Në konventën demokratike, femrat e kanë kapur momentin

Në konventën demokratike, femrat e kanë kapur momentin
  • 30 July 2016 - 09:09

Shkruan: Dana Milbank

Hillary Clinton bën histori

Jo të gjithë ndihen rehat me ndryshimet

“Kur Hillary Clinton të bëhet presidente e Shteteve të Bashkuara ... ajo do të bëhet lidere e botës së lirë – personi më i rëndësishëm në botë”

Të martën, demokratët e kanë nominuar një femër për garën presidenciale për herë të parë në histori. Mbrëmjen e së enjtes Hillary Clinton do ta pranojë nominimin (e ka pranuar mbrëmë).

Në ndërkohë, femrat në Konventën Nacionale të Partisë Demokratike e kanë festuar këtë moment të rëndësishëm.

Ato kanë krijuar tatuazhe të përkohshme në të cilat thuhej “Vrapo si një vajzë” dhe kanë bërë fotografi. Ato gjithashtu kanë vendosur letra ngjitëse në gjoksin e tyre, në të cilat thuhej “Vendi i një femre në Shtëpinë e Bardhë” dhe “Femrat mund ta ndalin Trump-in”. Ato kanë veshur bluza në të cilat shihej një gomar dhe në të cilat shkruante “Ka ardhur koha”.

Ka ardhur koha. Në atriumin e Qendrës ‘Kimmel’ në Filadelfia, grupi i Partisë Demokratike që mbështet femrat për pozita të larta, ka mbajtur një kampanjë mbrëmjen e së mërkurës, me temën “Ky është momenti ynë”.

“Ka ardhur koha”, ka thënë Nancy Pelosi, e cila para dhjetë vjetësh është bërë femra e parë që është zgjedhur kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. “Kemi nominuar një femër për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Partia Demokratike zyrtarisht është një parti feministe

Pelosi e ka shijuar momentin për ta rikujtuar historinë. “Dua të mendoj se çka do të kishin menduar nënat tona të përvuajtura, që, para disa vjetësh, me kurajë të madhe, kishin luftuar që edhe femrat të kishin të drejtë vote”.

Kanë kaluar 168 vjet që prej kur Elizabeth Cady Stanton dhe shoqet e saj ishin takuar në Nju-Jork, 44 vjet që prej kur Shirley Chisholm ishte kandiduar për president dhe 32 vjet që prej kur Geraldine Ferraro ishte nominuar për zëvendëspresidente. Nëse këto femra do të kishin qenë gjallë sot, ato jo vetëm që do ta kishin parë një femër që po fitonte nominimin për presidente të vendit, mirëpo edhe Partinë Demokratike që i ka shpresat për kontrollim të Senatit në nëntë kandidate femra.

Ato do t’i shihnin edhe femrat që janë të angazhuara si kryetare e konventës, shefe ekzekutive e konventës dhe si sekretare e konventës. Ato gjithashtu do ta shihnin një femër që zëvendësohet nga një femër tjetër në rolin e kryetares së Komitetit Nacional Demokratik.

“Partia Demokratike zyrtarisht është një parti feministe”, më ka thënë të mërkurën Nancy Cohen, historiane dhe autore e librit “Breakthrough: The Making of America’s First Woman President”.

Dallimit gjinor i është rritur vlera për demokratët, pasi që femrat votojnë në përqindje më të lartë, veçanërisht në vitet presidenciale. Numri i femrave që kanë votuar në zgjedhjet e vitit 2012 dhe 2008 ka qenë për 10 milionë më i madh sesa numri i meshkujve.

Ky moment i rëndësisë së femrave – dhe, natyrisht, edhe dominimit – mund të bëhet i përhershëm në parti. Derisa më shumë femra fitojnë pushtet, ato kanë tendencë të krijojnë një rreth vicioz, ka thënë Cohen: Ato promovojnë politika – pagesë të barabartë, të drejtat e riprodhimit, shmangia e dhunës familjare dhe pushimi me pagesë – që i rrisin përfitimet për femrat, duke ndikuar më pastaj në fuqinë e femrave.

Jo të gjithë ndihen rehat me ndryshimet. Demokratët e Vermontit, duke cituar taktikat e ‘dorës së fuqishme’ janë ankuar në Konventën Nacionale të Partisë Demokratike që rregullat që kërkojnë balancë gjinore në mesin e delegatëve kishin ndikuar në largimin e dy delegatëve meshkuj.

Veprimi mbështetës për femrat, i përshtatur nga Konventa Nacionale e Partisë Demokratike në vitin 1980, është pothuajse e panevojshme tani. 2,887 nga 4,766 delegatët janë femra dhe femrat e kanë dominuar programin.

Femrat janë kandidate më të mira sesa meshkujt

Michelle Obama e ka vjedhur vëmendjen mbrëmjen e së hënës, kur numri i folësve femra dhe meshkuj ka qenë pothuajse i barabartë. Mbrëmjen e së martës, numri i femrave që kanë mbajtur fjalim ka qenë pothuajse dyfish më i madh. Ka pasur edhe një segment për femrat në Kongres dhe një pjesë të dedikuar për “Nënat e Lëvizjes” – nënat, fëmijët e të cilave janë vrarë në rrethana të ndryshme. Bill Clinton-i ka mbajtur fjalimin kryesor të mbrëmjes së të martës, mirëpo fjalimi i tij ka qenë krejtësisht i dedikuar për shërbimin e bashkëshortes së tij. “Bill Clinton e derdh estrogjenin”, ka qenë titulli i shkrimit të Maureen Dowd-it në ‘New York Times’.

Mbrëmja e së mërkurës ka qenë e rezervuar për presidentin Obama, Joe Biden-in dhe të nominuarin për zëvendëspresident, Timothy M. Kaine, ndonëse gjatë mbrëmjes fjalim kanë mbajtur edhe kongresistja Gabrielle Giffords, liderja e lëvizjes për të drejtat e abortit, Ilyse Hogue dhe Stephanie Schriock nga ‘Emily’s List’.

“Hillary Clinton do të jetë presidentja e parë femër, mirëpo ajo nuk do të jetë e fundit”, ka thënë Schriock. “Menjëherë pasi që të bie kjo barrierë, ajo kurrë nuk do të ngrihet më”.

Festa ka qenë shumë e madhe të mërkurën në Filadelfia.

Në qendrën e artit, senatori Charles E. Schumer, lideri i demokratëve në Senat, ka luajtur me kartën e femrave, gjithashtu. “Femrat janë kandidate më të mira sesa meshkujt”, ka thënë ai, duke parashikuar që shumica e demokratëve në Senat deri në vitin 2018 do të mund të jenë femra.

Shumica në Senat dhe një femër në Zyrën Ovale? “E di si funksionon pushteti”, ka thënë Pelosi. “Kur Hillary Clinton të bëhet presidente e Shteteve të Bashkuara ... ajo do të bëhet lidere e botës së lirë – personi më i rëndësishëm në botë”.

Kur fjalimet kishin përfunduar, femrat që garojnë për Kongres kanë dalë në skenë dhe në altoparlantë është lëshuar kënga e Beyonce-s:

“Girls, we run this mother. Girls!

Who runs the world? Girls!”

(Dana Milbank është kolumnist në ‘The Washington Post’)