Shoqëria civile kundër terrorizmit

Shoqëria civile kundër terrorizmit
  • 27 July 2016 - 12:22

Shkruan: Dominique Moisi

Ndjenja e frikës dhe e dhimbjes

Ne duhet të bëhemi më të vëmendshëm për rreziqet që na kanosen

Rekrutuesit e ISIS-it veçse janë duke shënuar sukses, edhe ndërkohë grupi terrorist po humbet kontrollin mbi qytete e provinca në Siri dhe në Irak. Nga Orando në Stamboll e Daka, ISIS-i ka gjetur një sërë mbështetësish, që janë të etur për të vrarë në emër të tij

Pas sulmeve terroriste në Paris në nëntor të vitit të kaluar – seria e sulme e koordinuar me kujdes, që janë kryer nga një sërë sulmuesish, duke rezultuar me vdekjen e 130 personave – ka mbretëruar një ndjejë e frikës dhe dhimbjes, mirëpo edhe e shpirtit të unitetit dhe aftësisë së ripërtëritjes. Për dallim nga ajo periudhë, që prej masakrës në Ditën e Bastijës në Nisë – ku një sulmues, që është ndihmuar nga pesë persona, që më mirë është të përshkruhen si kriminelë sesa si radikalë islamikë, ka drejtuar një kamion në turmën e njerëzve, duke vrarë 84 persona, shumica prej të cilëve fëmijë – ndjenja dominuese duket të jetë pafuqia dhe zemërimi. Francezët tani janë të frustruar dhe në ankth. Ata janë mësuar me sigurinë në qytetet e tyre, që për një kohë të gjatë kanë qenë bastione të dijes dhe artit, e jo hapësira ku është zhvilluar terrori. Ata duan të ndihen të sigurt përsëri – dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që është e nevojshme. Këto ndjenja janë krejtësisht të kuptueshme, mirëpo jo domosdoshmërisht kontribuojnë në vendimmarrjen efektive. Pjesa “gjithçka që është e nevojshme” është problemi. Nëse njerëzit ndihen që liderët e tyre po dështojnë t’i mbrojnë, ata mund të kthehen nga alternativat më radikale; tanimë partitë populiste dhe ato raciste po fitojnë mbështetje më të madhe në Francë dhe kudo tjetër. Të nxitur nga këto forca, njerëzit mund të vendosin që ta marrin ligjin në duart e tyre.

Qytetarët e zakonshëm duhet të bëhen më të vëmendshëm

Mirëpo, autoritetet tashmë kanë shumë gjëra në pjatën e tyre. Përpjekja për ta mbrojtur popullatën nga sulmet terroriste gjatë kohës kur mbështetet sundimi i ligjit është, në fund të fundit, një detyrë shumë e vështirë. Individët, veçanërisht ata me probleme mendore dhe ata që janë të interesuar në dhunë, mund të radikalizohen shumë shpejt, siç ka ndodhur me sulmuesin në Nisë. Ata mund ta kenë një historik të pastër, pasi që para kryerjes së sulmit kryesor mund të mos kenë pasur lidhje me asnjë grup terrorist. Duke marrë parasysh këtë, autoritetet franceze nuk mund të ofrojnë asnjë siguri për mbrojtje nga sulmet e mëtejme. Kjo nuk do të thotë që autoritetet duhet të nxiten për ta përmirësuar taktikën e tyre të parandalimit dhe reagimit. Ka shumë gjëra që mund dhe duhet të bëhen për ta fuqizuar sigurinë në Francë dhe kudo tjetër. Mirëpo, ultimatumi që po jepet nga disa francezë – garancia për siguri absolute, ose në të kundërtën do ta injorojmë sundimin e ligjit dhe parimet bazike të hapjes dhe barazisë – na bën më shumë dëm sesa mirë. Francezët, sikur të gjithë njerëzit, meritojnë të ndihen të sigurt teksa ecin nëpër rrugë, shkojnë në darkë, e shijojnë një koncert, e festojnë ditën e çlirimit dhe thjesht, jetojnë. Pyetja është se si mund të rikthehet ndjenja e sigurisë në një kohë kur rreziku nga sulmet terroriste nuk mund të eliminohet plotësisht. Përgjigja qëndron në shoqërinë civile. Qytetarët e zakonshëm duhet të bëhen më të vëmendshëm ndaj shenjave të radikalizmit dhe më të edukuar në mënyrën se si duhet reaguar. Njerëzit duhet të inkurajohen për t’i raportuar mundësitë e radikalizmit të njerëzve të tyre të afërt dhe këto raporte duhet të dorëzohen ose tek autoritetet relevante, profesionistët e psikiatrisë apo në polici.

Franca nuk është buzë rënies në kaos

Qëllimi nuk është ringjallja e McCarthy-zmit, kur njerëzit bënin akuza të paqëndrueshme ndaj fqinjëve dhe miqve. Qëllimi është krijimi i kanaleve, nëpërmjet të cilave njerëzit të cilët i njohin qëndrimet radikale he të dhunshme dhe i vërejnë tek personat që i njohin t’i raportojnë shqetësimet. Përveçse do t’u ofrohej organeve të zbatimit të ligjit një mundësi për t’i parandaluar sulmet serioze, ky kontribut i shoqërisë civile do të ndihmonte në forcimin e vullnetit të qytetarëve për t’i lënë operacionet dhe politikat kundër terrorizmit në duart e autoriteteve. Ky model ka funksionuar në Izrael. Përkundër faktit që janë të ekspozuar ndaj sulmeve terroriste, izraelitët vazhdojnë të kenë një siguri relative, kryesisht falë aftësisë së shoqërisë civile për të kontribuuar në sigurinë e tyre. Si rezultat, qytetarët e kanë vullnetin ta respektojnë atë që Max Weber e quante “monopoli i legjitimitetit për të përdorur forcë fizike” në shtet. Natyrisht, Franca nuk është buzë rënies në kaos, Mirëpo, retorika frikë-nxitëse e populistëve, bashkë me tragjeditë e tmerrshme dhe eksperiencat nëpër të cilat kanë kaluar njerëzit, kanë ndikuar në gjykimin e tyre, duke bërë që të bien pre e retorikës pezmatuese. E, meqë kemi zgjedhje presidenciale pranverën e ardhshme, gjasat janë shumë të mëdha që viktimat e Nisës të përdoren si instrumente në strategji të kampanjave. Kjo gjë nuk mund të lenohet. Nëse francezët dorëzohen para frikës dhe e zgjedhin një president populist e fanatik, Shteti Islamik do ta shënonte një fitore të rëndësishme, një fitore që ka potencialin të shndërrohet në një pasuri të madhe për të. Dhe, mos u gaboni: pa marrë parasysh se çka thonë populistët, ISIS-i po humbet. Territori i tij po tkurret, duke marrë me vete edhe ëndrrën e Kalifatit të ri, me shtrirje në botën arabe. Mirëpo, ISIS-i ka një strategji të fundit, për ta mbajtur veten: rekrutimi i shpejtë. Kjo përpjekje e tyre do ta përfitonte një shtytje shumë të madhe nga intensifikimi i retorikës kundër myslimanëve, ose, edhe më keq, nga përzgjedhja e atyre që do të mund ta shndërronin retorikën në politika.

Veprimi kolektiv

Rekrutuesit e ISIS-it veçse janë duke shënuar sukses, edhe në ndërkohë që grupi terrorist po humbet kontrollin mbi qytete e provinca në Siri dhe Irak. Nga Orando në Stamboll e Daka, ISIS-i ka gjetur një sërë mbështetësish, që janë të etur për të vrarë në emër të tij. Së fundmi, dy sulmues vetëvrasës e kanë hedhur veten në erë në një demonstratë paqësore në Kabul, duke vrarë 80 dhe lënduar më shumë se 200 të tjerë. Përderisa “armiku” në Perëndim vazhdon të jetë i unifikuar dhe parimor, ISIS-i nuk mund të del fitimtar. Për Francën dhe të tjerët, çelësi kryesor është veprimi kolektiv, edhe përbrenda kufijve edhe jashtë tyre, gjë kjo që kërkon lidhje të përmirësuar në mes të agjencive të brendshme dhe të jashtme të sigurisë, si dhe ngritje të vetëdijes për rrezikun që u kanoset përbrenda shoqërisë civile. Kur kësaj ia shtojmë sulmet e vazhdueshme kundër bazave të ISIS-it, ëndrra për Kalifatin shumë shpejt bëhet e vdekur. Është mjaftueshëm keq që terroristët duan të na e marrin jetën; gjëja e fundit që na nevojitet është që populistët të na e marrin shpirtin. Rimarrja e kontrollit të jetëve dhe fateve tona do të thotë të qenit realistë. Në vend se të kërkojmë të rikthehemi në epokën para terrorizmit, ne duhet të bëhemi më të vëmendshëm për rreziqet që na kanosen, jo vetëm ndaj sigurisë sonë - mirëpo edhe vlerave dhe përkushtimit tonë për sundim të ligjit – dhe duhet ta bëjmë pjesën tonë për t’i minimizuar ato.

(Dominique Moisi është profesor në Institutin e Shkencave Politike në Paris dhe këshilltar i lartë në Institutin Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”