, sepse ai nuk arrin të përçojë ide, megjithatë, në përgjithësi, ne themi se ai është i aftë t'i imitojë tingujt që dëgjon përreth vetes". (po aty, f.71)

NË AKTRIM NUK JANË DUKE SHKUAR MBARË GJËRAT Shoqëritë kalojnë në faza të ndryshme të imitimit dhe krijimit, por synimi mbetet të bëhemi shoqëri model, që të ketë dikush të marrë diçka prej nesh. Prandaj, ta shpallim një strategji kombëtare e kulturore, për ta nxitur imagjinatën në pikturë, skulpturë, stil letrar, stil kinematografik, politikë, etj., sepse jemi shndërruar në një shoqëri totalisht imituese. As në aktrim nuk janë duke shkuar mbarë gjërat, pasi që aktori është shndërruar vetëm në një imitator. E mos të flasim me rolet imituese e tepër të mërzitshme të imitatorëve në emisionet televizive të mbrëmjes, ku aktorët (amatorët) meshkuj vishen si femrat dhe bastardojnë edhe vetë konceptin e aktrimit e të imitimit!

(Kosova Sot)