Le ta ndihmojnë shpellën edhe Ministria e Kulturës dhe e Arsimit

Le ta ndihmojnë shpellën edhe Ministria e Kulturës dhe e Arsimit
  • 30 July 2016 - 09:12

Shkruan: Avni Rudaku

Me shkas rivizitën e shpellës së Gadimes

Kosova vazhdon të mos e ketë as Muzeun e Artit, as Muzeun e Shkencave Natyrore, as Muzeun e Bimëve

Edhe ciceroni i ri, pavarësisht se e tha se nuk është e obligueshme, sugjeroi besëtytnisht të hidhnin para për plotësim dëshirash! I ngjasonte tyrbeve, apo objekteve fetare

Duke ndenjur me dy nipërit e mi prej motre, i propozova që ta bënim një shëtitje dalëse prej qytetit tonë, jo aq larg prej nesh, por jo edhe brenda komunës sonë. Menduam e menduam dhe na u kujtua vizita e sërishme si të rritur, e shpellës së Gadimes, që gjendet në fshatin Gadime e Poshtme apo e Ulët e komunës së Lipjanit, e zbuluar nga Ahmet Asllani para gjysmë shekulli. Iu rikthyem rishtas shpellës, pasi hera e parë dhe e vetme ishte me ekskursion të shkollës së mesme dhe tani perceptimet, ndjenjat e përshtypjet do të ishin tjetërqysh. Sapo mbërritëm aty, zyrtari që punonte si ciceron e biletashitës na tha se, duhej bërë grupe-grupe dhe grupi i radhës së vizitorëve do të ishte ora 12:00, ndërsa ora në atë çast shënonte 11:35. Sidoqoftë, kishte ulëse ku të pushonim e të prisnim për të hyrë në brendi të shpellës, por kishte hije vetëm në dy ulëset e ngjitura me kioskën e shitjes së biletave dhe mirë që u ulëm aty se po na dilte tymi prej vapës! Sikur jemi mësuar me varësinë e qasjes në internet, jo të gjithë kemi internet ngado që shkojmë e gjendemi! Për të qeshur me zë, fjalëkalimi në shpellën e Gadimes ishte “Mercedesi” dhe bënim humor me nipçet se edhe fjalëkalimi duhet të jetë në përputhje me natyrën e monumentit natyror apo edhe kulturor! ‘Mercedesi’ nuk shkonte fare me monumentin natyror, por megjithatë, kjo nuk ishte fare e rëndësishme dhe me rëndësi do të ishte vetëm një fjalëkalim i sigurisë dhe qasjes së kufizuar! Meqë nuk ka ndonjë sekret aq të rëndësishëm për ta bërë publik e sall për ta ruajtur batutën, po e publikojmë, përndryshe nuk është etike të publikohet fjalëkalimi askujt se bie ndesh me ligjet dhe kodet etike! Sapo u bë ora 12:00, u bashkëngjitën edhe shumë të tjerë dhe u bëmë një grup i mjaftueshëm vizitorësh për të hyrë në brendi të shpellës. Ciceroni kishte ndryshuar tani, pasi që kishte qenë një person mjaft i moshuar atëbotë kur ishim si nxënës dhe të gjithë e mbanim në mend kur rrëfente se u duhet ‘miliona vite të bashkohet Romeo me Xhulietën’! Nuk ishin harruar këto interpretime as nga ciceroni në moshë mjaft të re, rreth të tridhjetave, i cili i riprodhonte ato të ciceronit të dikurshëm!

Interpretimet e ciceronit

Ciceroni i ri ishte entuziast e komunikativ, por ishte shumë i përngutshëm, sikur të mësonte të gjitha gjërat përmendësh. Natyrisht se është e vështirë për ciceronët të cilët për çdo ditë do të shpjegonin gjërat e ngjashme aq shumë grupeve brenda një dite të vetme, e lëre më për aq shumë vite me radhë, por sugjerimi im mbetet bile pakëz të ngadalësonte! Për vizitorët përsëri mbetet me rëndësi se si i qaset ciceroni atyre, por dua të vlerësoj se interpretimi i ciceronit duhet të ndryshon brenda shpellës së Gadimes në disa pika, të cilat dobësi përsëriten jo me vite, por me dekada dhe dua t’i them troç në vazhdim të tekstit!

 

 

Mst/ Interpretimi nacionalist

 

Sapo afrohemi në një pjesë të brendisë së shpellës, ciceroni interpreton se kjo është “mjekra e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, të cilën e kishte emërtuar kështu zbuluesi i shpellës. Mund të thuhet si informacion nga ciceroni se si e ka emërtuar zbuluesi i parë i shpellës, por nuk ka ndonjë vlerë që të krijohet përshtypje e gabuar e bestytnike te vizitorët, se vërtet është ndonjë ‘mrekulli natyrore’, sikur bëjnë shumë religjiozë, kur interpretojnë fenomenet natyrore me besimet e tyre të shenjta! E shohin ndonjë vijë të shalqirit, kungullit, lisit, etj., dhe e ndërlidhin me mrekullitë e Zotit dhe fesë së tyre! Interpretimi duhet të bazohet në shkencën e studimit të shpellave, si speleologia, apo gjeografia, gjeologjia, fizika a kimia; qoftë edhe komente nga antropologjia, apo edhe informacione mbi historikun e shpellës, zbulimit, e kështu me radhë. Madje, disa mbishkrime dhe informacione mungonin, sepse mund të lexoheshin që në hyrje të shpellës rreth datës së zbulimit, emrit të zbuluesit, etj.

Interpretimi me perceptim subjektiv

Diku stalagmitet, stalaktitet, kristalet, shkëmbinjtë, shtyllat, etj., kanë marrë forma të ndryshme nga ligjësitë natyrore. Ciceroni thoshte se “shihni këtu peshkun, shqiponjën, mjekrën e Skënderbeut, etj.”, të cilat nuk i takojnë interpretimit profesional, sepse varësisht se si kemi përvojat tona, me çka rrethohemi, njohjet e besimet etj., ashtu ne perceptojmë. Varësisht nga profesioni, përvoja, identiteti social e kulturor ku bëjmë pjesë, religjioni, etj., ashtu ne i shohim gjësendet dhe objektet në natyrë. Nëse jemi shqiptar, shqiponjën e shohim me domethënie tjetër, me përjetime tjera, prej atij që është gjerman, serb, etj. Ciceronët tashmë janë një lloj udhëheqësi shkencor, apo sa më afër të vërtetës shkencore, të përcillet informacioni te vizitorët! Madje duhet t’i bëhet me dije vizitorit edhe mbi kufizimet e informacioneve  të caktuara, dijeve, etj. Mungesa e informacioneve, shpalimi i dilemave rreth disa përbërjeve gjeologjike dhe gjeomorfologjike, materialeve, formimeve dhe origjinës, nga studiuesit e shpellave, etj., janë më se normale të thuhen nga një ciceron dhe mirë që këtë e bënte ciceroni disa herë.

Vizitorët dhe shpella e Gadimes

E pyetëm ciceronin sapo dolëm jashtë shpellës se nga cilat vende po vijnë më shumë vizitorët. Për habinë tonë, na tregoi se shumë vizitorë kinezë po shfaqin interesim për shpellën e Gadimes. Më shtoi kureshtjen përsëri ta pyesja se si ka mundësi që kinezët të informoheshin për shpellën e Gadimes, kur ka dobësi të thella në komunikimin dhe informimin ‘onllajn’ të kësaj shpelle për vizitorët lokalë e të huaj, ciceroni m’u përgjigj se e gjejnë përmes formave të ndryshme të internetit. Pastaj, për sezonin e verës, më tha se shumica e vizitorëve janë nga diaspora. Edhe ne kur ishim gjatë kësaj jave, pamë shumë vizitorë nga mërgata shqiptare, që vinin në mënyrë grupore a familjare dhe vizitonin së bashku shpellën, pasi që tash janë në sezonin e pushimeve verore!

Të folurit e shpejtë të ciceronit

Vërejtja kryesore që e jepnin vizitorët ishte se ciceroni fliste shumë shpejt, paksa rrëmbyeshëm, ndonëse ishte i qartë, me diksion të rregullt, me një fond fjalësh të pranueshme. Mirëpo, shpjegimi që ia dha një vizitori për këtë vërejtje, ishte se “kudo në shpellat e huaja që kishte vizituar, si në Francë e gjetiu, nuk bënte të qëndrohej më gjatë sesa 20 minuta brenda shpellës, pasi që ishte e dëmshme për shkaqe shëndetësore”! Kjo ndërlidhej me ndryshimet radikale të temperaturave brenda dhe jashtë, pasi që jashtë mbante temperaturë mbi 30 gradë të Celsiusit, ndërsa brenda 13. Pastaj kushtet e tjera, e kështu me radhë klimatike, mund të jepnin ndonjë efekt mbi organizmat tanë! Por nipçet si gjithmonë, nuk e shprehnin ndonjë replikë me ciceronin, por më ktheheshin mua: “Dajë, qysh qenka aq e dëmshme të rrihet më shumë se 20 minuta brenda shpellës, ndërsa paraardhësit tanë kanë jetuar tërë kohën brenda shpellave?!” Gjithmonë përpiqeshin të bënin pyetje sfiduese. “Ah bre nipçe, po dallim të madh kemi ne me paraardhësit tanë, ata janë përshtatur sepse kanë qëndruar gjatë, ndërsa ne nuk po jetojmë brenda shpellës për kohë të gjatë, por vetëm për një vizitë shumë të shkurtër!” – ia ktheva unë. E rëndësishme ishte se diskutimi i nxitur jashtë shpellës kultivonte tek ata, motivimin për të lexuar për shpellat, vullkanet, tërmet, etj. Pra, tek e fundit, fëmijët e nxënësit mund të nxiten për të menduar në mënyrë kritike, për lexim, etj., edhe duke u mësuar nga të rriturit të vizitojnë monumentet natyrore e kulturore, vizitat në muze, etj. Pedagogët llogarisin se këto tipe vizitash në fakt e plotësojnë më së miri vetë procesin e shkuarjes dhe ndjekjes së shkollave në mënyrë klasike e tradicionale!

Lakuriqët

Ciceroni thoshte se shpella ishte e dominuar nga lakuriqët, të cilët hanë insektet e ndryshme dhe pastrojnë vetë shpellën. Pavarësisht se nipçet më ngucnin: “Dajë, a pave ndonjë lakuriq, se ne nuk pamë asnjë?!” Unë ia ktheva po me të njëjtin humor: “Lakuriqët nuk janë të pranishëm kur janë vizitorët, ngjashëm sikur shumë pastrues që pastrojnë lokalin gjersa nuk janë të pranishëm myshterinjtë!” Pavarësisht kësaj, njeriu mëson jo vetëm duke lexuar, por edhe duke shtuar pasionin mbi vizitat kulturore dhe duke dëgjuar edhe ciceronin për monumentet e tilla natyrore. Ishin disa shpjegime të tjera të ciceronit të bazuara edhe në ligjet e fizikës e të kimisë, e të cilat u pëlqyen edhe nipçeve, edhe mua, edhe vizitorëve të tjerë, që përjashtonin këto interpretimet subjektive-heraldike, supersticioze, apo ato nacionaliste. Ishin thjesht të bazuara në ligjësitë fiziko-kimike, se si pikat e ujit, avulli, etj., formojnë kristalet me miliona vite, etj. Duke e ditur se shumica e shkollave të Kosovës organizojnë ekskursione për të vizituar shpellën e Gadimes, është shumë me rëndësi që interpretimi dhe rrëfimi i ciceronit të jetë sa më shkencor, pa përjashtuar edhe ato batutat në mes të rrëfimit, për të qenë më argëtues për fëmijët e të rriturit!

Pusi i dëshirave

E konsideroj të padobishme që brenda shpellës të hidhen paratë e vizitorëve për të menduar dëshirat e tyre për fat të mirë, realizim dashurie, shëndet, suksese në shkollë etj. Nuk më pëlqejnë besëtytnitë e ardhura nga institucionet publike joreligjioze. Prejse e mbaj në mend, aty thuhet se “këtu është një pus, mund të hidhni ndonjë metalik dhe ta mendoni ndonjë dëshirë”! Edhe ciceroni i ri, pavarësisht se e tha se nuk është e obligueshme, sugjeroi besëtytnisht  të hidhnin para për plotësim dëshirash! I ngjasonte tyrbeve, apo objekteve fetare, teksa lënë ndonjë gropë, pus uji, ndonjë kasafortë, kuti xhami, etj., për të lënë ndonjë monedhë të vlefshme! Jam kundër këtij pusi bestytnik të dëshirave, pasi që ciceroni duhet të jetë më shkencor e më së paku bestytnik! Ai duhet të informon për formimin e puseve brenda shpellave, liqeneve, myshqeve, etj., të cilat edhe i bëri ciceroni aktual, por duhet të shmanget nga ajo pikë e ujit të mbyllur për të sugjeruar vizitorët të hidhnin para e ta mendonin një dëshirë! Tek e fundit, të bëhemi edhe më korrekt: secili vizitor paguante biletën e hyrjes (pavarësisht se çmimi nuk ishte i shtrenjtë, një biletë kushtonte 2 euro) brenda shpellës dhe nuk kishte më nevojë për ndonjë mënyrë tjetër të qarkullimit financiar për të mirëmbajtur shpellën apo paguar ciceronët! Natyrisht se sa më shumë investime të tjera në ekspertiza brenda dhe jashtë vendit, bursa në speleologji, etj., janë mjaft të rëndësishme, por atë mund ta ndihmon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, madje duke bashkëpunuar edhe me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe MASHT-in, sepse përveç monument natyror a mjedisor, shpella e Gadimes është ndër destinacionet më turistike dhe kulturore në vend. Pra, një rol aktiv dhe interaktiv për shpellën e Gadimes duhet të të jetë edhe e MKRS-së dhe MASHT-it, përveç MMPH-së dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Po ashtu, vizita të veçanta studimore nga grupe nxënësish bashkë me profesorë të gjeografisë, fizikës e kimisë, pasi që studimet e specializimit vetëm për shpella, mungojnë në Kosovë.

Vizita e monumenteve natyrore

Kosova vazhdon të mos e ketë as Muzeun e Artit, as Muzeun e Shkencave Natyrore, as Muzeun e Bimëve, etj., por sidoqoftë, Kosova ka disa monumente natyrore të cilat janë shumë të rëndësishme për të tërhequr vizitorët lokalë e të huaj. Shpella e Gadimes vazhdon të tërheq numër të madh vizitorësh dhe MMPH duhet po ashtu të investon më shumë për këtë fshat të Gadimes ku gjendet kjo shpellë, pasi vazhdon të jetë mjaft vendbanim i ndotur. Gurëthyesi që gjendet në kodrën simotër të shpellës, duhet të ketë qasje më rigoroze të kontrollit ndërministror teksa kalojnë aq shumë kamionë e teksa thyhen gurët! Gadimja meriton të jetë më e gjelbër, e aq më shumë me shpellën e saj tërheqëse për aq shumë vizitorë, madje edhe nga Kina e largët që ka shpella sikur në ëndrra përrallore! Le ta mbështesin këtë shpellë, me investime, për mirëmbajtjen, politikat e marketingut e promocionit, edhe Ministria për kulturë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e jo vetëm Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor! Le t’i bashkojnë forcat!