Ndikimi rus në Ballkan komplikon aftësitë e BE-së

Ndikimi rus në Ballkan komplikon aftësitë e BE-së
  • 27 July 2016 - 08:10

Shkruan: Fatmir Arifi 

Nga kjo politikë e Federatës Ruse dhe kuajve trojanë të saj, Bashkimi Evropian do të ketë konsekuenca dhe implikime të dukshme. Në rastin më të keq, ambiciet për një Rusi të Madhe, të shfaqura nga presidenti i saj Putin, si një e drejtë për t'i kthyer tokat e populluara nga rusët etnikë në mëmëdheun e tyre, qoftë edhe me forcë, kanë filluar që t'i rindezin veprimet strategjike për një Serbi të Madhe.
 
Padyshim, Rusia ka të drejtë, si çdo vend tjetër, për të ndjekur interesat e saj kombëtare, por qëllimet dhe metodat e saj në Ballkan dhe gjetiu paraqesin një sfidë të veçantë ndaj vlerave demokratike e sidomos ndaj rregullave e institucioneve të dala nga parimet e Bashkimit Evropian. 

Vetoja e përdorur Bashkimi Evropian në koordinim me SHBA-në duhet ta hartojë dhe ta ofrojë për miratim një strategji për Ballkanin që pasqyron interesat e përbashkëta evropiane, kryesisht duke nxitur përmbushjen e vlerave dhe normave themelore për një projekt më të gjerë të integrimit Euro-Atlantik. Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet standardit të qeverisjes, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit të sektorit të energjetikës konkurruese si dhe bashkëpunimin më të ngushtë dhe sanksionimin e shteteve që shkelin këto norma. Qëllimi primar duhet të jetë për të garantuar progresin demokratik të rajonit dhe parandalimin e metodave të "putinizmit", të cilat po importohen dalëngadalë në Evropë nëpërmjet derës së pasme. Ndikimi rus në Ballkan komplikon tashmë aftësitë e BE-së për të zhvilluar politika të përbashkëta të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë energjetike dhe për të trajtuar sjelljen e politikës së jashtme ruse. Ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, në një prononcim të tij përshkroi Bullgarinë si "Kali i Trojës" për interesat e Moskës në Bruksel. Ky deklarim i tij duket se ka disa baza të forta, pasi ndikimi pro-rus brenda partisë socialiste bullgare e ka bërë Bullgarinë, përkundër asaj që është anëtare e BE-së, të ngurrojë për të marrë në konsideratë sanksionet e rënda ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë. Një qëndrim të ngjashëm me Bullgarinë ka mbajtur edhe Greqia dhe Sllovenia, edhe pse kjo e fundit, tradicionalisht ka qenë një vend jo rusofil, por për shkak të faktit që ajo ka krijuar lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë. Këto probleme rrezikojnë të përforcohen në qoftë se Serbia hyn në BE me shtrirjen e saj aktuale të politikës së jashtme, si një aleat besnik dhe partner strategjik i Rusisë. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka deklaruar dhe ka mbajtur qëndrim institucional se ai dëshiron që Serbia të bëhej "shtyllë kurrizore e Rusisë në Evropë". Në këtë rast ai ka mbajtur premtimin e tij për të mbështetur interesat ruse, duke refuzuar të zbatojë detyrimin e Serbisë, si një kandidat i mundshëm i BE-së, në një vijë me vendimin e kolektiv të BE-së, për të mbështetur integritetin territorial të Ukrainës dhe zbatimin e masave të sanksioneve kundrejt Rusisë. Po ashtu edhe udhëheqja e Republika Sërbskës mbajti po të njëjtin qëndrim. Ajo përdori veton e saj për të parandaluar Bosnjën e Hercegovinën nga zbatimi i masave të BE-së.

Rreziku nga Serbia Duke pasur parasysh natyrën e gjerë dhe të pakufizuar të raporteve ruso-serbe, është e qartë se BE-ja do të ketë probleme të konsiderueshme dhe çështje të rëndësishme për të trajtuar përpara se pranimi i Serbisë të mund të konsiderohet real. Brukseli nuk duhet ta perceptojë politikën serbe si një politikë të një vendi neutral përderisa qeveria serbe asnjëherë nuk ka pasur hezitim për t'i vënë interesat e Evropës përpara atyre të Rusisë. Nga kjo politikë e Federatës Ruse dhe kuajve trojanë të saj, Bashkimi Evropian do të ketë konsekuenca dhe implikime të dukshme. Në rastin më të keq, ambiciet për një Rusi të Madhe, të shfaqura nga presidenti i saj Putin, si një e drejtë për t'i kthyer tokat e populluara nga rusët etnikë në mëmëdheun e tyre, qoftë edhe me forcë, kanë filluar që t'i rindezin veprimet strategjike për një Serbi të Madhe. I ashtuquajturi, miti i një kombi të "ndarë padrejtësisht", duke e marrë si shembull rastin e Rusisë nga "katastrofa gjeopolitike", e kolapsit të Bashkimit Sovjetik, është bërë një nga temat më të rëndësishme në elitat politike dhe akademike serbe, të cilat po e përhapin në masat e gjera popullore, e sidomos te minoritet serbe jashtë territorit të Serbisë. Rreziku që Serbia mund të joshet për të kopjuar qasjen e Rusisë tani më është bërë evidente sidomos pas forcimit të lidhjeve të saj më të ngushta ushtarake me Rusinë, duke inkurajuar besimin se Moska mund të mbështesë në mënyrë aktive Beogradin në rast të ndonjë konflikti në të ardhmen, pas dislokimit në Nish dhe Luginë të Preshevës. Kroacia, Mali i Zi dhe IRMJ janë bukur shumë të ekspozuara dhe të kërcënuara nga kjo strategji e ringjallur serbomadhe. Por shqetësimi është më i prekshëm në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Republikën e Kosovës, ku Rusia ka përdorur ndikimin e saj në favor të Serbisë në hartimin dhe më vonë në interpretimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare: atë të Dejtonit dhe Planin e Ahtisarit. Që të dy këto marrëveshje, minoritetit serb, si në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu dhe në Republikën e Kosovës i japin të drejtën e vetos, e cila po përdoret për të parandaluar qeverinë federale të Sarajevës dhe qeverinë e Prishtinës për të marrë qëndrime strategjike, qofshin ato ndryshime kushtetuese apo vendime në kuadër të përafrimit më Perëndimin. Pra, të dyja këto marrëveshje janë një kallo e favorshme, të cilat aq sa janë në duart e Serbisë, po aq janë edhe në duart e Rusisë. Në një të ardhme të parashikuar, skenari Gjeorgjisë dhe i Ukrainës do të jetë në tavolinën e shegertit rus në Ballkan.

(Kosova Sot)