Mos përhapni urrejtje për asnjë kulturë e popull!

Mos përhapni urrejtje për asnjë kulturë e popull!
  • 23 July 2016 - 11:29

Shkruan: Avni Rudaku

Debatet për Turqinë, por vetëm në fushën e kulturës

“Islamofobistët dhe islamistët” po përhapin urrejtje kontrakulturore

Me ardhjen e ‘Perëndimit’ në Kosovë, vlerat perëndimore filluan të lartësohen e përqafohen me shpejtësi dhe shtresat e arsimuara, apo edhe ato urbane, krijuan distancim nga filmat turq, muzika turke, etj., duke i gjykuar e duke i paragjykuar si ‘demode, tradicionalë, orientalë, të prapambetur, vajtuese, etj.

Në vitet e ’90-ta, sateliti kthehej me duar ose me ‘motor’ (resiver) sidomos kah Turqia në shumë shtëpi kosovare, por nuk mungonin as kanalet gjermane si Prosieben, RTL, ZDF, etj. Kanalet turke, si kanal D, ATV, e shumë të tjerë u bënë pjesë e përditshmërisë sonë, herë duke dëgjuar këngë turqisht, veçmas të Ibrahim Tatlises (pavarësisht se origjina e tij e mësuam vonë se nuk ishte turke); filmat e Kara Muratit, Ibrahimit, Hyrisë, Orhanit, Mahsunit… Nuk kanë munguar sidomos as filmat e Hong- Kongut dhe arteve marciale kineze, koreane e japoneze! Por, edhe filmat turq që i quanim ‘filma t’dhimbshëm’, ishin filma për dashuri të ndaluar apo të shfuqizuar nga familjet e traditat lokale turke. Kishte të tillë si filmi i Mahsunit, kur ‘ia rrëmbyen foshnjën në spital…”, ne u bëmë aq shumë të pikëlluar, sakaq e morëm sikur të ishte e vërtetë, e jo vetëm film! Dhe, pas luftës, dolën edicione komike televizive, si “Ujqit” nga Naser Rafuna dhe “Stupcat”, të cilët pikërisht përqeshnin të kaluarën tonë të lidhur aq fort me filmat turq, duke krijuar skena satirizuese sikur në filmat e dikurshëm turq, që “kur ndahej burri nga gruaja, ia fillonte menjëherë këngës së vajtimit nëpër binaret e hekurudhës së trenit! Kjo ishte karakteristike për filmat e atëhershëm turq!

Ka evoluar filmi turk, po ashtu sikur filmi shqiptar

Por gabojmë rëndë nëse mendojmë se kinematografia turke ka ngelur vetëm aty! Ka evoluar filmi turk, po ashtu sikur filmi shqiptar! Me ardhjen e ‘Perëndimit’ në Kosovë, vlerat perëndimore filluan të lartësohen e përqafohen me shpejtësi dhe shtresat e arsimuara, apo edhe ato urbane, krijuan distancim nga filmat turq, muzika turke, etj., duke i gjykuar e paragjykuar si ‘demode, tradicionalë, orientalë, të prapambetur, vajtuese, etj.’! Natyrisht, fuqia e Hollivudit, OSCAR-it, muzikës e kinematografisë perëndimore u shtri nga ndikimi jo vetëm në Kosovë, por kudo në glob! Muzika në gjuhë angleze po mbizotëron kudo! Mirëpo, sikur që në shumicën e kafeterive urbane që nuk ‘lëshojnë muzikë shqip’ se është ‘katunarçe a tradicionale’, ashtu u bë edhe ‘muzika turke’! E para ndodhi nga inferioriteti nacionalist dhe zhgënjimi me nacionalizmat në Ballkan, dhe e dyta ndodhi si rezultat i zhvendosjes së qendrave të ndikimit nga ajo turke në ‘perëndimore’! Por, kishte një grup shqiptarësh edhe nën Jugosllavi, por edhe kurdoherë, të cilët kanë një shije më të përzgjedhur, të cilët pëlqejnë muzikën jashtë këtyre parametrave të ngushtë vleror e kulturor, duke u lidhur vetëm me shijen e tyre artistike! Për këta, si në Jugosllavi, që shkonin në vitet e ’70-ta në Shkup për të blerë një CD të “The Beatles”, ashtu edhe sot e duan atë muzikë! Pra, edhe para luftës më të fundit, ne ishim thellësisht të ndikuar nga filmat turq e këngët turke, pa përjashtuar shtresat që dëgjonin vetëm rapsodi e çifteli apo edhe një grup të vogël që dëgjonin rok, xhez e rep. Nuk është thjesht vetëm investim i shtetit turk, pa e mohuar edhe atë dhe rolin më të rëndësishëm që ka kurdoherë, por ka pasur ‘honedon’ disa shtresa shoqërore shqiptare që kanë pranuar shumë këndshëm disa nga prodhimet turke, zakonet  e traditat turke, e kështu me radhë. Dhe secili prej nesh e dinë arsyen: të jetuarit me paraardhësit e tyre për shekuj me radhë, ngjashmëria me ta në fe, rezistenca e gjatë ndaj kulturave hegjemoniste fqinje dhe gjetja e një kulture pak më të largët jashtë rrethit të afërt fqinj e sllav, e kështu me radhë.

Edhe me popujt fqinjë sllavë kemi shumë ngjashmëri

Kur i lexoni kujtimet e Eqrem Bej Vlorës, mund t’u duket e habitshme, por është afër mendsh përsëri, kur thotë se kur i pyesnit shqiptarët se kush janë, ata thoshin deri rreth vitit 1910, “tyrk elhamdulilah”! Deri vonë, këtë shprehje e kemi dëgjuar shpesh edhe në mesin e shqiptarëve dhe akoma dëgjohet në gjeneratën e moshuar, por shumë më rrallë! Pra, nëse deri para 100 vjetësh, ka pasur shumë shqiptarë për shkak të sistemit politik që janë identifikuar me turqit aq thellë në identitet social, kulturor e politik, nuk ka nevojë të duket aq e çuditshme pse aq i lartë edhe sot interesimi i shqiptarëve për zhvillimet në Turqi. Pra, është absurde të flasësh në përgjithësi se ky përafrim me Turqinë, vjen vetëm për shkak të ndikimit turk dhe agjendave neo-otomane të zgjerimit në Ballkan! Është histori, gastronomi, religjion, gjeografi, etj., të cilat po ashtu na bëjnë të ndajmë disa vlera, sjellje, besime, norma, zakone, shije e preferenca të ngjashme ose të përafërta, dhe nuk ka asgjë çnjerëzore këtu, madje nëse orientohen drejt, humanizojnë raportet tona në mënyrë shumë të natyrshme. Edhe me popujt fqinj sllav, kemi shumë ngjashmëri, por ne nuk duam t’i stërtheksojmë ato, sepse ne me ata që i konsiderojmë si më ‘armiqësor’ ndaj nesh, i theksojmë vetëm dallimet, ndërsa ata me të cilët i stërtheksojmë ngjashmëritë janë përpjekje për të treguar sa të afërt jemi, si në rastin me Turqinë. Natyrisht, në pikëpamje kombëtare, diplomatike dhe gjeopolitike, disa sjellje të shqiptarëve dhe disa mënyra manifestimesh të qëndrimeve politike publike janë edhe të pahijshme dhe të dëmshme. Kur dëgjon individë të cilët theksojnë me gojën plot se janë në gjendje të vdesin për Turqinë, duke tejkaluar devotshmërinë ndaj shtetit turk krahasuar me atë shqiptar; se çdo gjë me paraardhësit osmanë ka qenë marrëdhënie e shkëlqyer dhe e artë; se ne i kemi ftuar vetë, ndërsa sikur e dimë platformë e veprimit të secilës perandori është zgjerimi dhe se çdo intervenim, okupim, pushtim, merreni si të doni, ka për qëllim ngushtimin tënd dhe zgjerimin e vet. Këto pikëpamje në aspektin kombëtar janë të dëmshme, por nuk them të penalizohen, sepse duhet të ekziston e drejta e individit të heq dorë nga të gjitha përkatësitë: qoftë fetare, etnike, kulturore, kombëtare etj. E drejta e tij abrogohet vetëm nëse pikëpamjen e tij të konvertimit fetar, etnik, ideologjik, seksist, etj., përpiqet dhunshëm t’ia imponon të tjerëve; kur thotë se përfaqëson edhe të tjerët jashtë tij, etj. Madje ka pasur individë si Majkëll Xhekson që është lexuar si akt i heqjes dorë nga përkatësia racore dhe është bërë i bardhë me operacion! Pavarësisht se këto janë rezultat edhe i racizmit si arketip kolektiv, por po them se parimisht janë të dëmshme, por parimisht janë edhe liri e individit deri aty sa nuk bëhet me forcë që vullneti i tij të bartet edhe tek të tjerët!

“Islamofobistët dhe islamistët” po përhapin urrejtje kontrakulturore. Dhe dy palë në Kosovë janë duke e degjeneruar secilën marrëdhënie me Turqinë, memorien kolektive historike, raportet kulturore, etj., dhe të cilat palë mbështeten kryesisht në kritere partikulare:

-          Islamofobistët

-          Islamistët

‘Islamofobistët’ mund të jenë eurocentristë dhe uesternocentristë fanatikë, pavarësisht se shumë prej vetë shteteve perëndimore nuk i kanë këto bindje e botëkuptime; të tillët mund të jenë edhe disa nga katolikët religjiozocentristë apo individë të cilët kanë një korrelacion të gabuar diplomatik, sipas të cilit, ‘më afër krishterimit, më afër Perëndimit’, ndërsa po ky Perëndim e largoi me shekuj në masë të madhe, religjionin nga sfera publike, me përjashtim të disa simbolikave protokollare, roleve të kishave si qendra për kujdesin social, kujdesin ndaj refugjatëve, familjeve në vështirësi, etj. Ndonëse termi ‘islamofob’ nuk është adekuat, pasi  ‘islamofobia’ mund të nënkuptonte një neurozë, e cila është ndërtuar nga fjala ‘fobi’ dhe ‘islam’, kinse për të përshkruar një frikë të paarsyeshme dhe sistematike nga feja a kultura islame apo prej myslimanëve. Nëse do të ekzistonte islamofobia, në fakt do të ishin këto simptome: shfaqja e frikës sapo përmendet islami, sapo shihet diçka islame, sapo përfytyrohet edhe imagjinarisht diçka islame, duke pasur periudhën e caktuar kohore të paraqitjes së simptomave, largimi nga secila situatë, mjedis etj., që mund të paraqitet diçka islame; pengimi nga sjelljet dhe veprimtaritë e përditshme etj. Sidoqoftë, ‘islamofobistët eurocentristë’ po i përshkruajmë më mirë jashtë diagnozës psikologjike, por si individë të cilët vazhdimisht shfaqin shqetësime vetëm nga Turqia e Arabia Saudite; janë kundër shamisë, kundër subkulturave të veçanta religjioze të cilët paraqiten me imazh të mjekrës por jo edhe të peshkopit ortodoks; mbajnë shpeshherë si temë Turqinë në kontekst negative; e lidhin edhe investimin e biznesmenëve turq jo në kuadër të tregtisë së lirë, por përsëri me orientalizma dhe terrorizëm etj. E vetmja frikë, e cila duhet marrë në konsideratë, është e katolikëve në Kosovë, dhe atë në rast se raportojnë ndonjë stereotip, kërcënim, diskriminim, vetëm pse janë katolikë! Dhe atë, sa herë do të paraqitet, edhe ne publiku e qytetarët, duhet domosdoshmërisht ta kritikojmë dhe ta adresojmë si problem në strukturat përgjegjëse të shtetit! Ndonjëherë faji kryesor mbetet fetarizimi i politikës dhe politizimi i fesë në hapësirë publike; mediatizimi i tepruar, tërheqja e vëmendjes kah problemet jorelevante, pjesëmarrja në debate vetëm palët ekstremiste nga dyja anët, islamofobistët dhe islamistët etj. ‘Islamistët kosovarë dhe erdoganistë’ po ashtu janë me qëndrime të rrepta dhe të njëanshme! Mbështesin secilin raport dhe kualitet marrëdhëniesh bilaterale me Turqinë, vetëm se na ‘paska sjellë dikur fenë islame në këto troje dhe në shenjë falënderimi për përhapjen e fesë para shumë shekujve’; kur duan islamistët  e tillë që ta mbrojnë edhe autoritarizmin e presidentit aktual turk, vetëm se qenka mysliman, etj. Po ashtu, është shumë interesante të shkruhet diçka këtu: presidenti turk thuhet se është i tarikatit Nakshibendi dhe është shumë e rrallë kur admirohet aq shumë dikush i këtij tarikati edhe nga fundamentalistët! ‘Islamistët’ gabojnë po ashtu kur nuk shqetësohen për mirëqenien dhe të drejtat e liritë e kurdëve, pasi është kohë e gjatë që kurdët kërkojnë ta marrin fatin në duart e tyre! Një besimtar i vërtetë do të duhej të shqetësohej për secilën krijesë të Zotit, apo jo?! Dhe në këtë kontekst, ‘islamistët’ gabojnë kur menduakan se secili vendim dhe synim i presidentit turk është valid, madje nuk është i tillë as me parimet e drejtësisë se si i vë vetë feja islame! Ka disa prej ‘islamistëve’ të cilët menduakan se pasi që feja e shumicës së shqiptarëve të Kosovës është e ngjashme me fenë e shumicës së turqve, shqiptarët dhe turqit janë vëllezër! Për këtë qëllim, edhe politika po e përdorë frazeologjinë e ngjashme! Shtetet kombe e definojnë vëllazërinë tjetërqysh dhe ne jetojmë në këto sisteme! Parimisht askush nuk të pengon ta quash cilindo vëlla, por nëse kërkon të shtrihet kjo vëllazëri edhe në raporte ndërshtetërore, civile-juridike, etj., atëherë i bie se kur ju bëni dikë vëlla, duhet ta ndani me të edhe pronën e përbashkët, edhe pasurinë e përbashkët, etj. Pra, për sa kohë që ne duam të kemi pavarësi, identitet unik, nuk bëjmë më vëllezër, por bëjmë shtete aleate! Mirëpo, për sa kohë që edhe sekularistët bëjnë gabime trashanike kur thonë: shtete mike, atëherë pse po gabuakan islamistët kur thonë ‘vëllezër’, ndërsa jo edhe sekularistët eurocentristë kur gabojnë që e quajnë një shtet mik! Ta quash një shtet mik, presupozon që disa shtete të tjera janë armike! Nuk duhet operuar as me logjikën e solidaritetit dhe varësisë totale ‘vëlla-motër’, as me logjikën  e përjashtimit të të tjerëve dhe afrimit me ca të tjerë si ‘miq’!

Raportet kulturore të Kosovës me Turqinë

Pas luftës së fundit, shteti dhe organizatat turke, kanë ndihmuar xhamitë e shkatërruara nga lufta që të rindërtohen. Kjo ishte mjaft e dobishme në aspektin financiar dhe për trashëgiminë kulturore. Xhamitë u shkatërruan tërësisht apo u dëmtuan pjesërisht gjatë luftës dhe kishim nevojë për rindërtime, konservime, mirëmbajtje, etj., dhe duhet të jemi mirënjohës për donacionet turke! Absolutisht është marrëzi të stereotipizohet sikur bëjnë shumë ‘islamofobistë eurocentristë’, të cilët na mbysin me lajme e tituj se Turqia po e shtrinë ndikimin, duke e vënë gjithmonë në kontekst negativ secilin donacion apo investim në ekonominë kosovare! Të mbrosh me ngulm tregtinë e lirë dhe të ngrehësh shqetësime për çdo javë për ‘synimet armiqësore’ të Turqisë, kjo është vlerësim krejtësisht i padrejtë dhe nxitje e urrejtjes për kulturën, popullin dhe shtetin turk! Xhamitë e shkatërruara gjatë luftës, ruajtja e trashëgimisë kulturore të objekteve fesë islame apo të krishtere, pavarësisht a i ndihmon ambasada italiane, franceze, shteti turk, e tjerë e tjerë, janë kontributdhënëse! Po ashtu, Turqia, qoftë përmes donacioneve nga organizatat me bazë në këtë shtet, nëse ndërton xhamia të reja, atëherë me këtë duhet të merren organet përgjegjëse komunale, qeveritare dhe shtetërore. Askund me ligj nuk përcaktohet sa xhami do të ndërtohen, por lejohet liria e besimit, që nënkupton edhe liria e posedimit të objekteve fetare kur realizohen ritualet e ceremonitë në mënyrë kolektive!