Ky pushtet është duke na kthyer në një shoqëri primitive

Ky pushtet është duke na kthyer në një shoqëri primitive
  • 30 July 2016 - 09:08

Shkruan: Skënder Mulliqi

Kosova nuk është liruar ende nga strukturat e një mendësisë komuniste

Si Thaçi ashtu edhe Mustafa u treguan se janë produkt i kësaj mendësie komuniste

Këta njerëz, me logjikë si të njerëzve, që jetojnë në shpella, nuk i duhen këtij vendi dhe këtij populli…

Të gjithë jemi dëshmitarë të kohës së në shtetet demokratike jeta dhe standardi jetësor janë në nivel të lartë, ku qytetarët kanë mundësi të mëdha që fëmijët e tyre t’i edukojnë në qetësi , ku edhe liria e veprimit bëhet ashtu si i takon njeriut si qenie njerëzore më e përsosur që është. Faktorët vendimtarë për zhvillimin e një vendi janë pozita gjeografike, ekonomia dhe demokracia. Faktorët e tjerë kultura, religjioni , karakteri i popullit janë natyrisht faktorët shtesë. Të gjitha këto kur të bashkohen vihen në funksion të nacionalizmit në kuptimin pozitiv dhe nacionalizmit në kuptimin negativ të fjalës. Nacionalizmi i matur është progresiv, zhvillon ekonominë, shkencën dhe teknologjinë, kulturën dhe sportin dhe shumë fusha të tjera. Kurse theksimi i tepërt i nacionalizmit krijon jo durimin karshi nacionaliteteve tjera brenda shtetit, ashtu edhe karshi fqinjëve. Ultranacionalistët apo nacionalizmi regresiv krijon urrejtje, krijon mbyllje në rrethin vicioz, dhe e dëmton shtetin në pikëpamje politike dhe ekonomike. Dihet së teprimi i nacionalizmit krijon armiq artificial, krijon hasmëri dhe urrejtje të tipit pushtues. Dihet së çka shkaktoi ultranacinalizmi i tërbuar serbë në hapësirat e ish –Jugosllavisë.

Përdorin logjikën diktatoriale

Kjo krijesë artificiale ka pasur mundësi edhe pa luftë të shpërbehet, por kështu nuk menduoi kreu ultranacionalist i Serbisë. Kjo urrejtje karshi popujve tjerë në ish-Jugosllavi rezultoi me një politikë të tipit gjenocidial të Serbisë mbi popujt tjerë. Viktimat njerëzore dhe materiale të ultranacionalizmit të tërbuar serbë ishin të mëdha. Një nacionalizëm i tillë i shprehur nuk kërkon njerëz demokratë, por kërkon njerëz tipikë diktatorë çfarë ishte Milosheviqi.

Kjo është një temë, e cila kërkon elaborim të veçantë, por ne të kthehemi te vendi ynë. Kosova pas shumë sakrificave arriti të bëhet shtet sovran dhe i lirë, por nuk është liruar ende nga strukturat e një mendësisë komuniste. Si Thaçi, ashtu edhe Mustafa u treguan se janë produkt i kësaj mendësie, të cilët edhe pse nuk përkojnë në kohë, po përdorin logjikën diktatoriale të sundimit më masën. Janë duke përdorur metoda dehumanizuese, të cilat metoda po ua ndalin njerëzve të jetojnë mirë, dhe lirisht edhe të mendojnë.

Logjika autokratike

Veçmas që dy vite kanë krijuar një situatë të acaruar politike dhe e kanë keqësuar edhe gjendjen ekonomike. Problemet e brendshme shumë të theksuara bashkë me ngjarjet e njohura në kuvend dhe demonstratat i shfrytëzuan për qëllime të reja politike. Të gjitha këto po i bëjnë gjoja se po rrezikohen interesat nacionale dhe interesat shtetërore të Kosovës. Nuk do të merresha me këtë temë, po mos të kishim edhe në këtë fillim shekull punë me instalimin e një regjimi më elemente të diktaturës. Sa e sa marrëveshje shtetërore janë bërë më Serbinë dhe shumë pak për këto marrëveshje është njoftuar opinioni i gjerë publik. Edhe shumë pak janë zbatuar këto marrëveshje nga Serbia. Po mos të ishte instaluar logjika autokratike nuk do të kishim edhe gjithë këto keqpërdorime të pronës shtetërore, nuk do të kishim gjitha këto hajni, nuk do të kishim krim dhe korrupsion të niveleve aq të larta. Mund të themi krejt në fund së ky pushtet me këta liderë shtetërorë janë duke na kthyer në një shoqëri primitive. Këta njerëz me logjikë si të njerëzve që jetojnë në shpella nuk i duhen këtij vendi dhe këtij populli…