"Revolucioni" demokratikoligjor në Shqipëri kundër krimit dhe korrupsionit

  • 31 July 2016 - 08:33

Shkruan: Skënder S. Kapiti 

Le t'i shërbejë edhe Kosovës si leksion miratimi i kësaj reforme në drejtësi në Shqipëri, pasi edhe atje është e njëjta situatë dhe i njëjti realitet i zymtë dhe korruptiv politikoinstitucional dhe nuk janë aspak më mirë gjendja dhe realiteti i drejtësisë dhe i sundimit të ligjit as atje.

Reforma në Drejtësi është jetike për shqiptarët, si kryereforma e cila do të reformojë shtetin shqiptar me standardet ligjore e demokratike, moderne dhe që do të mundësojë e përshpejtojë edhe integrimin e Shqipërisë për në BE në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar dhe të dashamirësisë e përkrahjes së SHBA-së dhe të BE-së. Rolin kryesor në ndërmarrjen dhe në realizimin e kësaj reforme të drejtësisë e luajtën SHBA-ja kundër dëshirës dhe vullnetit të politikanëve, pushtetarëve ministra e gjithfarësh dhe gjyqtarëve si dhe të gjendjes apatike, të paralizuar dhe të mosfunksionimit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare të kapura nga korrupsioni dhe krimi i politikës dhe nga tërë sistemi i drejtësisë së korruptuar. Kriminalizimi dhe korrupsioni i politikës shqiptare dhe i sistemit e kishin asgjësuar shtetin ligjor dhe funksionimin e drejtësisë e të shoqërisë dhe për pasojë ishte paralizuar edhe demokracia, shteti dhe aktiviteti i shoqërisë civile. Pra, shteti demokratik dhe shoqëria civile kishin rënë në koma dhe nuk kishin aftësi të reagonin kundër krimit të politikës dhe kundër krimit e korrupsionit të drejtësisë që funksiononin dhe ushqenin njëratjetrën. Politika dhe drejtësia në Shqipëri si BASHKËMONOPOLISTËT APO TRUSTI piramidal më i fuqishëm në marrëdhënie biznesi parazitar ekonomiko-financiar korruptiv e kriminal dhe i një bashkëjetese simbiotike ryshfeti, vjedhjeje, grabitjeje, krimi e pasurimi i kishin kapur dhe privatizuar liritë dhe të drejtat politike,ekonomike, morale, civile, juridike e pronësore të qytetarëve, të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar. Dhe, për ta nxjerrë e shpëtuar vendin, shoqërinë dhe shtetin nga kjo gjendje e rëndë paralize të shtetit, të demokracisë, të shoqërisë, ligjit, moralit dhe të drejtë- sisë ndërhynë me përkushtim dhe me vendosmëri SHBA-ja, e cila bindi dhe tërhoqi pas vetes edhe shtetet kryesore demokratike të BE-së në këtë mision historik të saj të një rëndësie të jashtëzakonshme jetike dhe kombëtare për shqiptarët, gjendje e cila fatkeqësisht u erdhi shqiptarëve edhe nga vetvetja: prej përzgjedhjes së keqe nga ana e tyre e njerëzve të tillë në krye të shtetit, të drejtësisë dhe të drejtimit të shoqërisë dhe e pamundë- sisë për të dalë vetë shoqëria shqiptare nga ky qorrsokak.

Orientimi properëndimor Prandaj, reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj ka përmasat dhe rëndësinë e një revolucioni demokratiko-ligjor kundër sistemit të padrejtësisë në Shqipëri për konsolidimin e demokracisë me anë të sundimit të ligjeve demokratike të miratuara demokratisht në Parlament, por vetëm thënë më së sakti e më së vërteti që kjo reformë u miratua në sajë të imponimit dhe të presionit demokratik të ushtruar mbi politikën shqiptare nga diplomacia dhe demokracia perëndimore e SHBA-së dhe e BE-së. Padrejtësia brenda një shteti kombëtar dhe të pavarur është armikja më e madhe e lirisë, e humanitetit dhe moralitetit të individit dhe të shoqërisë, është armikja më e madhe e patriotizmit dhe e emancipimit civil dhe social të kombit. Nga padrejtësia në shtet që vjen prej politikës dhe prej politikanëve të tij, si rasti më shembullkeq i tranzicionit 25-vjeçar në Shqipëri kugjeneroi krimi, tradhtia, korrupsioni ,varfëria, papunësia, eksodi dhe destabiliteti i shoqërisë që gati disa herë provokoi rëndë edhe me përplasje civile. Kur pllakos padrejtësia degjeneron dhe rrënohet edhe vetë shteti, ashtu sikurse dhe kanë rënë e janë rrënuar perandoritë dhe mbretëritë më të mëdha botërore si të kohëve të lashta, të mesjetës si dhe ato të kohëve moderne. Shteti krijohet nga njerëzia dhe kombi shqiptar ka sakrifikuar me shekuj për të pasur shtetin e vet kombëtar, për t'u çliruar nga pushtuesit dhe prej padrejtësive mizore të tyre; ka luftuar populli shqiptar për të krijuar shtetin e vet dhe për të pasur e gëzuar lirinë e lumturinë dhe drejtësi e barazi ligjore. Por, shqiptarët që luftuan me shekuj kundër padrejtësive dhe pushtuesve të huaj ranë përsëri pre e padrejtësive politike, ideologjike, të krimit, të tradhtive dhe të korrupsionit të politikanëve dhe qeveritarëve të vet gjithmonë pothuajse, por edhe shumë e më keq akoma edhe në këto 25 vitet e fundit. Pra, deri tani shoqëria shqiptare ka dështuar në ndërtimin e një shteti ligjor me vlera e standarde moderne shtetformue, gjë për të cilën shoqëria nuk mund ta justifikojë e ta përjashtojë veten nga përgjegjësia për këtë realitet jo të këndshëm si pasojë e mosemancipimit demokratik dhe të paditurisë e të mosnjohjes së botës së ligjeve me të cilët funksionon e qeveriset qytetërimi modern. Është drejtësia ajo që e mban shtetin, i cili ka si detyrë për ta ruajtur e mbrojtur shoqërinë dhe individët e saj dhe për t'ju shërbyer atyre. Kur s'ka drejtësi, shteti bie në anarki, dhe anarkia është gjendja më e rëndë për shoqërinë. Padrejtësia në një shtet është dhe kërcënimi dhe rreziku kryesor për sovranitetin kombëtar. 

Mësimet për Kosovën Pas komunizmit diktatorial, prej 25 vitesh në fakt u vendos një regjim i neoautoritarizmit "demokratik", i cili më së shumti apo tërësisht ishte një libertarianizëm kaotik i lirive goiste të shthurura të politikës anarkiste dhe të kriminalizuar, të papërgjegjshme që e keqpërdori shtetin, ligjin, demokracinë dhe popullin si një mjet apo material njerëzor vetëm për interesa të veta. Pra, amoraliteti i paskrupullt i politikës e shkatërroi dhe drejtësinë, themelin e moralitetit njerëzor. Prandaj, reforma në drejtësi është me të vërtetë ashtu si dhe e kanë përcaktuar ambasadorët dhe diplomacia perëndimore e SHBA-së dhe BE- së, si reformën më të rëndësishme në historinë Shqipërisë dhe kjo reformë u miratua pikërisht vetëm falë presionit të SHBA-së dhe BE-së dhe kot mundohet e përpiqet të llomotisë sot apo edhe nesër ndonjë segment politik apo politikan, duke menduar dhe gënjyer veten se mund të gënjejë e të mashtrojë publikun për ndonjë meritë të tyren për këtë reformë. Kujtesa kombëtare do ta konservojë në histori si një fitore kombëtare realizimin e reformës në drejtësi si një meritë e popullit me ndihmën vendimtare të demokracisë perëndimore kryesisht të SHBA-së, por nga ana tjetër edhe si një turp të madh të radhës të politikës dështake shqiptare për zvarritjen, neglizhencën, pengesën dhe mosdëshirën e saj për reformën në drejtësi si dhe për dëmin e madh kombëtar dhe anticivil, antiprogresiv dhe kundërintegral që ka luajtur politika shqiptare e këtij tranzicioni. Le t'i shërbejë edhe Kosovës si leksion miratimi i kësaj reforme në drejtësi në Shqipëri, pasi edhe atje është e njëjta situatë dhe i njëjti realitet i zymtë dhe korruptiv politiko-institucional dhe nuk është aspak më mirë gjendja dhe realiteti i drejtësisë dhe i sundimit të ligjit as atje. Është fat i madh i kombit shqiptar dhe i dy shteteve shqiptare që kemi një mik dhe aleat të madh si SHBA-ja. Duhet të paktën t'u jemi mirënjohës pasi dihet tashmë se garancia vendimtare për Pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimi e krijimi i Shtetit të Pavarur të Kosovës janë mundësuar nga SHBA, ashtu si edhe për të gjitha ngjarjet e zhvillimet e tjera për demokracinë, stabilitetin, për progresin si dhe integrimin euro-atlantik të shqiptarëve dhe të të dy shteteve të tyre, përcaktues ka qenë gjithnjë roli dhe kontributi real i SHBA-së, siç është dhe rasti më i fundit, ky i reformës më të madhe në historinë e Shqipërisë, realizimi i reformës në drejtësi. Është koha e një gjyqi të madh, e gjyqit për ta gjykuar e ndëshkuar drejtësinë shqiptare të këtyre 25 viteve, por edhe ato të kaluarës jo të largët të komunizmit: gjyqtarët, juristët, pushtetarët dhe politikanët shqiptarë, pra të gjithë ata individë të kësaj kaste që kanë shkelur, abuzuar, vjedhur, grabitur dhe që kane përfituar duke shkelur, spekuluar dhe manipuluar ligjin dhe drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë. Aq i madh është zhgënjimi i shqiptarëve nga realiteti kriminal i drejtësisë dhe i politikës sa akoma edhe pas miratimit të reformës ata pyesin veten me të drejtë se: "Po tani a do të ndryshojë gjë?". Dhe kthimi i besimit të popullit te drejtësia do të fillojë shpejt vetëm atëherë kur shqiptarët të shohin daljen para drejtësisë të politikanëve, pushtetarëve, ministrave, drejtorëve, gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar e të kriminalizuar.

(Kosova Sot)