Vizita e Thaçit në Grackë të Lipjanit do të shërbejë si grackë për Kosovën?!

Vizita e Thaçit në Grackë të Lipjanit do të shërbejë si grackë për Kosovën?!
  • 22 July 2016 - 09:59

 Shkruan: Skënder Mulliqi

Përuli luftën tonë çlirimtare

Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje për viktimat e pafajshme shqiptare

Kjo vizitë ishte fyese jo vetëm për Kosovën, por ishte fyese për shqiptarët kudo që janë

Presidenti i Kosovës, i zgjedhur më votat e PDK-së , LDK-së, e të Listës Serbe, Hashim Thaçi, të mërkurën vizitoi memorialin e serbëve të vrarë në vitin 1999 në fshatin Grackë të Lipjanit. Kjo vizitë e Thaçit dhe përkulja e tij para një memoriali të serbëve të vrarë, që ende nuk dihet autori i vrasjeve apo autorët e vrasjeve, është më shumë së skandaloze. Kjo vizitë ishte fyese jo vetëm për Kosovën, por ishte fyese për shqiptarët kudo që janë. Kanë kaluar 17 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, e asnjë udhëheqës serb deri më tash nuk e bëri kërkimfaljen e vetme karshi shqiptarëve të vrarë dhe të masakruar barbarisht nga dora e tyre. Më parë serbët me kod gjenetik të prishur do të pranonin t’i këpusin dy duart se të vënë lule para lapidarëve të të vrarëve shqiptarëve në Kosovë.

I zgjedhur për president në rrethana të shtetrrethimit

Sikur Serbia të kishte kërkuar falje për viktimat e pafajshme shqiptare, do të ishte diçka tjetër, edhe pse çdo vizitë e tillë është e pajustifikueshme kur dihet se serbët ishin pushtues në Kosovë. Një vizitë e tillë e Thaçit ka për qëllim që me ‘ bisht nën shalë’, siç kishte thënë ai për opozitën në kohën e protestave, të shpëtojë disi nga Gjykata Speciale, kur dihet se raporti zviceranit, Dick Marti, ka ngritur akuza të rënda karshi presidentit Thaçi,  në kohën e luftës. Thaçi i bëri hisedarë shqiptarët në shpërbërjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë. Nuk di si të komentohet ndryshe një veprim i tillë. Ai edhe pse i zgjedhur për president në rrethana të shtetrrethimit dhe pa bekimin e bllokut opozitar, bën vizita të tilla thuajse ai është vetë shteti i Kosovës. Thaçi e përuli edhe luftën tonë çlirimtare, i poshtëroi ata, të cilët me krenari mbajtën në gjoks stemën e UÇK-së dhe përuli përgjithësisht luftën tonë çlirimtare.  Kjo vizitë ka mundësi  të shfrytëzohet nga Beogradi zyrtar dhe serbët për një fushatë të re antishqiptare dhe për një propagandë  para botës demokratike si cilësimi i shovinistëve  serbë se shqiptarët gjoja na qenkan terroristë.

Regjimet despotike

Ende nuk është tharë gjaku i djemve dhe vajzave, të cilët bënë që sot të jemi të lirë. Ende nuk janë kthyer eshtrat e 1200 të zhdukurve diku në varrezat masive të Serbisë, të cilët trupa i kanë bartur kriminelët serbë. E asgjë nuk do të ishte e çuditshme se pikërisht serbët janë ata të cilët kanë bërë edhe transplantime  të organeve të shqiptarëve. Në vend që përfaqësuesit e minoritetit serb në Qeverinë e Kosovës, të përkulën para martirëve dhe dëshmorëve të  gjenocidit serb , ata pa fije turpi dhe frike edhe i fyen nënat shqiptare - Jabllanoviqi në Gjakovë. Kjo deklaratë e çetnikut Jabllanoviq pati nxitur protesta masive. Jabllanoviqi, po të kishim shtet si duhet, do të ishte dashur detyrimisht të përgjigjet para organeve tona të drejtësisë. Po i njëjti para do ditësh vuri kurora lulesh te të vrarët serbë në Kosharen Legjendare. Edhe kësaj radhe fyerja e Jabllanovit që i bëri luftës tonë çlirimtare  kaloi pa u ndëshkuar. Kaloi  pa ndëshkuar se në krye të shtetit janë vënë dy njerëz, të cilët interesat e tyre personale për pushtet absolut i kanë vënë para interesave të Kosovës. Regjimet despotike të instaluara në Prishtinë dhe në Tiranë, nëse nuk largohen nga pushteti, druaj se nuk do t’i kemi punët hiç mirë si shtet dhe komb në Ballkanin Perëndimor. Këto regjime me veprimet e tyre jo të mira politike, dashur ose pa dashur  po  çojnë ujë në mullirin e qarqeve hegjemoniste të boshtit sllavo- ortodoks në hapësirat ballkanike…