Pse ky "indiferentizëm" i shoqërisë civile për reformën në drejtësi?

Pse ky
  • 01 July 2016 - 08:07

Shkruan: Skënder S. Kapiti

Rreshtimi i gabuar i rinisë shqiptare

Politika aktuale shqiptare po e mban peng Shqipërinë dhe integrimin e saj prej 25 vjetësh

Nuk është e pranueshme sidomos sot në shekullin e 21-të që akoma, dhe në Evropë madje ku aspirojmë të integrohemi, që shoqëria jonë të pranojë pengmarrjen politike të saj dhe të presë që zgjidhjet t'i vijnë gjithmonë nga lart

Një shoqëri e civilizuar kurrë nuk do ta pranonte këtë Sistem Drejtësie dhe këtë farë politike që e ka degraduar sistemin e drejtësisë, shoqërinë dhe shtetin shqiptar deri në këtë gjendje. Nuk është e pranueshme sidomos sot në shekullin e 21-të që akoma, dhe në Evropë madje ku aspirojmë të integrohemi, që shoqëria jonë të pranojë pengmarrjen politike të saj dhe të presë që zgjidhjet t'i vijnë gjithmonë nga lart, madje duke u pajtuar dhe pranuar poshtërsitë, tradhtinë, korrupsionin dhe të këqijat e tjera që i vijnë shoqërisë shqiptare nga "lartësia" e pushtetit dhe e politikës antihumane, antisociale, të papërgjegjshme, të kriminalizuar dhe të korruptuar. Me sa dëgjojmë, pothuajse asnjë familje shqiptare nuk i ka shpëtuar padrejtë- sisë dhe korrupsionit nga drejtësia e padrejtësisë shqiptare, pasi shumica ankohen dhe deklarohen me fjalë në media kur u jepet mundësia, por edhe klubeve dhe kafeneve, por çuditërisht nuk shohim ndonjë reagim apo protestë të shoqatave apo të shoqërisë civile kundër politikës dhe politikanëve shqiptarë të cilët e kanë bllokuar dhe e pengojnë qëllimisht Reformën në Drejtësi që të mos kryhet; apo padrejtësia, korrupsioni e varfëria dhe anormaliteti juridiko-civil e ka paralizuar dhe kompromentuar edhe shoqërinë civile duke bërë pajtimin e saj me këtë farë sistemi drejtësie dhe duke e pranuar ajo këtë sistem dështak e korruptiv politikojuridik si kulturë masive?

SHBA, aleati strategjik i Shqipërisë

Popull, mos prisni se po ju fton politika qoftë pozita në ndonjë protestë apo pushteti me antiprotestë për t'u bërë Reforma në Drejtësi, pasi vetë politika pothuajse e gjitha e korruptuar dhe kriminale nuk e dëshiron atë dhe ndëshkimin e vetes së saj, por mjerisht edhe shoqëria civile mesa duket është atrofizuar dhe e sëmurë nga padrejtësia dhe nga ndërgjegjësimi negativ i saj se drejtësinë e jep vetëm paraja, ryshfeti, korrupsioni dhe politika përderisa nuk po reagon as ajo. Ky indiferentizëm i shoqërisë civile tregon se ajo nuk funksionon, por ajo dhe shoqatat e saj varen nga liderët e tyre të cilët paguhen, joshen dhe drejtohen e urdhërohen edhe ata nga politika dhe interesi personal i tyre, pra edhe liderët e të ashtuquajturave OJQ-ve, patriotike, kulturore e gjithsoji janë të paralizuara dhe të blera nga politika dhe paraja e saj dhe e korrupsionit, dhe nuk ju intereson as interesi i publikut, as ai kombëtar dhe as ai i kolektivitetit të cilin e kanë privatizuar. Pse nuk proteston dhe nuk reagon civilizisht, paqësisht dhe demokratikisht shoqëria civile, rinia dhe studentët dhe pse nuk solidarizohen ata as me kërkesën e faktorit demokratik perëndimor sidomos të atij amerikan për Rëndësinë që ka për Shqipërinë dhe për shqiptarët bërja e Reformën në Drejtësi sot, por para dy vjetësh studentët dhe shoqëria civile "shpërthyen"në protesta antiamerikane kundër demontimit të armëve të Sirisë, proces ky i demontimit të armëve i ndërmarrë nga miku dhe aleati strategjik i Shqipërisë, SHBA, që ishte edhe ky i një rëndësie të jashtëzakonshme për prestigjin dhe interesin ekonomik dhe integrues për Shqipërinë? Si mund t'ia vëmë emrin kësaj apatie, indiferentizmi dhe të kësaj paralize të aktivitetit shoqëror të shoqërisë civile?

Politikanët e këqij

Pra, po vërtetohet ajo që e kam shkruar para rreth dy vjetësh me thirrje publike drejtuar diplomacisë së SHBA dhe të BE në mediat e shkruara se, pa ndërhyrjen vendimtare e serioze të SHBA-së dhe të shteteve kryesore të BE-së nuk bëhet Reforma në Drejtësi, por edhe po u bë ajo formalisht në letër, nuk ka për tu zbatuar nga kjo politika aktuale shqiptare që e mban peng Shqipërinë dhe integrimin e saj prej 25 vitesh. Nuk mund të kryhet shpejt dhe në kohë Reforma në Drejtësi përderisa vetë shoqëria nuk është akoma e mirë-edukuar dhe nuk e njeh mirë botën e ligjeve demokratike, prandaj kërkohet ndihma dhe se faktori ndërkombëtarë duhet të jetë promotori i Reformës në Drejtësi. Këtë besoj tanimë e dinë dhe janë ndërgjegjësuar tashmë edhe publiku shqiptar por edhe vetë ndërkombëtarët se me këtë politikë dhe me këta politikanë nuk realizohen as kushte, as vlera dhe as standarde moderne shteformuase, nuk ka as prosperitet dhe as mirëqenie, prandaj faktori ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion dhe ta detyrojë politikën aktuale shqiptare që të dekriminalizohet duke e larguar atë nga politika dhe këtë gjë e bën vetëm Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i ligjit, që dhe këto duhen të kontrollohen dhe të monitorohen rreptësisht nga ndërkombëtarët, sidomos nga SHBA. Edhe kohë më parë në shkrimet dhe opinionet e mia në shtypin e shkruar, kryesisht në gazetën tuaj e kam deklaruar se: më shumë progresin, zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë e duan SHBA sidomos, dhe BE se sa politikanët shqiptarë të cilët vetëm sa bllokojnë dhe i pengojnë ato. Nuk e di se prej Shpalljes së Pavarësisë, pra, prej 100 vitesh a ka bërë ndonjë gjë të madhe kombëtare vetë shoqëria shqiptare pa përkrahjen dhe pa ndihmën e aleatit tonë të madh jetik e strategjik, SHBA-në? Por mbi të gjitha duhet reagim i fortë antipolitik i shoqërisë shqiptare për ta detyruar politikën që ta bëjë Reformën, dhe në zgjedhjet demokratike, pse jo edhe të parakohshme te cilat edhe duhet t'í kërkojë ato shoqëria, dhe me votën e saj ta ndëshkojë ashpër këtë politikën e sotme të korruptuar dhe të kriminalizuar.