Tragjedia britanike në një akt

Tragjedia britanike në një akt
  • 26 June 2016 - 10:51

Shkruan: Chris Patten

Vendimi, për të dalë nga BE-ja, do ta dominojë jetën e britanikëve përgjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Ata, të cilët kanë votuar për ta fituar "pavarësinë", do ta kuptojnë që, jo që nuk e kanë fituar lirinë, mirëpo i kanë humbur edhe vendet e punës

Nata e së enjtes thuhet të ketë qenë shumë e rëndësishme për ata, që kanë bërë kampanjë për të dalë nga Bashkimi Evropian dhe për t'ia kthyer shpinën shekullit njëzetenjë. Unë pajtohem, të paktën me këtë gjë. Siç ka shkruar Cicero: "Shumë e mjerë dhe fatkeqe ka qenë ajo ditë". Vendimi për të dalë nga BE-ja do ta dominojë jetën e britanikëve përgjatë dhjetë viteve të ardhshme, nëse jo më gjatë. Njerëzit mund të flasin me saktësi të madhe sa i përket tronditjeve ekonomike - si në aspektin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë - mirëpo është e vështirë të paramendohet ndonjë rrethanë në të cilën Britania e Madhe nuk bëhet më e varfër ose me më pak ndikim në botë. Ata, të cilët kanë votuar për ta fituar "pavarësinë", do ta kuptojnë që, jo që nuk e kanë fituar lirinë, mirëpo i kanë humbur edhe vendet e punës. Së pari, referendumi e zvogëlon një çështje të komplikuar në thjeshtësi absurde. Lëmshi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe sovraniteti i përbashkët i përfaqë- suar nga anëtarësia e Britanisë në Bashkimin Evropian lënë nën hije nga premtimet dhe pretendimet e rreme. Britanikëve u është thënë që nuk do të paguajnë çmim ekonomik për faktin që po dalin nga BE-ja, dhe se nuk do të kishte humbje nga sektorët, të cilët kanë përfituar nga Evropa. Votuesve u është premtuar një marrëveshje e avancuar tregtare me Evropën (tregu më i madh i Britanisë), shkallë më të ultë të imigrimit dhe më shumë para për Shërbimet Nacionale të Shëndetësisë dhe mallrat e shërbimet publike. Mbi të gjitha, Britania, thuhej, do ta rikthente vitalitetin e nevojshëm për ta marrë botën përpara. Njëri nga tmerret që pritet të ndodhë do të jetë rritja e zhgënjimit në mesin e mbështetësve të kampanjës për largim, gënjeshtrat e të cilëve do të dalin në shesh. Votuesve u është thënë që do ta rimarrin vendin e tyre. Nuk mendoj që atyre do t'u pëlqejë mënyra se si do të rrjedhin gjërat. 

Forcimi i grupeve anti-evropiane Një tjetër arsye për katastrofën në fjalë është fragmentimi i dy partive politike kryesore të Britanisë. Për vite të tëra, grupet anti-evropiane kanë gërryer autoritetin e liderëve konservativë. Për më tepër, secili nocion i disiplinës së partisë dhe besnikërisë së brendshme, do të rrënohet. Edhe më keq pritet të ndodhë në Partinë Laburiste, mbështetësit tradicionalë të së cilës kanë votuar në masë të madhe për largimin e vendit të tyre nga BE-ja. Me 'Brexit'-in, ne kemi parë stilin e Donald Trump-it tek vjen në Britani. Është e qartë që kemi të bëjmë me një ashpërsi të madhe, si një lloj cunami, ndaj çdokujt që konsiderohet pjesë e "establishment"- it. Ata që kanë bërë kampanjë për 'Brexit' si puna e Michael Gove-t, kanë mohuar pretendimet e të gjithë ekspertëve. Atëherë, pa marrë parasysh se a ka qenë guvernatori i Bankës së Anglisë, kryepeshkopi i Kantërbërit apo Presidenti i Shteteve të Bashkuara, këshilla e tyre nuk do të thoshte asgjë. Të gjithë portretizoheshin si përfaqësues të botës tjetër, pa asnjë lidhje me britanikët e rëndomtë. Kjo gjë na çon në arsyen e tretë për votën pro 'Brexit'-it: Rritja e pabarazisë sociale ka kontribuuar në revoltën kundër elitës së supozuar metropolitane. Anglia e vjetër industriale, në qytetet e si puna e Sanderlandid dhe Mançesterit, kanë votuar kundër Londrës. Atyre u është thënë që globalizimi shkon vetëm në të mirë të të pasurve dhe në dëm të të gjithë të tjerëve. Përtej këtyre arsyeve, nuk ndihmon fakti që për vjet të tëra pothuajse askush nuk e ka mbrojtur anëtarësinë e Britanisë në BE. Kjo gjë ka krijuar një vakuum, duke lejuar mashtrimet dhe iluzionet për t'i maskuar përfitimet e bashkëpunimit evropian dhe duke inkurajuar përshtypjen që britanikët janë shndërruar në skllevër të Brukselit. Votuesit pro 'Brexit'-it janë ushqyer me një koncept qesharak të sovranitetit, që i ka detyruar ata ta zgjedhin pavarësinë pantomimë para interesit kombëtar. Mirëpo, ankesat dhe rënkimet nuk i bëjnë mirë askujt. Në këto rrethana, partitë e shqetësuara duhet të mundohen ta sigurojnë atë që është më e mira për Britaninë e Madhe. Dikush mund të shpresojë që ata që kanë bërë kampanjë për dalje të Britanisë kanë pasur të paktën një gjysmë të drejtë, sado e vështirë që mund të duket një gjë e tillë. Mirëpo, pa marrë parasysh se çka ka ndodhur, njerëzit duhet të mundohen ta nxjerrin më të mirën e mundur. 

 

Cilat janë sfidat? Tri sfida imediate na vijnë në mendje. E para, tani që David Cameron-i e ka bërë të qartë që do të jap dorëheqje, krahu i djathtë i Partisë Konservative dhe disa nga anëtarët e saj më të ashpër do ta dominojnë qeverinë e re. Cameron-i nuk ka pasur zgjedhje tjetër. Ai nuk ka mundur të shkojë në Bruksel për të negociuar diçka që nuk e ka mbështetur. Nëse pasardhësi i tij është një lider i 'Brexit'-it, Britania mund të pres që do të udhëhiqet nga dikush që i ka kaluar dhjetë javët e fundit duke përhapur gënjeshtra. E dyta, nyjat që e mbajnë Britaninë e Madhe të Bashkuar - veçanërisht Skocia dhe Irlanda Veriore, të cilat kanë votuar për qëndrim në Evropë - do të tendosen edhe më shumë. Shpresoj që revolta e 'Brexit'-it nuk do të çojë në një votë për shpërbërje të Britanisë, mirëpo kjo gjë ka shumë mundësi të ndodhë. E treta, Britania do të detyrohet ta fillojë negocimin e daljes së saj sa më shpejt. Është e vështirë të mendohet se si këto negociata do të sigurojnë një marrëdhënie më të mirë të Britanisë me BE-në sesa ajo që e ka sot. Të gjithë britanikët do të detyrohen t'i bindin miqtë e tyre nëpër botë që nuk kanë vendosur të largohen edhe nga mendimet e moderuara. Kampanja e referendumit ka ringjallur politikën nacionaliste në Britani të Madhe që gjithmonë është e ndërlidhur me racën, imigrimin dhe teoritë e ndryshime konspirative. Detyra e të gjithë neve që jemi pjesë e kampit pro-evropian është që t'i frenojmë të gjitha forcat që janë lëshuar nga 'Brexit'-i dhe të sigurohemi për rikthimin dhe ruajtjen e vlerave që, në të kaluarën, na kanë sjellë shumë miq e dashamirë nëpër botë. E gjithë kjo kishte filluar në vitet e 1940-a, me Winston Churchill-in dhe vizionin e tij për Evropën. Mënyra se si kjo do të përfundojë mund të shpjegohet me aforizmin e famshëm të Churchill-it: "Problemi më i madh i vetëvrasjes politike është se duhet të jetosh dhe të pendohesh". Në fakt, shumica e votuesve për largim mund të mos jetojnë mjaftueshëm sa për t'u penduar. Mirëpo, votuesit e rinj po.

Chris Patten ka qenë guvernatori i fundit britanik në Hong-Kong dhe ka qenë komisionar i BE-së për çështje të jashtme. Tani është rektor në Universitetin e Oksfordit. Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"