Reformë ose divorc në Evropë

Reformë ose divorc në Evropë
  • 25 August 2016 - 09:38

Shkruan: Joseph E. Stiglitz 

Vendet e eurozonës me performancën më të keqe gjenden të zhytura në depresion, apo recesion të thellë; gjendja e tyre (Greqisë, psh) është më e keqe sesa e ekonomive që kishin vuajtur gjatë Depresionit të Madh, të viteve '30

Të thuash se eurozona nuk ka pasur performancë të mirë që nga kriza e vitit 2008, është një gjë minimizim. Vendet e saj anëtare kanë pasur rezultate më të këqija sesa vendet e BE-së që nuk janë anëtare të eurozonës dhe shumë më të këqija sesa SHBA-ja, e cila ishte epiqendër e krizës. Vendet e eurozonës me performancën më të keqe gjenden të zhytura në depresion, apo recesion të thellë; gjendja e tyre (Greqisë, psh) është më e keqe sesa e ekonomive që kishin vuajtur gjatë Depresionit të Madh, të viteve 1930. Vendet anëtare të eurozonës që kanë pasur performancën më të mirë, sikur që është Gjermania, duken mirë, por vetëm në krahasim; dhe modeli i tyre i rritjes pjesërisht bazohet në politikën "rrënoje fqinjin tënd", ku suksesi vjen në dëm të ish- "partnerëve". Katër lloje të shpjegimeve janë dalluar në lidhje me këtë situatë. Gjermania preferon që ta fajësojë viktimën, duke bërë me gisht kah plëngprishja e Greqisë dhe te borxhet dhe deficitet gjetiu. Por, kjo injoron faktin se Spanja dhe Irlanda kishin bilance pozitive dhe raport të ultë midis GDP-së dhe borxhit para krizës së eurozonës. Kështu, kriza shkaktoi deficite dhe borxhe, e jo anasjelltas. 

Politikat e gabuara Fetishizmi i deficitit nuk ka dyshim se është pjesë e problemit të Evropës. Edhe Finlanda ka pasur telashe që të përshtatej ndaj tronditjeve të shumta, me të cilat është ballafaquar, me GDP-në në vitin 2015 prej 5.5% nën vlerën e vitit 2008. Kritikët e tjerë, të cilët e fajë- sojnë viktimën, përmendin shtetin e mirëqenies dhe mbrojtjen e tepërt të tregut të punës, si shkaktarë të problemeve të eurozonës. Por, disa nga vendet evropiane me performancën më të mirë, sikur psh Suedia dhe Norvegjia, kanë shtetet më të forta të mirëqenies dhe mbrojtjet e tregut të punës. Shumë nga vendet që tani kanë performancë të dobët, ishin në gjendje të mirë, mbi mesataren evropiane, para se të fillonte të përdorej euroja. Rënia e tyre nuk rezultoi nga ndonjë ndryshim i papritur në ligjet e tyre të punës, apo nga epidemitë e dembelizmit në vendet e krizës. Ajo që ndryshoi ishte valuta. Lloji i dytë i shpjegimit ka të bëjë me atë se Evropa kishte liderë më të mirë, të cilët kuptuan më mirë ekonominë dhe implementuan më mirë politikat. Politikat e gabuara, jo vetëm masat e kursimit, por edhe reformat strukturore të gabueshme, të cilat e rritën pabarazinë dhe dobësuan kërkesën e përgjithshme dhe rritjen potenciale, pa dyshim se i kanë bërë gjërat edhe më keq. Por, eurozona ishte një aranzhim politik, në të cilin ishte e paevitueshme që zëri i Gjermanisë do të ishte i madh. kushdo që ka pasur të bëjë me politikëbërësit gjermanë gjatë 30 vjetëve të fundit, do të duhej ta kishte ditur këtë që përpara. Ajo që ka më së shumti rëndësi, as edhe mbreti më i zoti i ekonomisë nuk do të mund ta kishte bërë eurozonën të suksesshme. Grupi i tretë i arsyeve për performancën e dobët të eurozonës, ka të bëjë me kritikat e gjera të krahut të djathtë ndaj eurozonës, të përqendruar te eurokratët dhe te rregullat që pengonin inovacionet. Edhe kjo kritikë e huq cakun. Eurokratët, sikur psh ligjet e punës apo shteti i mirëqenies, nuk ndryshuan papritmas në vitin 1999, me krijimin e sistemit të fiksuar të valutëkëmbimit, apo në vitin 2008, me fillimin e krizës. Ajo që ka rëndësi më të madhe, ka të bëjë me standardin e jetës, me kualitetin e jetës. Kushdo që mohon se sa më mirë jemi ne në Perëndim me ujin dhe ajrin tonë të pastër, duhet ta vizitojë Pekinin.  

Çdo divorc e ka koston e vet Kjo na sjell te shpjegimi i katërt: më shumë e ka fajin euroja, sesa politikat dhe strukturat e vendeve të veçanta. Euroja kishte të meta që në lindje. Bile as politikëbërësit më të mirë në botë nuk do të mund ta kishin bërë euron funksional. Struktura e eurozonës imponoi një rigiditet të shoqëruar me standardin e artë. Valuta e përbashkët ua mori vendeve të veçanta mekanizmin më të rëndësishëm të përshtatjes - normën e këmbimit - dhe eurozona kufizoi politikat monetare dhe fiskale. Si reagim ndaj tronditjeve asimetrike dhe divergjencave në produktivitet, do të duhej të ishin bërë përshtatje me një normë reale të këmbimit, që dmth se periferia e eurozonës do të duhej të binte krahasuar me Gjermaninë dhe Evropën veriore. Por, me një Gjermani të përkushtuar rreth inflacionit, përshtatja mund të arrihet vetëm me anë të tërheqjes së deflacionit gjetiu. Ky sistem nuk mundet dhe nuk do të funksionojë në aspektin afatgjatë: politikat demokratike sigurojnë dështimin e tij. Vetëm duke ndryshuar rregullat e eurozonës dhe institucionet e saj, euroja mund të bëhet funksionale. Kjo kërkon shtatë ndryshime: - heqjen dorë nga kriteret konvergjente, të cilat kërkojnë që deficiti të jetë më i vogël se 3% e GDP-së; - zëvendësimi i masave të kursimit me një strategji të rritjes, të mbështetur nga një fond i solidaritetit për stabilizim; - çmontimi i sistemit të prirë për krizë, ku vendet duhet të huazojnë në një valutë të cilën nuk e kontrollojnë dhe të mbështeten te euro bonot, apo te ndonjë mekanizëm tjetër, i ngjashëm; - një ndarje më e mirë e barrës gjatë procesit të përshtatjes, ku vendet që kanë bilance pozitive, të përkushtohen se do të rrisin rrogat dhe shpenzimet fiskale, duke siguruar që çmimet e tyre të rriten më shpejt sesa ato të vendeve me deficite valutore; - ndryshimi i mandatit të Bankës qendrore evropiane, e cila fokusohet vetëm te inflacioni, për dallim nga Banka qendrore e SHBA-së, e cila merr parasysh edhe punësimin, rritjen ekonomike dhe stabilitetin; - themelimi i depozitave të përbashkëta të sigurimit, të cilat do të parandalonin ikjen e parave nga vendet me performancë të keqe, si dhe elementet e tjera të një Unioni bankar; - si dhe inkurajimi, në vend të ndalimit, të politikave industriale të dizajnuara për t'u siguruar që vendet e dobëta të eurozonës ta arrijnë hapin me liderët e saj. Nga një perspektivë ekonomike, këto ndryshime janë të vogla, por liderët e tashëm të eurozonës nuk e kanë vullnetin politik për t'i realizuar ato. Një sistem që ka për qëllim promovimin e prosperitetit dhe të një integrimi më të madh, ka pasur një efekt të kundërt. një shkurorëzim miqësor do të ishte më i mirë sesa qorrsokaku i tashëm. Natyrisht, çdo divorc e ka koston e vet, por vazhdimi i gjendjes së tanishme do të kushtonte më shumë dhe, tanimë e kemi parë këtë verë në Britani, nëse liderët evropianë nuk munden, apo nuk duan që t'i marrin vendimet e vështira, atëherë votuesit evropianë do ta bëjnë këtë në vend të tyre, ku liderët më pas mund të mos jenë të kënaqur me rezultatet.

(Joseph E. Stiglitz është laureat i çmimit Nobel për ekonomi dhe profesor në Universitetin "Columbia") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"