Anglia preferoi referendumin si modelin më të avancuar të demokracisë

Anglia preferoi referendumin si modelin më të avancuar të demokracisë
  • 29 June 2016 - 08:06

Shkruan: Skënder Mulliqi

Duke shmangur referendumin, nuk po e respektojmë realitetin, nuk po e respektojmë një akt madhor demokratik

'Brexit' ka fituar, sepse votuesit e moshuar anglezë si duket ishin ngopur me autoritarizmin dhe irracionalizmin e strukturës së BE-së. Anglezët duket se kanë dëshiruar një BE më demokratike dhe më të besueshme. Është punë më shumë e ekspertëve ta elaborojnë daljen e Anglisë nga BE-ja, kur bëhet fjalë sidomos për aspektin ekonomik. Si duket, shtetet e dala nga komunizmi dhe sidomos vendet ballkanike ende nuk po e kuptojnë se referendumi është formë më demokratike. Shtetet e zhvilluara moti e kanë tejkaluar kuptimin e referendumit si një model i avancuar i demokracisë. Shteti helvetik, i cili ka një zhvillim të lartë ekonomik, kulturor, vend i cili asocion në banka, asocion në orë, zhvillim ekonomik, çokollata ….- Zvicra në mënyrë dominante preferon institucionin e referendumit. Gjithashtu e dimë së bëhet fjalë për një shtet, ku jeta e qytetarëve është e standardit shumë të lartë, me kultura dhe entitete të ndryshme në përbërjen e saj. Të gjitha entitetet manifestojnë tolerancën dhe patriotizmin e tyre duke respektuar ligjin , duke respektuar punën me një precizitet dhe disiplinë të jashtëzakonshme. 

Manipulimet me temën e referendumit Zvicra është vend model i prosperitet, shtet ku çdo gjë funksionon si ora zvicerane, siç thuhet. Me të drejtë shtrohet pyetja pse referendumi edhe te ne mos të kuptohet si akti më i lartë i demokracisë, e jo siç po ndodh të kuptohet si diçka e imponuar. Pse mos të kemi edhe ne rregulla të njëjta? Referendumi është akti më i lartë vendimmarrës, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kapitale për një shtet dhe për një komb. P.sh., pse mos të zgjidhet presidenti i vendit me referendum? Dihet se qysh dhe si u zgjodh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. A është president legjitim Thaçi, kur u votua së pari në rrethana politike gati të jashtëzakonshme dhe u votua vetëm me votat e PDK-së dhe LDK-së? Apo do të ishte krejt legjitime zgjedhja e tij për president me referendum. Veç ai i cili nuk do ta pranojë për shkak të interesave të ngushta personale, se cila është forma më legjitime dihet. Duke shmangur referendumin, më duket mua nuk po e respektojmë realitetin, nuk po e respektojmë një akt madhor demokratik. Duke u larguar nga forma e referendumit si pjesë e zgjedhjes së problemeve të brendshme, edhe organet shtetërore do t'i kemi jo autonome në kuptimin e plotë të fjalës, ku do të vijë në shprehje forma e absolutizmit si formë jodemokratike e qeverisjes me shtetin. Pushtetarët tanë temën e referendumit dëshirojnë ta prekin vetëm atëherë, kur atyre u shkon në interesin e tyre. Herëve të tjera, temën e referendumit dëshirojnë ta kuptojnë ose ta shohin si propagandë. Manipulimet me temën e referendumit shtetin mund ta sjellin në kriza të rënda.

Shkurorëzimet eventuale të reja nga BE-ja Anglia është larguar. Unioni Evropian ende ekziston, edhe pse ka mundësi që të shkojë kah shpërbërja, kur dihet se edhe disa shtete, të cilat më shumë janë të prekura nga kriza globale ekonomike dhe numri i lartë i të papunëve, po mendojnë daljen nga struktura e BE-së. Shumë faktorë politikë dhe të natyrës ekonomike do të jenë vendimtarë për funksionimin e mëtutjeshëm të BE-së. Edhe pse analogjitë në këtë rast janë krejt të natyrave të ndryshme, megjithatë dalja apo shkëputja e Anglisë nga BE-ja shumë po i ngjan shpërbërjes së ishJugosllavisë. Çdo krijesë artificiale herët ose vonë e pret shpërbërja e plotë. Do të duhej të këtë një mirëkuptim nëse ndodhin shkëputje të radhës. Kjo që po e them mund të jetë vetëm një supozim. Sigurisht se do të bëhen ende komentime të ndryshme rreth 'Brexit'-it, por diçka është e sigurt se referendumi ishte dashur të pranohet nga të gjithë si shumë legjitim. Shembulli i Anglisë sigurisht se do t'i zgjojë nga gjumi burokratet e Evropës dhe përgjithësisht shtetet demokratike , që ta ndryshojnë mënyrës e qasjen e zgjidhjeve të problemeve kruciale politike dhe të problemeve ekonomike jo vetëm brenda BE-së. Shkurorëzimet eventuale të reja nga BE-ja do të duhej të bëhen pa turbulenca të mëdha, të cilat do t'i shkaktonin telashe shtesë mbarë njerëzimit.