Femrat shqiptare të ndjekin shembullin e Violeta Berishës

Femrat shqiptare të ndjekin shembullin e Violeta Berishës
  • 30 June 2016 - 08:12

Shkruan: Reshat Badallaj Zhuriani 

Para një gjysmë shekulli, Zef e Drane Berisha nga Shpinadia e komunës së qytetit historik Prizrenit, si të gjithë shqiptarët, ia kishin lënë shenden pragut të shtëpisë për një jetë më të mirë. I pari i shtëpisë, zotëri Zef Berisha, ishte mërzitur shumë kur ia kishte kthyer shpinën Kosovës, por ishte zotuar se kohën në kurbet nuk do ta çojë kot, do të interesohet për familjen dhe atdheun. Iu kishte ngulitur thellë në kokë ajo se: Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënë koka... Burri nga Prizreni, Zef Berisha, ishte vendosur në Hanover të Gjermanisë dhe kudo ku kishte punuar në dikastere të ndryshme ishte dalluar me punën dhe kulturën si ndër punëtorët më të mirë dhe burri i fjalës dhe i besës. Ishte zotuar se djersa e ballit nuk do t'i dhimbset fare që të shkollohen fëmijët e tij. Filluan t´i lindin fëmijët një nga një. Njëri nga fëmijët lindi edhe vajza Violeta Berisha. Xha Zefi dhe nëna Drane ishin gëzuar tej mase, por burrit të Kosovës, Zef Berishës, i kishte mbetur merak që vajin e parë foshnjarak të Violetes, kur i kishte rënë koka për herë të parë në dyshek, nuk e kishte shoqëruar me krisma pushke nga gëzimi si në trojet tona...

Fiton shumë procese gjyqë- sore Violeta Berisha rritet si lule, por si fëmijë kishte lënë shenja se do të bëhej vajzë çapkëne, këmbëngulëse dhe e vendosur. Me sjelljet e saja kishte lënë gjurmë kudo si femër shumë e kulturuar dhe e zonja si në punë dhe shkollë. Ishte zotuar se nuk do të çojë kot djersën e prindërve që e kishin rritur dhe iu kishte përveshur punës për të kryer shkollën. Violeta, pasi mbaron gjimnazin në Hanover me sukses të shkëlqyeshëm, ajo nuk i ndahej librit, duke i lënë anash aktivitetet e tjera që nuk çonin peshë dhe regjistrohet në Universitetin e njohur në Bremen, qytet në Gjermani dhe natyrisht e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm. Dhe, nuk mbetet me kaq, por i regjistron dhe vazhdon studimet në degën juridike, në kryeqendrën e Saksonisë së Poshtme, Hanover, duke diplomuar në afat rekord dhe diplomohet avokate. Zonjusha e çeliktë, Violeta Berisha, që nga biseda i ngjante Margaret Thatcher, punon si avokate, si gjyqtare dhe prokurore e shtetit. Pasi kaloi nëpër këto sita me përgjegjësi morale dhe penale shtetërore, gjithmonë e sigurt dhe e vendosur në punën e saj, ajo vendos të hapë zyrën e avokaturës në qendër të Hanoverit. Meqë kishte bërë emër jo vetëm në Hanover dhe Gjermani, por në tërë botën shqiptare, bile si thanë disa shqiptarë mërgimtarë:"Ah, ajo shqiptarja të heq prej konopit, shumë të ndihmon...", duke fituar shumë procese gjyqësore. Me të dëgjuar për sukseset e kësaj shqiptare ne u gëzuam pa masë dhe shkuam gjurmëve të saj, biseduam në telefon dhe lamë të bisedojmë në zyrën që tashmë ishte bërë e njohur, jo larg qendrës së qytetit dy-tre minuta këmbë. Zonjusha Violeta Berisha pranoi me kënaqësi dhe ne u nisëm drejt zyrës së saj në rrugën Osterstrase, numër 39, në Hanover, dhe pa fije problemi e gjeta, në mur lexova Rechtsanëaltin Violeta Berisha. Pasi i ramë ziles poshtë, sekretarja e saj dha shenjen që të ngjitemi lart shkallëve në katin e parë. Hapi derën dhe me buzëqeshje na priti zonja me shumë elegancë te dera në hyrje. Pasi u prezantova në gjermanishte, ajo më urdhëroi të hyj brenda. Në zyrë qëndronte zonja Violeta Berisha e përpiktë në termin. Brof bëri nga vendi dhe më zgjati dorën dhe me uroi mirëseardhje në gjuhën tonë shqipe! Më priti sipas adeteve dhe zakoneve shqiptare që i kishte ruajtur me fanatizëm. Gjuhen e fliste aq rrjedhshëm që ju garantoj edhe ato vajza që janë lindur, rritur dhe jetojnë në Kosovë nuk e flasin as përafërsisht dhe mu për këtë përkthen nga gjuha shqipe në gjermanishte për të gjithë ata që kanë nevojë për dokumente të ndryshme dhe zyrtare.

 

Përkthyese e licencuar Zonjusha Violeta Berisha është përkthyese e licencuar nga organet shtetërore. Biseduam gjerë e gjatë për jetën e saj në sferën e punësimit dhe shkollimit që të lë gojëhapur dhe fluturoja nga gëzimi se kaq lart ka arritur një femër shqiptare. Femra shqiptare kudo që jeton duhet të tregojë veten se është shqiptare vetëm me punë dhe me dije dhe jo si disa femra që mjerisht jam i detyruar t´i zërë n´gojë për të keq, me kërthizë zbuluar në pikë të diellit, si kokërr arre që të gërditë dhe me fjalorin e ndyrë, si në autobus, tramvaj...Gjatë bisedës që bëmë nuk na iku edhe politika, që e njihte si të ishte diplomate. Situatën politike aktuale në trojet tona shqiptare e njihte dhe përcillte si të ishte dhe të jetonte në Kosovë e gjetke, aty ku flitet gjuha e arbërit. Përpos femrës intelektuale që tashmë ka bërë emër në botën shqiptare edhe Zoti i madh ia kishte falur bukurinë e rrallë, bile unë me shaka i thashë se ia kalonte edhe Dianës...Vlen të theksohet se ditë më parë ishte në Kosovë, me ftesën e Ministrisë së Diasporës, dhe pikërisht nga ministri, z. Valon Murati. Në ndarje i uruam shumë suksese në punën e përditshme. Ndërkaq, nuk do të ishte keq që femrat shqiptare të ndjekin rrugën e zonjushës Violeta Berisha, për t´i treguar botës me punë e dije dhe jo të bredhin rrugëve dhe të humbin kohën kot.

(Kosova Sot)