Qëndrueshmëria ekonomike dhe rëndësia e saj për Kosovën

Qëndrueshmëria ekonomike dhe rëndësia e saj për Kosovën
  • 29 June 2016 - 08:09

Shkruan: Ardi Nokaj 

Në situatën e pasluftës, efektet negative të mungesës së sovranitetit janë reflektuar negativisht në shumë fusha, dhe sidomos në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar me organizatat ndërkombëtare

A mundet Kosova të ketë ekonomi të qëndrueshme? Kjo është një pyetje, e cila shtrohet shpesh, sidomos lidhur me çështjet e tjera, të cilat janë të ndërlidhura me statusin përfundimtar të vendit. Natyrisht se kjo është një çështje shumë me rëndësi, e cila ka ndikim direkt në dinjitetin dhe në cilësinë e jetesës së kosovarëve. Megjithatë, sa herë që kjo shtrohet në aspektin (konotacionin) "për" ose "kundër" vullnetit të shumicës së kosovarëve, jo rrallë merr kah dhe kuptim spekulativ, sepse gjithashtu mund të shtrohet edhe pyetja se kush tjetër do të sigurojë qëndrueshmi ekonomike të vendit, në qoftë se këtë nuk e bëjnë vetë kosovarët. 

Qëndrueshmëria ekonomike e ndërlidhur me cilësinë e qeverisjes Faktet historike të paraqitura më poshtë dëshmojnë se rritja ekonomike e Kosovës ka qenë proporcionale me mundësinë e kosovarëve që të qeverisin vetveten, si dhe me çështjet të cilat janë shumë të ndërlidhura me stabilitetin politik. Qëndrueshmëria është diçka të cilën qeveria e ka për borxh ta sigurojë për qytetarët e saj. Në rastin e shoqërive demokratike, mospërmbushja e kësaj detyre do të sillte fitimin apo humbjen e zgjedhjeve. Qëndrueshmëria ekonomike në kohët moderne të ndikimit të teknologjisë është më shumë e ndërlidhur me cilësinë e qeverisjes sesa me pasuritë dhe burimet natyrore. Në anën tjetër, është e qartë se, varësisht nga qëndrueshmëria ekonomike, Kosova do të bashkohej apo do të mbetej prapa shoqërive prosperuese dhe do të ishte në pozitë që të përmbushë pritjet dhe ambiciet e qytetarëve të saj. E tërë kjo çështje është më shumë e lidhur me periudhën pas finalizimit të statusit të vendit. Nga këndvështrimi tjetër do të mund të diskutohej ndikimi i sovranitetit dhe rëndësia e tij në rritjen ekonomike. Sovraniteti dhe kontrolli i territorit, përfshirë resurset e tij natyrore, ndikon drejtpërsëdrejti në investimet afatgjata. Ai gjithashtu ka efekt edhe në marrjen e vendimeve, që kanë të bëjnë me prioritetet dhe çështjet vetjake. 

Kufiri i varfërisë Paqartësia politike kufizon mundësinë për alternativa, definim të rendit dhe të qeverisjes ekonomike. Në situatën e pasluftës efektet negative të mungesës së sovranitetit janë reflektuar negativisht në shumë fusha dhe sidomos në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar me organizatat ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore, OBT dhe organizatat tjera financiare ndërkombëtare-tregtare, si dhe në marrëdhëniet me vendet e tjera, në privatizim dhe në krijimin e një klime të favorshme për investitor. Pyetja, e cila tani shtrohet dhe kërkon përgjigje ka të bëjë me strategjitë dhe politikat për sigurimin e burimeve për zhvillim në të ardhmen dhe për tejkalimin e pazhvillueshmërisë. Edhe më qartë kjo ka të bëjë me politikat që duhet ndjekur që Kosova të jetë një vend me prosperitet dhe i ndërlidhur me botën e zhvilluar. Para se të tentojmë të japim përgjigje në këtë pyetje, do të mundohemi që së pari të japim një pasqyrë të shkurtër lidhur me historikun e rritjes ekonomike të Kosovës, si dhe përshkrimin e gjendjes aktuale dhe sfidat me të cilat ajo mund të përballet në rrugën drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike. Sipas statistikave të Bankës Botërore për vitin 2015, del se 29.7 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë nën vijën kombëtare të varfërisë, ndërsa 10.2 për qind në varfëri të skajshme. Kur merret parasysh kufiri i varfërisë dhe varfërisë së skajshme, që është vetëm 1.72 dhe 1.20 euro në ditë respektivisht, mund të konstatohet se gjendja është e mjerueshme dhe Qeveria duhet të ketë kujdes të shtuar gjatë hartimit të politikave. Privatizimi nuk është zgjidhje e problemit ekonomik, por zgjedhja e këtij problemi është të investohet në rigjenerimin e prodhimit, si dhe në fushën e industrisë së përpunimit të prodhimit. 

(Kosova Sot)