Lugina e Diellit apo Lugina e Djajve!

Lugina e Diellit apo Lugina e Djajve!
  • 27 June 2016 - 08:10

Këto veprime të Beogradit dhe moszbatimi i disa marrëveshjeve të Brukselit, pa e çarë kokën fare, janë shenja të matjes së durimit të popullit shqiptar në Kosovë, por edhe të fillimit të një lufte të ftohtë mes dy shteteve, e inicuar kjo nga Serbia, meqë Kosova nuk ka as kapacitete, por as qëllime për një gjë të tillë.

Çështja e shumëpërfolur e ndërtimit të 300 shtëpive të reja në "Luginën e Diellit", ka treguar edhe njëherë pafuqinë e Qeverisë së Kosovës dhe destruktivitetin që ekziston brenda disa liderëve të mazhorancës, me deklarata kundërthënëse. Nga njëra anë duke u bazuar në pakon e Ahtisarit dhe nënshkrimin e marrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, synohet që popullit ky projekt t'u servohet si një drejtë e pamohueshme, e që realisht paraqet një rrezik të madh për sovranitetin e vendit, mirëpo edhe për shtrirjen e (pa)fuqisë së shtetit të Kosovës dhe institucioneve tona në atë pjesë. Marrëveshjet bilaterale, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, nënkuptojnë që duhet të ketë reciprocitet në vendimet e nënshkruara. Ne e dimë që tani e 17 vite a kanë mundur shqiptarët të ndërtojnë shtëpi në pjesën veriore apo në lagjen "Kroi i Vitakut" ku u pati tentuar disa herë që të rikthehen ata. Edhe pse brenda shtetit të tyre, shqiptarët në pjesën veriore nuk guxojnë të administrojnë parcelat e tyre, e lerë më të investojnë në to. Procesi i integrimit të serbëve dhe kthimi i tyre në Kosovë do të duhej të ndodhte paralelisht me kthimin edhe të shqiptarëve në pjesën veriore dhe njëkohësisht t'u garantohet siguria për jetesë këtyre të fundit. Ky projekt serb, i cili me plot kuptimin e fjalës është shovinist, edhe në qoftë se realisht tenton që t'i rikthej serbët, që kanë qenë banorë të dikurshëm të asaj pjese, gjë që nuk e dimë sigurt, meqë mund të ketë manipulime në këtë proces nga pala serbe, nuk po duket fort i nisur për qëllime të mira, për shkak se në krye të këtij projekti po qëndron i ashtuquajturi shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq,e jo përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Fondi për Veriun Ne nuk mund ta harrojmë assesi që ky projekt është planifikuar prej kohësh dhe në këtë ka gisht edhe vetë Qeveria e Kosovës. Duke u nisur nga vendimi i dhjetorit 2013 për krijimin e një fondi, nga i cili do të përfitojnë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku, pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, na ngrit dyshime që ky fond ka pasur një prapavijë pse është krijuar. Shqetësimin e rrit edhe më shumë fakti se ky fond nuk është prekur fare tani e tri vite, i dedikuar për projekte kapitale në komunat veriore me shumicë serbe, ngaqë Bordi menaxhues i tij nuk ka qenë funksional ne kontinuitet, ani pse në të mjetet janë derdhur vazhdimisht. Burimet fillestare të fondit të zhvillimit është thënë se do të jenë nga taksat doganore, taksat indirekte dhe obligimet e tjera në dy pikëkalimet kufitare në Veri - Jarinjë e Bërnjak - siç janë tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza. Deklarata e ministrit të Financave, Avdullah Hoti, se në këtë fond zhvillimor, i dedikuar për pjesën veriore deri tani janë mbledhur 10 milionë euro, tregon qartë se edhe tek rasti i ndërtimit të"Luginës së Diellit", nuk ka pasur nevojë fare që Beogradi të jetë sponsorizues financiar, meqë komuniteti serb fondet i kanë të gatshme nga shteti i Kosovës, një pjesë e madhe prej të cilëve as që e njohin këtë shtet, por as nuk kontribuojnë për ndërtimin e tij në asnjë formë, duke mos i paguar taksat dhe detyrimet karshi shërbimeve të shtetit. Për këtë arsye, i bëj thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë, por edhe tregtarëve shqiptarë, që kur hyjnë në Kosovë, të mos kalojnë nga dy pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, meqë një pjesë e kontributit tyre në doganë u takon ex-officio komunitetit ardhacak serb.

Taktikat propagandistike kriminale Ky kolonizim i tokës së Kosovës nga Serbia, tani është duke u bërë në mënyrë diplomatike, pasi që i ka shterur të gjitha format dhe taktikat propagandistike kriminale përmes grupeve dhe strukturave, që i posedon në Kosovë, e si gjithnjë politika serbe është shumë hapa para asaj të Kosovës, ani pse liderët tanë mburren për përfaqë- suesit e tyre diplomatikë të dështuar. Në këtë rast, Beogradi, po dëshiron ta paraqesë pafuqinë dhe brishtësinë e shtetit të Kosovës që e ka në Veri, ku vetëm me dëshirë dhe vullnet të Beogradit mund të shuhen strukturat paralele, e nga ana tjetër kryeministri Mustafa ka fuqi vetëm kundërshtuese nga sedilja e tij në Prishtinë, për projektet që synohen të realizohen nga Beogradi, meqë çdo veprim policor në Veri, kundër serbëve, ani pse është në pajtim të ligjit do të thotë acarim të marrëdhënieve me Serbinë. Kështu së paku interpretohet. Me të marrë vesh se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të ketë fuqi të madhe, atëherë Serbia reagoi në mënyrë të shpejtë, duke u munduar ta popullojë këtë pjesë, bile është në gjendje t'u ofrojë edhe paga të majme pa punuar fare atyre që pranojnë të "kthehen", vetëm e vetëm që fuqinë për destabilizimin e situatës kurdo-qoftë në Kosovë, ta ketë në dorë Beogradi. Tendencat e tyre janë që sa më shumë të jetë e mundur të(mbi)popullohet kjo pjesë, e nuk duhet të çuditemi që ky numër mund të arrijë edhe shifrën gjysmëmilionëshe, për arsye se në të ardhmen e afërt përmes Asociacionit, me kaq numër relativisht të madh të popullsisë të kërkohet autonomia e tyre, kartë që e kanë përdorur edhe tek rasti i Bosnjës. Tek ne flitet për sovranitet të vendit, por ai ekziston vetëm si i shkruar në Kushtetutë, po aq sa shkruan se të gjitha komunitetet janë të barabarta, dhe po aq sa shkruan se vendi ynë është shtet demokratik e ligjor. Favorizimi i komunitetit pakicë serb, karshi komuniteteve të tjera pakicë, por bile edhe karshi pjesës shumicë shqiptare në disa raste, nuk është parë askund përveçse tek rasti i Aparteidit në Afrikë të Jugut, ku pakica e bardhë e huaj udhëhiqnin dhe dirigjonin shumicën vendase me ngjyrë të zezë.

 

Prishtina zyrtare de-fakto e ka humbur "luftën" në paqe Edhe më shumë e rëndon situatën fakti që këto shtëpi planifikohen të ndërtohen përmbi gërmadhat e shtëpive të djegura të shqiptarëve nga forcat serbe. Prishtina zyrtare de-fakto e ka humbur "luftën" në paqe, meqë në dialog me Serbinë ka pranuar që Beogradi të ketë qasje në një pjesë të vendit, përmes çfarëdo mundësie, qoftë për qëllime investuese apo për integrimin e komunitetit serb, që gjithmonë kanë pasur prapavijë politike dashakeqe. Ndikimi i një shteti të huaj, e sidomos të një shteti armik në të kaluarën, i cili edhe sot ka ngritur synime territoriale në vend është i papranueshëm, jolegjitim dhe antikushtetues. Institucionet e Kosovës medoemos po mundohen që të kontribuojnë në rikthimin e serbëve, thuajse shteti ynë nuk do të mundet të ecë përpara pa ta. Standardet e dyfishta janë aplikuar deri më tani vetëm në favor të komunitetit serb, ani pse të tillët u kanë borxh qindra miliona euro korporatave shtetërore të Republikës së Kosovës. Kosova asnjëherë nuk e ka ngritur shqetësimin për shqiptarët e Luginës, të cilët nuk kanë as Universitet e as Maternitet, e bile nuk u lejohen as librat në gjuhën shqipe të dërguara nga Republika e Kosovës. Kosova duke harruar të kaluarën e hidhur, të cilën kanë filluar mos ta përmendin, së paku për poena politikë karshi bashkësisë ndërkombëtare, kartën e viktimës shpeshherë e ka spostuar pa qëllim tek serbët. Këto veprime të Beogradit dhe moszbatimi i disa marrëveshjeve të Brukselit, pa e çarë kokën fare, janë shenja të matjes së durimit të popullit shqiptar në Kosovë, por edhe të fillimit të një lufte të ftohtë mes dy shteteve, e inicuar kjo nga Serbia, meqë Kosova nuk ka as kapacitete por as qëllime për një gjë të tillë.

ALBRIM BADALLAJ -Kryetar i Unionit t? Studentëve Shqiptarë